Robin Van Persi, që nuk shënonte prej ndeshjesh, nuk i ka përmbajtur dot emocionet pas golit të shënuar ndaj Stoke ditën e djeshme. Sulmuesi holandez ka vrapuar drejt stafit teknik, ku ka përqafuar edhe Fergusonin, i cili ka bërë ironi me këtë veprim.
“Ai për pak më vrau! Robin e harron se unë jam 71 vjeç. Kuptohet që kishte festime pasi bashkoi emocionet e lojtarëve më të tifozëve. Ndaj ne e festuam shumë atë gol”.
“Për Robin ishte i veçantë. Për sulmuesit ekziston gjithmonë periudha kur nuk arrijnë të gjejnë rrjetën dhe mendojnë se nuk do ta bëjnë më një gjë të tillë. Ndërsa më pas fillon periudha kur shënon dhe mendon se nuk do të gabosh asnjëherë”, tha tekniku skocez.
Vetë Van Persi e pranoi se kishte qenë nën stress këto javë.
“Në atë mënyrë doli jashtë stresi që zgjaste prej disa javësh! Dëshiroja të festoja me këdo, me lojtarët e stafin, pasi të gjithë kanë qenë të shkëlqyer me mua që nga dita e parë. Edhe kur gjërat dukeshin më të vështira, ata më kanë mbështetur, ndaj dëshiroja që të gjithë të festonin me mua”, tha holandezi./b.l