Kryetarin e zgjodhën, po më pas?

23 Korrik 2013, 17:34Blog TEMA

Nga Altin Ketro

 

Sokol Olldashi humbi në një mënyrë që besoj as vetë s’e kishte imagjinuar për nga përmasat që ajo prodhoi. Olldashi i takon brezit të vjetër të demokratëve (pavarësisht moshës) dhe si i tillë emri i tij në strukturat lokale të PD-së presupozohej të qe më i fortë se sa 20 për qind. Olldashi korri humbje jo vetëm në Tiranën që dikur e ka pas drejtuar, por edhe në qarkun që e drejtoi për dy palë zgjedhje parlamentare.

Olldashi pranoi t’i hyjë një gare në kondita të disfavorshme për të. Rreziku i parë qe se kishte vetë Berishën kundër. Dhe po e pate atë kundër, gjithë të tjerat janë derivat i saj.

Faktet nga votimi i të hënës treguan se PD-ja është një strukturë e çorientuar, që as anëtarësinë e saj nuk e ka të evidentuar saktë. Dhe nuk bëhej fjalë për ndonjë syresh që ishte anëtarësuar i detyruar në prag të 23 qershorit, por mungonin emra që militonin në parti këtu e 20 vjet më parë.

Justifikimi që po nxjerrin është se shumë demokratë kanë lëvizur nga njëri qark në tjetrin!!! Listat janë ABC-ja e çdo procesi zgjedhor dhe asgjë nuk e justifikon problematikën me to, përveç papërgjeshmërisë së atyre që janë mësuar të bëjnë zgjedhje brenda radhëve ashtu sikundër i kanë bërë edhe zgjedhjet elektorale për popullin.

Padyshim që kupola demokrate ka qenë në dijeni të këtij problemi, pa zgjedhjen e të cilit, as që mund të nisej një proces zgjedhor. Kandidati Olldashi thotë që s’e ka ditur këtë problem dhe me këtë rast i kërkoi falje atyre mijëra demokratëve që s’patën mundësinë të votojnë. Një kandidat që nuk është në dijeni të listave, që nuk pyetet nëse është dakord me përmbajtjen e fletës së votimit (ishte e matrikulluar), që i ndalohet të ketë në krah personalitete të PD-së si mbështetje politike, sigurisht që s’ka asnjë shans që të pretendojë fitoren.

Pas fitores së Bashës, Olldashi pranoi se zgjedhja e tij ka qenë e deformuar dhe si pikënisje mori çështjen e listave, presionin mbi mbështetësit, etj. Kjo deklaratë bie ndesh me atë çka artikuloi Berisha që theksoi se të dy kandidatëve iu krijuan kushte të barabarta. Padyshim që kjo formë e tërthortë e goditjes së Olldashit, s’do mund të kalojë pa pasoja.

Në fillim të garës Basha ka patur në projekt që të ndjekë modelin amerikan të përballjes Obama- Clinton, pra që do zgjidhte Olldashin si zëvendësin e tij. Sipas statutit të PD-së, nënkryetari i PD-së është automatikisht edhe kryetar i grupit parlamentar.

Tashmë, me vënien në dyshim nga Olldashi të një fitoreje të pastër prej Bashës, atij i vështirësohen shanset për të qenë nr.2 i partisë. Por, pavarësisht se vetë Olldashi bëri thirrje për bashkim të demokratëve, nuk është e vështirë të shihet se hendeku mund të thellohet nëse vetë kryetari Basha nuk merr hapa përbashkues për ato rryma që iu shfaqën kundër në këto zgjedhje. Sigurisht, dhe me bekimin e Berishës.

Një nga këto hapa përbashkues mundet të jetë afrimi i Olldashit si numri 2 i partisë dhe njëherësh kryetar i grupit. Por, problemi, qoftë i Olldashit, qoftë i dikujt tjetër që do e ketë atë rol, do të jetë tejet i vështirë, duke pasur parasysh që në Kuvend është vetë Sali Berisha.

Në mungesë të kryetarit Basha, që luftën politike do e bëjë nga selia e PD-së apo e Bashkisë, çdo emër që do drejtojë grupin e PD-së në Kuvend do të jetë në pozitë inferiore sa herë të ketë përballje të forta pozitë- opozitë.

Është e kotë të mendosh që opozitën e fortë në Kuvend do ta bëjë Olldashi, Bregu a kushdo emër tjetër. Cili prej tyre do guxonte të ngrihej nëse Berisha do ketë diçka për të thënë?

Ashtu siç Basha nuk ka për t’u marrë kurrë seriozisht si kryetar i PD-së sa kohë Berisha ka rol aktiv, ashtu edhe kryetari i grupit parlamentar s’do mundet dot të dalë mbi ujë sa kohë do ketë në krah Sali Berishën.

Në këto kushte, kushdo që e pretendon atë rol, duhet të marrë përsipër edhe koston publike të identifikimit të emrit dhe personalitetit të tij me atë të Berishës. Basha e ka pranuar këtë rol dhe ia doli ta marrë partinë. Atij s’i vjen turp pse ia vënë vazhdimisht në dukje, bile duket se ndjehet krenar.

Nëse ka edhe të tjerë që do ndjehen “krenarë” si Basha, e kanë të hapur rrugën për t’u përdorur si kukulla në Kuvend. Nëse s’do duan që të bëhen gazi i publikut, më e ndershme do qe që ta lënë vetë Berishën ta luaj atë rol që di ta bëjë më mirë, kryetarin e gjithçkaje.

1 komente në “Kryetarin e zgjodhën, po më pas?”

  1. REA says:

    shume shpejt olldelja do ndahet nga tufa…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje