Trajneri i kombëtares së Rusisë, Fabio Kapelo, ka bërë përgjegjës një tifoz rus, për golin e barazimit të shënuar nga Brazili në minutat e fundit të ndeshjes. Sipas Kapelos, hyrja e tifozit në fushë bëri që ekipi të shpërqendrohet dhe të pësojë golin e shënuar nga Fred.
“Jam i lumtur me mënyrën se si luajtëm, pasi treguam shpirt skuadre. Zhgënjimi im i vetëm është se pasi një tifoz hyri në fushën e lojës, lojtarët e mi humbën përqendrimin dhe ndaj Brazilit nuk të lejohet të humbasësh përqendrimin”, ka thënë Kapelo duke folur me gazetarët.
Trajneri Brazilian, Luis Felipe Skolari, ka ironizuar me deklaratën e Kapelos.
“Kur isha trajneri i Portugalisë dhe po luanim kundër Estonisë, një vajzë shumë e bukur hyri në fushë gjysmë e zhveshur. Të gjithë po e shihnin, dhe unë. Në ato momente, ndeshja ishte 0-0, por pastaj ne fituam 2-0. Nuk di të them nëse ai tifoz sot e shpërqendroi ekipin rus, por nuk i dihet, gjëra të tilla mund të ndodhin”, ka thënë ai./ b.l