Andres Iniesta nuk ka fshehur mendimit e tij se Zhoze Murinjo i ka sjellë më shumë gjëra negative se pozitive futbollit spanjoll. Mesfushori i Barcelonës, ashtu si shoku i tij, Ksavi, mendon se trajneri portugez ka dëmtuar shumë imazhin e Real Madrid me sjelljet dhe kërkesat e tij aspak normale.
“Mjafton të shohësh faktet. Po, ai ka dëmtuar futbollin spanjoll në përgjithësi. Por nuk dua të flas më shumë rreth atij personi. Ndaj mos t’ju vijë keq, por kaq mund të them”, ishin fjalët e mesfushorit.
Gjatë viteve të fundit nën drejtimin e Murinjos, rivaliteti mes Real Madrid dhe Barcelonës u ndez aq shumë, sa edhe lojtarët e kombëtares spanjolle kishin shpesh probleme njëri me tjetrin.
Duket ironike, por në vitet ’90, Murinjo ka qenë pjesë e stafit teknik te Barcelona, ndërsa ka parë të rriten shumë prej këtyre lojtarëve katalanas që tashmë e kritikojnë hapur për sjelljen e tij.