Që punësimet në administratën shtetërore janë një skandal i vërtetë, kjo dihej.
Por gazeta Tema ka arritur të fiksojë një moment gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit, ku Ministri i Mjedisit bën sekserin për të punësuar njerëz në shtet.
Skandali i rëndë tregon se si është katandisur qeverisja e vendit, që u ndëshkua rëndë me votë më 23 qershor.
Në celularin e Mediut vjen një mesazh me një rekomandim për një punësim. Në mesazh lexohet: “Sebastjana Beshiri, Fakulteti i Mjekësisë, dega shëndet publik, e diplomuar në vitin 2011. Faleminderit dhe respekte”.
Dhe kreu republikan i bën forward këtij mesazhi për tek Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova.
“Halim, është njeriu im në Elbasan, shiko të ma punësosh,” shkruan Mediu në mesazhin që i dërgohet Ministrit të Shëndetësisë.
Nuk thuhet asnjë fjalë nëse kjo vajzë që kërkon të punësohet ka ndonjë mesatare të mirë, që të meritojë këtë vend pune, por thjesht është një njeri i tij, që duhet të punësohet.
Tani pyetja lind se sa njerëz ka punësuar qeveria “Berisha” në këtë mënyrë, duke nisur nga rrethi i tij i ngushtë familjar.
Nga ana tjetër, kryeministri Sali Berisha u shfaq në mbledhjen e Këshillit të Rregullimit të Territorit, më i qeshur se në ditët e shkuara.
Megjithatë gjatë prezantimit të projekteve, ai nuk e kishte mendjen, duke aprovuar të gjitha projektet, madje me lavdërime nga pas.
Gjatë gjithë kohës ai komunikonte në celular.
Madje jo vetëm ai, por edhe ministra të tjerë. Në një moment TemA TV fiksoi mesazhet që Mediu po shkëmbente, duke luajtur rolin që mendohej se e luante vetëm kategoria e Mulit.