Sebastian Vetel me Red Bull ka fituar Çmimin e Madh të Malajzisë dhe ka rimarrë që tani kreun e renditjes së kampionatit, por kjo garë do të kujtohet edhe për polemikat që pritet të krijojë në skuadrat e Red Bull dhe Mercedes.
Garën e dominoi Mark Ueber, falë një strategjie mjaft të mirë dhe një makine të balancuar në mënyrën e duhur. Por dëshira e Sebastian Vetel për të fituar garën për pak solli një incident mes dy makinave Red Bull në momentin kur gjermani parakaloi shokun e tij të skuadrës pasi ai kaloi shumë ngjitur me murin e bokseve dhe mund të shkaktonte një përplasje tragjike. Parakalimi nuk ka kënaqur Ueber si dhe drejtuesit e skuadrës Red Bull të cilët kanë kritikuar gjermanin edhe nëpërmjet radios, edhe pas garës, ndërsa situata dukej shumë e tensionuar mes tij dhe Ueber që e ka injoruar plotësisht.
Vendi i tretë është caktuar me urdhër skuadre, pasi Mercedes ka zgjedhur që të çojë në podium Luis Hemilton para Niko Rosberg, i cili e ndoqi nga shumë afër shokun e tij të skuadrës duke u ankuar vazhdimisht se mund ta kalonte pa probleme. Gjatë garës ndodhi edhe një incident mjaft i veçantë për Hemilton, i cili gaboi bokset dhe forca e zakonit e çoi në mënyrë të gabuar në bokset e ish-skuadrës MekLaren për të ndërruar gomat.
Zhgënjimi i garës është padyshim Fernando Alonso, i cili duroi vetëm një xhiro në pistën malajziane, pasi një kontakt me Vetel në kthesat e para dëmtoi pjesën e përparme të makinës. Piloti spanjoll vendosi të qëndronte në pistë sa më gjatë duek mos hyrë në bokse, por sa filloi xhiro e dytë, pjesa e përparme përfundoi poshtë makinës dhe e nxori aty përfundimisht jashtë pistës. “Nderin” e Ferrarit e mbrojti Felipe Masa që arriti të çonte makinën e tij në vendin e 5-të.
Vendet 6 dhe 7 i shkuan dy makinave Lotus, me Groszhan që mposhti shokun e skuadrës, Raikonen. Hulkenberg mori vendin e 8-të pas një gare të shkëlqyer me Sauberin e tij, i ndjekur nga Perez me MekLaren dhe Vernje me Toro Roso që mbyllën zonën e pikëve.
vetel eshte nje pilot fantastik dhe shume i sakte per moshen qe ka.plus kesaj eshte gjerman dhe si duron dot keto lloj manipulimesh lufton per te dal i pare dhe pse me shokun e skuadres.nuk jemi te barcelona ketu qe te gjithe duhet ti japin topin mesit se ai duhet te shpallet golashenues!!!!!!