Anëtarja e Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Ermelinda Meksi, thotë në një intervistë për “Shqip”, se situata ekonomike e Shqipërisë është në situatën e vet më kritike. Situata bëhet më e rëndë sipas saj, për faktin se shpenzimet sa vijnë dhe rriten, duke rritur kështu edhe borxhin publik.
“Së pari, vërehet rënia e të ardhurave buxhetore kundrejt vitit të kaluar me 3,6% ose me 2.8 miliardë lekë. Por ajo që të bie në sy është se ndërsa në vitet e kaluara, rritja ka qenë e ngadaltë, sivjet vërehet rënie e të ardhurave buxhetore, të cilat janë edhe më të ulëta se ato të vitit 2010. Pra krahasuar me tre vjet më parë shfaqet jo thjesht stanjacion, por rënie e të ardhurave buxhetore nominale.
Së dyti, ndërsa ulen të ardhurat, shpenzimet korrente, që nuk sjellin rritje ekonomike (kryesisht shpenzimet për paga, pensione e të kosto tjera sociale, apo interesat e borxhit) janë rritur në mënyrë të vazhdueshme nga njëri vit në tjetrin. Vetëm ndaj vitit të kaluar ato u rritën me 6,4% ose me 4,6 miliardë lekë, kurse ndaj vitit 2010 janë rritur 22% ose 13.7 miliardë lekë.
Së treti, pas disa vitesh (2004) rishfaqet deficiti ndaj shpenzimeve korrente, që përbën borxhin për të mbuluar shpenzimet për paga, pensione, interesa, etj., në masën 634 milionë lekë, përtej investimeve kapitale. Për çdo ekonomist, kjo është një kambanë që lajmëron një situatë kritike në ekonominë tonë”, ka thënë Meksi./b.l