Mbi ngrehinat e skamjes!

20 Korrik 2013, 18:39Blog TEMA

Nga Dionis Xhafa

 

Bulqiza është qyteti minator më i rëndësishëm në Shqipëri, që ka pasur jetë mbi e nën dhè këtu e gjashtëdhjetë vjet më parë.

Këto kohë i është dëgjuar ulërima e një heshtjeje të gjatë. Është ulërima e njerëzve të qetë, e njerëzve punëtorë, që zë fill në galeritë e harruara dhe dëgjohet në valët e radiove, shihet në ekranet e televizioneve e mbush faqet e gazetave.

E s’ka si të ishte ndryshe. Kjo është jehona e sakrificës, e djersës, e gjakut, e bukës së fëmijëve.

Çdo minator mund ta pyesë veten: E ç’shekull i shanseve të barabarta është ky, ku djersa pihet, ku gjaku shtypet, ku njeriu e shtrydh njeriun dhe e shndërron në kafshë pune?

E ç’shekull i qytetërimit është ky, ku puna është skllavëri e bëhet me mjete tejet primitive, sikur ora e botës të mos ketë shkelur në këtë qytet?

Nuk mjaftojnë më një palë kominoshe pune, një kapelë e një lopatë…

Të ther në shpirt ai vështrim nga qielli

me shpresën se sytë do e shohin dhe nesër dritën e diellit. Vdekja nuk është më fjalë e huaj për këta heronj të nëntokës. Ata jetojnë me të, çohen e bien me të, madje ia kanë dëgjuar dhe zërin e kobshëm.

Për çdo ditë e kanë mbi krye që në agun e mëngjesit e gjer në errësirën e natës.

Pavarësisht gjithçkaje, shpirti i tyre nuk përkulet, këmbët në s’iu mbajtshin, hekur i bëjnë; duart në s’iu këputshin, gur i bëjnë.

Punojnë ku të munden, jashtë e brenda minierës, në shi e acar, pa kurrfarë kontrate. Ky është ligji i pashkruar i kapitalizmit të tejskajshëm.

Ligji nënshtrohet nga paraja, shteti bie në gjunjë para fuqisë kapitale e predominuese nga shtetet e zhvilluara evropiane. Kapitalisti i huaj është pronar në vendin tonë. Shfrytëzon brishtësinë financiare të shtetit e luan me shtetasit e tij.  Por, i gjithë ky mjerim, vrer, shtypje e kanosje pa fund, vjen një ditë e shpërthen. Njeriu ngrihet mbi veten, ri

lind për një të ardhme më të shndritshme, për një mirëqenie ekonomike, njësoj si mbinjeriu i Niçes.

I tërë ky akumulim i ndjesisë së inferioritetit, e kthen shpirtin si një hambar të mbushur plot poshtërim e robëri. Dhe pikërisht, me këtë “forcë të heshtjes”, të kanosur pa shtypje, por të rrënjosur thellë në zemër, po dhe duhet të ngrihen minatorët e Bulqizës.

Por që fatkeqësisht, edhe me këtë forcë, më e fortë se forca vetë, minatorët mbeten sërish të dobët, përderisa Shqipëria ende përpëlitet nga gjendja jo fort e mirë ekonomike.

Më konkretisht, zinxhiri ACR – shtet – minator, unë mendoj se ka hallkë të dobët shtetin, pasi ai është i vënë nën presion nga të dyja palët.

Rruga e paqtë është veçse administrimi i minierës nga një firmë vendase.

Mirëpo, që miniera e Bulqizës të administrohet nga një firmë shqiptare, duhet një shtet i fuqishëm financiar.

Përderisa kjo premisë nuk ekziston, konkluzioni është i vështirë të parashikohet. Shpresoj që kjo “forcë e heshtjes” të mos jetë vetëshkatërruese, qoftë për minatorët, qoftë për shtetin.

Dua me gjak e zemër që Bulqiza të jetë e bulqizakëve dhe jo më qyteti i pasur me njerëz të varfër. Që të mos ngrihet më pasuria e dikujt mbi ngrehinat e skamjes së tjetërkujt!

1 komente në “Mbi ngrehinat e skamjes!”

  1. majakovski says:

    Keni shkruar shume bukur dhe shume sakte.Kjo eshte nje thirrje!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje