Seanca e sotme në Kuvend është shoqëruar me debate mes socialistëve dhe demokratëve në lidhje me taksimin e tokës. Deputeti socialist, Erion Braçe, duke folur për ndryshimet në ligj për taksimin rreth shitjes së tokës, tha se taksimi i dhurimit të tokës rëndon mbi fshatarët.
“Të mos taksohet dhurimi i tokës, rrit barrën mbi qytetarët”, tha Braçe.
Por ministri i Financave, ridvan Bode, e argumentoi këtë me faktin “dhurimi duhet taksuar, se ka nga ata që janë bërë milionerë”.
Braçe u përgjigj se “nuk po flasim për Damir Fazlliç, por për tokat e fshatarëve të thjeshtë. Ata nuk kanë para të pista për të pastruar”.
Sakaq, deputeti Arben Malaj deklaroi se me anë të koncensioneve, qeveritarët po mendojnë për paratë e tyre pas zgjedhjeve.
“Kjo që ndodh me qeverinë në ikje është model vetëm i Shqipërisë. Po tregohet kapja përfundimtare e shtetit dhe kjo ndodh me koncesionimin e pasurive natyrore. Koncesionet tuaja janë të gjitha të dështuara dhe kjo rëndon mbi shqiptarët
Ju nuk u keni dhënë koncesione kompanive serioze. Kapja e shtetit dhe korrupsioni janë në nivelet më të mëdha. Skandal me kasat fiskale, po me kontenierët çfarë do ndodhë? Marrëveshjet e koncesionit realizohen nga ju që të keni të ardhura edhe kur nuk do të jeni në pushtet, nëpërmjet nënkoncesionarëve. Nuk mund të ketë sukses nëse miratojmë ligje që nuk implementohen. Ju po mendoni për paratë tuaja pas zgjedhjeve”, tha Malaj gjatë fjalës së tij./b.l