Një studim i publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) sjell sërish në vëmendje abuzimet me fëmijët në vendin tonë.
Sipas studimit të realizuar me studentë të moshës 21.2 vjeç deri 23 vjeç, rezulton se 6% e tyre kanë pranuar se janë abuzuar seksualisht në fëmijërinë e tyre, ndërkohë që 41.5% janë dhunuar fizikisht. Nga të dhënat rezulton gjithashtu se dhuna më e madhe ndaj fëmijëve është ajo psikologjike, pasi 51% e të anketuarve kanë pranuar se e kanë pësuar këtë eksperiencë negative në fëmijërinë e tyre. Po ashtu rezulton se 14% e studentëve të marrë në pyetje kanë raportuar të paktën 4 përvoja negative në fëmijëri, ndërsa më tepër se gjysma e tyre raportuan të paktën dy të tilla. Abuzimet ishin të lidhura me vendet rurale të lindjes, edukimin prindëror, papunësinë e baballarëve si dhe me nivelin e të ardhurave në familje.
“Turpi dhe fshehtësia nxit kulturën e përhapur të heshtjes, ku fëmijët nuk mund të flasin rreth abuzimit seksual që ata kanë vuajtur, ku të rriturit neglizhojnë dhunën seksuale në shtëpi dhe nuk dinë ç’të bëjnë apo thonë nëse ata dyshojnë se dikush ka abuzuar seksualisht një fëmijë. Në studimin tonë prevalenca e abuzimit seksual ka qenë dukshëm më e lartë te studentët meshkuj (8.8%) sesa te femrat (4.7%)”, -shkruhet në raportin e OBSH-së.
Në këtë studim janë u përfshinë 1437 studentë të universiteteve publike, nga të cilët 971 ishin femra dhe 466 ishin meshkuj. Ai u realizua në periudhën kohore nëntor 2011-maj 2012, ndërsa universitetet publike prej të cilëve u zgjodhën studentët e intervistuar ishin: Tirana, Vlora, Shkodra dhe Elbasani. 840 studentë të përfshirë në anketim studionin në Universitetin e Tiranës, 220 në Universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë, 220 në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër dhe 220 të tjerët në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit.
Sipas tyre gjatë studimit janë gjetur lidhje mes dhunës së dëshmuar dhe përvojave aktuale të pirjes së duhanit, drogës, alkoolit dhe marrëdhënieve seksuale./A.XH