Trajneri i Holandës, Luis Van Gal, beson se renditja e FIFA-s nuk pasqyron realisht se sa mirë po luan kombëtarja që në momentin kur ai ka marrë drejtimin në vitin 2012. “Tulipanët” renditen në vendin e 8-të në botë, ndonëse në grupin eliminator të Botërorit 2014 deri tani kanë regjistruar vetëm fitore, që ka shtyrë Van Gal të vërë në dyshim saktësinë e kësaj renditje.
“Kur unë mora drejtimin e skuadrës, ishim në vendin e gjashtë, ndërsa tani jemi në vendin e 8-të edhe pse nuk kemi humbur asnjë ndeshje. Kjo më bën të mendoj se deri në cilën masë reflektohet saktësia e kësaj renditje”, tha Van Gal për “AD”.
Holanda ka fituar të katër ndeshjet e saj në eliminatoret e Brazil 2014 në Grupin D. Por trajneri Van Gal insiston se jo vetëm rezultati, por edhe loja e mirë ishte e nevojshme në takimet e radhës ndaj Estonisë e Rumanisë, pas barazimeve të kësaj përfaqësueseje kundër Gjermanisë e Italisë në miqësore.
“Kundër Italisë e Gjermanisë treguam se çfarë jemi në gjendje të bëjmë ndaj skuadrave më të mëdha në botë dhe kjo rrit pritshmërinë. Tani duhet të tregojmë një nivel më të lartë ndaj Estonisë dhe Rumanisë”, ishte deklarata e tij.