Përdorim sistematik dopingu në Republikën Federale të Gjermanisë

6 Gusht 2013, 18:27Sport TEMA

Sipas Süddeutsche Zeitung, që i referohet një studimi të Universitetit Humboldt, jo vetëm në ish-Republikën Demokratike Gjermane, por dhe në Republikën Federale të Gjermanisë, sportistëve u është dhënë sistematikisht doping

Nga Olivia Fritz, DW

 

Studimi ende i papublikuar i Universitetit Humboldt në Berlin “Dopingu në Gjermani nga viti 1950 deri sot”, i cili përfshin mbi 800 faqe, zbulon shumë detaje dhe të dhëna anësore rreth përdorimit sistematik të dopingut në Gjermaninë Perëndimore.

“Në Republikën Federale të Gjermanisë atletëve u është dhënë sistematikisht dhe në mënyrë të organizuar doping të paktën që nga fillimi i viteve shtatëdhjetë”, shkruan Süddeutsche Zeitung, duke iu referuar studimit.

Në studim nuk përshkruhet vetëm se deri në çfarë mase dhe me çfarë skeme është dhënë doping dhe janë bërë studime rreth efekteve të dopingut, por edhe se si ka qenë politika e përzier në këtë sistem.

Kështu qeveria e Gjermanisë Perëndimore ka financuar studime për efektin e dopingut jo si një reagim ndaj përdorimit të dopingut me urdhër nga lart prej sportistëve të Republikës Demokratike Gjermane, por paralelisht me të. Megjithatë, nuk ka dëshmi për manipulim të qëllimshëm të rezultateve sportive për shkak të substancave të ndaluara nga ana e sportistëve gjermano-perëndimorë.

 

Teste të gjera me substancat dopingu

Anëtarët e qeverisë federale gjermane u kanë ushtruar përpara Lojërave Olimpike të vitit 1972 në Mynih presion mjekëve të ekipeve sportive që këta t’u jepnin sportistëve substanca stimuluese për të përmirësuar bilancin e medaljeve. Gazeta Süddeutsche Zeitung shkruan se janë zhvilluar teste të shumta me droga të ndryshme të tilla si steroidë, anabolikë, testosteron, estrogjen si dhe me dopingun e gjakut Epo. Në rast se gjatë testeve do të kishte rezultuar se këto substanca do të çonin në rritjen e rezultateve sportive, ekspertët do t’ua kishin dhënë këto substanca stimuluese sportistëve pavarësisht prej rreziqeve të mundshme për shëndetin.

Të dhënat për kostot dhe shkallën e saktë të përdorimit të substancave stimuluese janë të paqarta. Megjithatë, përdorim droge ka pasur në sporte të ndryshme, nga atletika deri tek futbolli. Edhe lojtarët e ekipeve që morën pjesë në Kampionatet Botërorë të viteve 1954, 1966 dhe 1974 kanë marr doping. Madje edhe të miturit kanë qenë të droguar.

 

Ende i pabotuar

Raporti përfundimtar i studimit të iniciuar në vitin 2008 nga Federata Olimpike Gjermane DOSB ende nuk është botuar. Instituti Federal për Sportin BISp dhe DOSB dhanë si arsye problemin e privatësisë. Presidenti i DOSB-së Thomas Bach u shpreh i kujdesshëm: “Unë e kam iniciuar në vitin 2008 studimin në mënyrë që të sqarohet edhe e kaluara e dopingut në sportin gjermano-perëndimor. Ne do t’i analizojë rezultatet e studimit rreth dopingut në Gjermani dhe në rast se do të jetë e nevojshme do të marrim masat e duhura”.

Studiuesit përmendin në studim emra mjekësh që pjesërisht nuk kanë dalë ende në pension, zyrtarësh, politikanësh dhe atletësh. Në rast se studimi botohet kjo mund të çojë në ngritje padish nga ata e tyre.

Për këtë arsye shkencëtarët kërkojnë nga punëdhënësi i tyre mbrojtje ligjore, por kjo deri tani u është refuzuar. Rezultatet e para të studimit historik ishin bërë të njohura para rreth dy vjetësh. Në atë kohë ishin zbuluar raste studimesh të financuara nga shteti për substanca anabolike.

2 komente në “Përdorim sistematik dopingu në Republikën Federale të Gjermanisë”

  1. ne shkrim ne fillim thuhet se historia e dopingut ka filluar ne gjermani ne vitet 50 dhe me pas jepet pasajtesisht vitet 70,ne fakt ne nje shkrim qe lexova para disa ditesh ne nje media te huaj thuhet qe ne vitet 50 dhe kombetarja e gjermane federale e 1954 dhe 1966 ishin te dopuara,nqs se hetimet do shtrihen der ne fund ateher ka shume mundesi qe shteti gjerman ti denoje rreptesisht abuzuesit megjithse ne ate kohe ishin vete strukurat shteterore qe i lejuan keto fenomene
    nderkohe qe gjithnje eshte trumbetuar se dopingun e benin gjermano lindoret,ruset dhe me vone e deri me sot kinezet ose komunistet dmth

    1. Neorealizmi says:

      Ta kenë bërë gjermanet vallë? Tifozet e gjermaneve ketu kujtojne se adhurojne njerezit me te padjallezuar, por hipokrizia eshte nje nga tiparet e njeriut te ri gjerman. Ata bejne punen e tyre, por nuk mund te duroj keta tonet qe si kali me veshoret qe shikon vetem ne nje drejtim, besojne verberisht duke lidhur sukseset ne fusha te tjera me nevojen per te konkuruar kudo si popull udheheqes ne bote.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje