Pronari i Formula 1, Berni Ekleston, ka zbuluar një detaj të bujshëm që mund të kishte ndryshuar tërësisht fytyrën e këtij sporti për disa vite radhazi, duke përforcuar hegjemoninë e Red Bull. Sipas tij, Luis Hemilton i ka kërkuar që ta ndihmonte për një transferim te Red Bull, por kjo skuadër në fund kishte zgjedhur t’i qëndronte besnik Mark Ueber, duke hedhur poshtë mundësinë për të krijuar dyshen Vetel-Hemilton.
Sipas Ekleston, pronari i Red Bull, Ditrih Mateshitz, kishte bërë të qartë se do të mundohej të afronte Hemilton vetëm nëse Ueber vendoste të largohej vetë nga skuadra.
“Për Sebastian nuk ekzistonte asnjë problem nëse Luis bëhej pjesë e skuadrës. Por Ditrih është një person mjaft i sinqertë dhe i tha Mark se dera ishte e hapur për të që të qëndronte përsëri në ekip. Nëse Mark do të largohej, atëherë ai do të kishte firmosur menjëherë me Luis”, shpjegoi Ekleston për “Daily Mail”.
“Unë i telefonova pastaj Hemilton dhe i thashë ‘Përse nuk flet me Mercedes?’. Ai fillimisht reagoi me mosbesim por i thashë se nuk kishte çfarë të humbte, meqë kërkonte të largohej medoemos nga MekLaren”, ka treguar padroni i Formula 1.