Prokuroria ka mbyllur hetimet duke dërguar në gjykatë mjekun kirurg, i punësuar pranë një spitali privat në kryeqytet. Nga hetimet dyshohet se pas operacionit të pacientes, mjeku nuk ka vlerësuar siç duhet rezultatet e ekos së pacientes, çka ka sjellë avancimin e tumorit.
Sipas prokurorisë, pas operacionit në gjirin e djathtë, 27-vjeçarja me inicialet N.K është paraqitur tek kirurgu me inicialet D.B, dhe i ka treguar ekon. Por, i pandehuri, sipas prokurorëve, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për kryerjen e biopsisë ndaj dy formacioneve të konstatuara në këtë eko.
Në kushtet kur masa tumorale po avanconte, pacientja sipas prokurorëve, është shtruar urgjent në një klinikë tjetër private. Shtetasja N.K është kuruar dhe ka hequr këtë masë, ndërsa pas operacionit vajza është larguar nga Shqipëria për t’iu nënshtruar kimioterapisë në një spital në Itali.
Prokuroria vijon në kërkesën për gjykim duke shtuar se elementet e mjekimit të pakujdesshëm në formën e neglizhencës kanë sjellë rëndimin e gjendjes shëndetësore dhe rrezikimin e jetës së pacientes.