“Luftë” me zvarranikët

22 Korrik 2013, 18:16Blog TEMA

Nga Arbana Xharra

 

Nuk janë vetëm ata zvarranikë që po iu futen përmes mureve të çara të shtëpisë, që dita- ditës mund t’iu shemben mbi kokë. Një fshat i tërë po ballafaqohet me frikën edhe nga një lloj tjetër Zvarranikësh Blu, të cilët sillen vërdallë pa u penguar nga askush.

Pamjet e jetëve çnjerëzore që janë duke bërë familjet në Karaçevë në brezin kufitar me Serbinë janë duke ndodhur në shtetin, ku politikanët e saj kanë shkëputur lidhjen me realitetin.

Këta banorë janë në Kosovën e 14 vjet pas luftës, të cilët hyjnë në natë e dalin në ditë në shtëpi me dysheme prej dheu në varfëri të skajshme, e të cilëve sa herë politika iu kërkon votën ata dalin për ta dhënë, me shpresë se do të presin ditë më të mira!

Po këta banorë vazhdojnë të mbesin të braktisur nga pushteti, të lënë të jetojnë jo vetëm me zvarranikët që hyjnë e dalin përmes mureve, por të mbijetojnë nën frikën e trysninë nga “Zvarranikët e armatosur” që sa herë duan hyjnë e dalin në territorin e Kosovës pa u penguar nga askush.

Këta 3200 banorët të cilët po jetojnë nën tytat e xhandarmërisë serbe, për pushtetin e Kosovës janë një “mëhallë” tek e cila nuk po iu bie rruga as për të kaluar.

E kjo “mëhallë” e harruar jo vetëm që e ka zor të mbijetojë financiarisht, por tashmë e lodhur nga frika e “zvarranikëve blu” kanë nisur të mendojnë për t’u shpërngulur nga aty.

Pesë vjet nga shpallja shtet i pavarur, banorët e kësaj ane jetojnë nën frikën nga prania e xhandarmërisë serbe, në shtetin ku zyrtarët e saj nuk e marrin mundin t’i vizitojnë për të parë jetesën nën gërmadhat që dita ditës mund t’i zënë përfundi.

Në mëshirën e askujt por duke besuar se dikush një ditë do t’ua zgjatë dorën, ata në hyrje të fshatit kanë vendosur flamurin shtetëror, kombëtar, të NATO-së, SHBA-ve dhe të Britanisë së Madhe, por as ky mesazh i cili është besuar se do t’u jap kurajë banorëve se “dikush i ruan” nuk po duket të ketë sjellë efekt. Pasi këta flamuj nuk janë me garanci për këtë zonë të Kosovës. Të fokusuar në politikat ditore dhe biznesin e tenderëve publikë, është harruar se këta mbi tre mijë banorë janë një fakt që dëshmon brishtësinë territoriale të vendit.

Ata kanë kufizuar lëvizjen e lirë prej kohësh për shkak të frikës se mund të përballen me xhandarmërinë serbe në çdo çast. Këta banorë ende besojnë se Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, nuk mund të ndodhë derisa “zvarranikët blu” hyjnë e dalin kur t’ua dojë qejfi. Por, si duket ende nuk e kanë mësuar një lajm, se pak kilometra larg tyre po rritet një lloj tjetër zvarranikësh, të cilët bëjnë çfarëdo pazaresh për të shijuar fuqinë e pushtetit.

Këta zvarranikë institucionalë mund t’iu hipin veturave të tyre të zeza e të veshur e pispillosur së paku për një pasdite të nuhasin erën e skamjes. Të shohin me sy banorët e asaj ane dhe t’iu lëshojnë një sy matanë bregut Zvarranikëve blu të pozicionuar në territorin e Kosovës.

6 komente në ““Luftë” me zvarranikët”

  1. valter says:

    Bravo Arbana, por fatkeqesisht ashtu si edhe nga ana jone edhe tek ju ska shtet!

  2. mirel says:

    Realitet i hidhur ky Albana, por c’mund te behet nese nuk leviz i gjithe populli i Kosoves, qe po vihet nen thundren e zvarranikeve.
    Duhet nje perfshirje e pergjithshme dhe te detyrohet qeveria tradhetare e Kosoves te investoje financiarisht ne ate zone.
    Kjo behet me kerkesen e perditshme te popullit perpara qeverise

  3. Lira says:

    Zonja Albana, jeni nder gazetaret me te mira qe kemi sot. Ju uroj me gjithe shpirt suksese te metejshme.

  4. plaku says:

    Me vjen me te vertete shume keq per kosovaret qe, jetojne ne kete fshat. Nuk di se cfare te them, fjalet e shumta jane fukarallek. Mjere atij qe, i bie ne hise te beje kete jete. Me vjen keq, qe pervec keqardhjes nuk them gje tjeter, sepse jam nje shqiptar i thjeshte pa pushtet dhe leke per te ndihmuar keta kosovare.E urrej fjaline : Zoti ju dhente fat ketyre fshatareve kosovare.

  5. Violeta says:

    Motër Arbana:
    “Kush mendon, vuan”, thotë një aforizëm. Unë i lexoj rregullisht shkrimet tuaja dhe e ndiej vuajtjen tuaj, se është edhe e imja. Ky qe fati ynë i dhimbshëm, në të dy anët e kufirit të imponuar. Dikur ishin Fuqitë e Mëdha që ia bënë hapur të keqen Kombit tonë, duke e copëtuar atë. Sot janë vetë politikanët shqiptarë (?) që po ia bëjnë të zezën popullit e vendit të tyre në të dy anët e kufirit, për hir të karrierës sê tyre vrastare dhe për t’i shpëtuar dënimit të merituar për shkak të dosjeve të bëmave të tyre kriminale, që të Mëdhenjtë ua ruajnë në kasafortë dhe ua kujtojnë nganjëhere gjatë bisedave kokë më kokë. Këta nuk mund të quhen më politikanë të Kosovës apo të Shqipërisë, por robotë varrmihës të popullit të tyre

  6. alban4eva says:

    per fat te keq, shteti i Kosoves nuk mund te jete ndryshe nga ai albanistanez, ne shqipot kemi alergji nga berja e shtetit..!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje