G99, Mete: Opozita duhet të shprehet kundër aleancës me LSI-në

29 Mars 2013, 16:51Politika TEMA
G99, Mete: Opozita duhet të shprehet kundër aleancës me

Flet kryetari i G99, Ervin Mete

Z.Mete, brenda opozitës po gëlon një debat i hapur lidhur me aleancat e mundshme që PS-ja duhet të formatojë me qëllim maksimizimin e votës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Pjesë e këtij debati është edhe diskutimi nëse duhet apo jo që LSI-ja të jetë pjesë e saj. Në këndvështrimin tuaj, cili duhet të jetë formacioni përfundimtar i aleancave të opozitës dhe, a shihni edhe LSI-në pjesë të saj?

Mendoj se është momenti që opozita të shprehet qartë kundër një aleance me LSI-në. Çdo argument matematikor në rastin e LSI-së është shumë më i dobët se dëmi në besueshmëri dhe moral që një aleancë e tillë do t’i sillte koalicionit të majtë. Edhe argumenti se mund të bënim koalicion me LSI-në nëse ata largoheshin nga qeveria, është tashmë i tejkaluar dhe shumë i cenueshëm nga pikëpamja e integritetit. Koalicioni opozitar ka misionin e rrëzimit të regjimit të Sali Berishës dhe të mbrojtjes me çdo kusht të besimit se ky vend mund të bëhet dhe se kjo opozitë mund të sjellë një qeverisje më të mirë. Këtë nuk mund ta bëjë duke i lënë derën hapur LSI-së, e aq më pak duke bërë aleancë me të. LSI qartazi e ka bërë zgjedhjen e saj duke qenë partia që ka siguruar jetëgjatësinë e kësaj qeverie. Ajo është po aq përgjegjëse për dështimet dhe keqqeverisjen e këtyre viteve sa edhe PD-ja. Ilir Meta ka bërë mëkatin final politik të bashkimit të votave të majta me Sali Berishën, është kthyer në simbol të korrupsionit, mban përgjegjësi për 21 janarin, mban përgjegjësinë e rëndë të komercializimit ekstrem të politikës në Shqipëri dhe përgjegjësinë e shkatërrimit të administratës. Me Ilir Metën nuk mund të ketë aleancë. Çdo vonesë në qartësimin e pozicionit kundër një aleance me LSI-në i jep kësaj të fundit frymëmarrje. Dhe kjo është një frymëmarrje kundër-opozitare.

Një tjetër ftesë e hapur mbetet edhe për AK-në me tezat e saj nacionaliste… Sa i mundshëm është një koalicion me këtë të fundit?

Në rastin e AK-së argumentet matematikore janë më të forta se kundërshtitë ndaj narrativës nacionaliste. Në fakt, kjo narrativë ishte më tepër një kartë e papërdorur që mund të përdorej me leverdi në kushtet e një nacionalizmi në rritje në rajon sesa një bindje e brendësuar dhe e palëkundur e liderit të saj. Ka qenë dhe mbetet një narrativë lehtësisht e kontrollueshme. Në fakt, që pas shprehjes së ambasadorit amerikan gjuha e AK-së është tashmë thuajse vetëm anti-berishiane. Argumenti kryesor që kërkon përfshirjen e AK-së në koalicion është fakti që ata thithin kryesisht votë të majtë. Tek ne argumentet nacionaliste, pa i hyrë dallimit mes termave nacionalistë dhe patriotikë, kanë qenë të përqafuar fort nga komunizmi dhe sot rezonojnë shumë tek votuesit tradicionalë të majtë. Po ashtu, edhe narrativa e fortë kundër Berishës thith votë të majtë. Votat e të rinjve apo të paangazhuarve që mund të marrë AK janë një bonus për koalicionin. Por edhe vetë AK ka interes në një aleancë të tillë. Së pari nuk do të humbiste shumë terren, siç mund të humbiste fjala vjen Topi, dhe së dyti do të rriste shumë shanset për të prodhuar mandat.

Duke iu referuar asaj që ju po thoni, Topi me sa duket është në një situatë krejt të ndryshme nga Spahiu i AK-së. Sipas jush, do të ishte më mirë një FRD brenda koalicionit të majtë apo jashtë saj?

Unë nuk e shoh aspak problematik qëndrimin e Topit jashtë koalicionit. Sigurisht, nëse FRD do të ishte në koalicionin opozitar, ky i fundit mund të nxirrte dy mandate shtesë, por ato do t’i shkonin FRD-së. Por vetë baza e FRD-së do të ishte rrudhur, siç do të ishte rrudhur edhe vota që i largohej Berishës dhe largimi i votës nga Berisha është merita kryesore e FRD-së. Topi jashtë koalicionit i heq mandate Berishës. Nëse këto mandate i shkojnë atij apo i përkthehen së majtës, kjo mbetet për t’u parë.

Z.Mete, pak ditë më parë kryetari i opozitës, Edi Rama bëri publike projekt-marrëveshjen për partitë aleate. Në të njëjtën kohë, me kushtet e parashtruara nga Rama, disa prej drejtuesve të partive të vogla kanë kërkuar nën zë përfshirjen e tyre në listat e deputetëve të PS…duke kushtëzuar në njëfarë mënyre edhe qëndrimin ose jo të tyre në koalicion me PS-në. A keni ndonjë koment për këtë situatë konfuze brenda opozitës?

Lidhur me listat, mendoj se argumenti më i drejtë është ai i votave të kontribuara në zgjedhjet e kaluara. Nëse votat e kontribuara nga një subjekt janë më shumë se votat që i duhen PS-së për të nxjerrë një mandat, atëherë është e logjikshme që krerët e këtyre forcave të jenë në listat e PS, që duhen konsideruar si lista koalicioni. Duke mos e konsideruar PBDNJ-në formalisht si pjesë të tryezës opozitare, vetëm tri forca në tryezë kanë kontribuar një numër të tillë votash: PSD (27 600 vota), G99 (12 989 vota) dhe PDS (10 395 vota). Këto janë forca që, nëse do të korrektohej sistemi, do të kishin përfaqësim në Parlament në bazë të numrit të votave në rang kombëtar. Nga partitë kryesore një deputet nxirret me afro 10 mijë vota. Duke qenë se logjika e votave po përdoret si baza kryesore për marrëveshjen e koalicionit, atëherë kjo logjikë dikton që kontributi që këto forca kanë sjellë të merret seriozisht parasysh. Çështja tjetër dhe kryesore që shtrohet për diskutim për koalicionin është çështja e mandateve shtesë. Duke konsideruar numrat e koalicionit me formatimin aktual, duhet ngritur pyetja se në cilat qarqe mund të prodhohen mandate shtesë dhe si mundet të ndihmojnë aleatët në këtë drejtim. Jemi në kushtet e një sistemi kur mandatet ndahen edhe me 200 apo 300 vota dhe kontributet e aleatëve mund të jenë thelbësore. Nga ana tjetër, ka qarqe ku mund të dilet edhe 8 apo 9 mijë vota para dhe këto të mos përkthehen në mandat. Nëse PS pret të nxjerrë mandate shtesë në Berat apo Dibër, në Durrës apo Tiranë, kjo duhet koordinuar me aleatët në mënyrë që të bëhen përpjekje shtesë në ato qarqe ku janë mundësitë dhe numrat. Nëse çdo aleat i PS prodhon një mesatare prej 100 votash shtesë, përtej atyre që do kishte realizuar normalisht, në ato qarqe ku pritet të shtohet mandat, atëherë kalimi i mandatit është i sigurt.

5 komente në “G99, Mete: Opozita duhet të shprehet kundër aleancës me LSI-në”

  1. gani says:

    Nje bashkim i PS me LSI do te bente qe une dhe familja ime te mos i jepnim me voten PS por te shikonim nje alternative tjeter dhe me afer eshte AK sepse vetem ajo po shprehet hapur kunder rregjimit te tjerat vetem zvarriten.

  2. linda says:

    Nuk e kuptoj kete hapje te PS-s kundrejt LSI-s!!!!
    PD eshte ne kualizion me LSI-n dhe nuk po e lut kaq
    shume sa po i luten keta te PS-s. Kejo tregon qe
    PS nuk e ka fitoren aq te sigurte sa na tregon Edi Rama
    duke thene qe do te jem kryeministri i ardhshem.

    Nje bashkim PS+lsi do te thote qe nuk eshte politike
    per rilindje por politike per rregres.

  3. Petro Labi says:

    Si komentues i juaj mendoj se analiza eshte teper korrekte. Kryesia e PS dhe vete Z.rama duhet ta ndajne mendjen njehere per problemin e LSI. Me LSI-ine partia socialiste me shume do te humbase se sa do te fitoje.Ne lidhje me kete, mendoj se Ps mos ta vere me ne diskutim por me nje theks Jo te ndahet nje here mire per keto zgjedhje. Eshte bashkeudhetare e krimeve dhe deshtimeve te kesaj qeverie. Eshte paterica e rezikshme e saj. Po keshtu nuk mund ta genjeje me elektoratin e majte per te marre vota me perjashtim te punesuarve ne rangjet e larta.
    Ndersa me AK mendoj se do te jete nje kombinim i favorshem per te bashkeqeverisur, me kete force fitorja eshte e sigurte.
    Me konsiderata Z.Mete per shprehjet e koncetruara dhe te spikatura.
    P.S. Po shikoj nje largim nga trajtimi i emigranteve, mos i haroni se eshte nje force shume e madhe.

  4. EDIUES RAMAUS ZEVENDES i 36 i JORGUS PAPANDREUS says:

    HAHAHA KJO ESHTE LAVIRJA PS NJEREN ANE E SHANE LSI PER KORRUPCION ,TJETREN ANE E LUTE PER KOALICION.

  5. Skela says:

    Bashkimi i PS me LSI do te thote qe PS eshte parti perverse ku mungon morali politik dhe njerezor. Ne rast se PS ben aleance me LSI une dhe i gjithe fisi im prej me shume se 300 votuesish nuk do te votojme me PS por ndonje parti tjeter anti berishiane.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje