Targat KO dhe KU

5 Gusht 2013, 19:02Sport TEMA

Sukseset “e vogla”, por kuptimplote të dy ekipeve shqiptare në kupat e Europës. Cilat janë sekretet e Korçës dhe Kukësit. Arritje që nuk zbehen, sido që të shkojë kjo fazë eliminatore.

Nga Bledar Kuka*

 

Milani mund të pësojë pesë gola në vetëm 36 minuta lojë ndaj Mançester Sitit. Edhe pse në një ndeshje vere për një kupë jo nga ato të lavdishme në Mynih. E pra, edhe Skënderbeu i Korçës mund t’i pësojë 3 gola në 90 minuta (plus disa minuta shtesë) në fushën e Shahterit kazakistanas në Ligën e Kampionëve. Sado e rëndë që të duket, një disfatë e korçarëve apo edhe e Kukësit nuk mund të hedhin asnjë thërrime hije mbi një bëmë të madhe të cilën futbolli i Shqipërisë e priste prej 26 vjetësh.

Që kur Flamurtari kaloi radhazi Partizanin e Beogradit dhe Vizmut të Auesë në Kupën UEFA për t’u rrëzuar më pas nga Barcelona e madhe, asnjë skuadër e këtij vendi nuk ia kishte dalë të kalonte dy ture radhazi.

Kësaj ia mbërriti Kukësi. Që nga korriku i vitit 2005, asnjë skuadër shqiptare nuk ia kishte dalë të kalonte një tur eleminator në Champions. Për herë të fundit qe Tirana me suksesin ndaj Nova Goricës sllovene (0-2, 3-0). Tashmë, Skënderbeu e bëri.

Sipas formulës së re të Mishel Platinisë për Ligën e Kampionëve, skuadra korçare ka të garantuar pjesëmarrje në Europë deri në fund të gushtit. Eliminimi nga turi i tretë të përcjell për në plej ofin e Europa League-s dhe që aty, nëse ke sukses, arrin në fazën e grupeve.

Deri në fund të gushtit, korçarët kanë fituar të paktën 700.000 euro, do të thotë një buxhet i plotë sezonal (apo edhe më shumë) duke kaluar vetëm një tur, atë të dytin në Champions ndaj Nefçit. Nëse ëndrra do të vazhdojë, pra kampionia e Shqipërisë do të arrijë në fazën e grupeve në Ligën e Europës, ajo do të fitojë minimalisht 1.3 milionë euro të tjera, ndërsa çdo barazim në grupe vlen 100.000 euro dhe çdo fitore 200.000. Të shohim nëse Skënderbeu do të arrijë ta bëjë edhe këtë.

Përtej çoroditjes dhe hutimit që të sjellin këto shifra (që gjithsesi janë të vërteta), ka diçka tjetër në themel të suksesit të Skënderbeut dhe Kukësit (kuksianët kanë fituar deri tani 300.000 euro në Europa League). Në Korçë, fillesa është në janar të vitit 2010 kur një projekt qeveritar me synime elektorale afroi në klubin e futbollit disa biznesmenë të fuqishëm. Njeriu që përfaqësoi të tjerët mediatikisht ishte Agim Zeqo, ai që kishte dhe ka ekskluzivitetin e Red Bullit në Shqipëri. Skuadra shpëtoi nga rënia për në Kategorinë e Parë me mënyra jo gjithnjë të pastra dhe fisnike, ndërsa në verën pasardhëse nisën investimet. Trajner u caktua Shkëlqim Muça. Sezoni i parë me pretendime ishte ai që pati më shumë dyshime për shkallën e suksesit të korçarëve, për aleancat dhe pazaret dhe për paqëndrueshmërinë ndaj trajnerit.

Megjithatë, me ardhjen e trajnerit të ri, Shpëtim Duro, gjërat nisën të qetësoheshin. Skuadra dalë nga dalë mori fytyrën e saj dhe nisi të luante më mirë. Sezonin pasardhës, tashmë kampionë, në vend të Duros erdhi Stanislav Levi dhe trajneri çek doli edhe ai kampion dhe realizoi një fitore të bukur në Champions ndaj Debrecenit hungarez, 1-0 në Korçë, por me një futboll tepër superior.

Eliminimi pas humbjes 0-3 në Hungari dhe largimi i Agim Zeqos u duk se do të sillnin rrënimin pasi Partia Demokratike i humbi rëndë zgjedhjet lokale në Korçë. Por, nuk ndodhi ashtu. Presidenti i ri Ardian Takaj dhe financuesit e tjerë, të mbështetur në prapavijë edhe nga Zeqo, por vazhdimisht nga ministri i Financave, Ridvan Bode, një devolli, vazhduan me të njëjtën mënyrë si më parë. Titulli u fitua sërish madje gjithçka u bë formale që pas fazës së parë dhe trajneri Mirel Josa (Levi iku menjëherë pas ikjes së Zeqos) nuk u ngacmua në punën e tij. Korrektesa financiare me lojtarët ishte shembullore dhe drejtuesit nuk ndërhynë për asnjë çast, si edhe gjatë kohës së Zeqos, në blerjet e lojtarëve, në bërjen e formacionit dhe në skemat e lojës.

Historia e Kukësit është ndoshta paksa më e vonë, por besohet më shumë spektakolare. Në 2010-2011, Kukësi kaloi nga Kategoria e Dytë në të Parën. Në 2011-2012, Kukësi u kualifikua për në Superligë. Në 2012-2013, Kukësi doli nënkampion, arriti gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe u kualifikua për në kupat e Europës për herë të parë në histori.

Rrallë ndonjë skuadër në historinë e futbollit mund të ketë realizuar një shpërthim të tillë. Presidenti Gjici e di se ka pasur kostot e tij. Tre futbollistë të Kukësit sezonin e kaluar paguheshin nga 50.000 euro secili për një vit, ndonëse presidenti thoshte se ishte i detyruar ta bënte këtë për arsye konkurrence, jo sepse ata lojtarë vlenin aq.

Edhe te kuksianët korrektesa ishte në maksimum, ndërsa përsa i përket respektit për trajnerin, u desh pak kohë. Vetë Gjici pohon se pas 5 javëve të para të kampionatit të kaluar ishte gati ta shkarkonte trajnerin Armando Cungu, pasi skuadra mori 5 barazime radhazi.

Presidenti ishte i pakënaqur pasi i dukej sikur investimet e tij nuk po jepnin rezultatin e duhur. Ndërhyri drejtori teknik Sulejman Starova, i cili e këshilloi miqësisht bosin e klubit që të priste. Ne do të luajmë mirë dhe do të nisim të bindim vetëm në nëntor, tha Starova, kaq kohë i duhet skuadrës që të formohet. Gjici nuk e shkarkoi dhe sot Cungu është trajneri i parë i një skuadre shqiptare që nga Leonidha Çurri që kalon dy ture në kupat e Europës. Më parë, Florën e Talinit (1-1 në Estoni, 0-0 në Tiranë) dhe më pas Sarajevon me shumë më tepër traditë pas fitores 3-2 në “Qemal Stafa” dhe barazimit 0-0 në Bosnjë-Hercegovinë.

Armando Cungu është një nga ato mrekulli të futbollit që ngjajnë me “ëndrrën amerikane”. Njëlloj sikur ndonjë emigrant i varfër shkonte dikur nga Europa për t’u bërë milioner në SHBA. Vllaznia nuk i besoi në verën e 2012-ës dhe nuk mund t’i vihet aq shumë faj. Cungu nuk kishte asnjë përvojë trajningu me skuadrat e para dhe Vllaznia mbetej e mbetet një emër i madh. Cungu është shembulli sesi trajneri rritet bashkë me moshën e tij, duke punuar. Aq më tepër kur në krah ka një drejtor teknik si Starova. Ish-trajner i Partizanit kampion për herë të fundit më 1993, trajner në kupat e Europës. Shef klubi i Partizanit. Sekretar i Përgjithshëm (i zgjedhur, jo i emëruar) i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), më pas trajner i suksesshëm tek Tirana, i fundit që kaloi një tur në Champions para Josës. Pastaj, drejtor teknik tek Tirana dhe tek Teuta sezonin e kaluar.

Po ashtu, shembull suksesi dhe rritjeje edhe Mirel Josa i Skënderbeut që ka fituar kaq shumë përvojë që prej debutimit si zv. trajner i kombëtares në 2002 dhe si trajner i Tiranës në 2003, për të kaluar një skuadër bjelloruse si Gomelin në Champions në 2004 dhe për të qenë pranë mrekullisë ndaj Ferencvaroshit hungarez.

E qartë është se asnjë skuadër shqiptare ende nuk është gati për të synuar dhe hyrë në fazën e grupeve në Champions. Për momentin, thjesht mund të ngjeshim fytyrën pas xhamit të vitrinës së shkëlqyer duke na lëshuar goja lëng, po aq sa personazheve të Migjenit që vuanin për “Mollën e Ndalueme”.

Jo pa shkak. Nëse Skënderbeu do t’ia kishte dalë të mbërrinte në fazën e grupeve, do të kishte fituar minimalisht 8.6 milionë euro edhe sikur t’i kishte humbur të 6 ndeshjet, madje duke pësuar një thes me gola. Nëse, pastaj, do të kishte arritur një barazim, do të ishte shpërblyer me 500.000 euro të tjera, nëse do të kishte arritur një fitore, do t’i jepnin 1 milionë. Me rezultate të barazpeshuara, ndoshta mund të arrinte në 1.5 apo 2 milionë euro që do t’i shtoheshin 8.6 milionëve të para. Pra, rreth 10 milionë apo më shumë. Për klubet shqiptare është ende një ëndërr, apo jo?

Veçse, nuk është e tillë për kampionen e Bjellorusisë, BATE-n e Borisovit, që arriti sezonin e kaluar të hynte në fazën e grupeve në Champions. Madje, BATE shkaktoi një tronditje në të gjithë botën kur në 2 tetor të vitit të kaluar dërrmoi 3-1 në fushën e vet Bajernin e lavdishëm të Mynihut, nënkampionen e asaj kohe dhe tashmë kampionen fuqiplotë të kontinentit.

BATE tregon se ka një sekret në suksesin sportiv. Skuadra bjelloruse financohet nga një uzinë e prodhimit të traktorëve dhe pjesëve të makinave. Uzina i ka dhënë edhe emrin BATE (inicialet e emrit të fabrikës), duke nisur që nga 1973-shi deri më 1981 dhe pastaj kur u rithemelua më 1996. Sekreti kryesor i suksesit nuk është thjesht një trajner, një financim disavjeçar. Sekreti qëndron tek fakti që presidenti i klubit, Anatoli Kapski, është njeriu që rithemeloi BATE-n më 1996 dhe vazhdon të jetë presidenti edhe sot.

Gjithçka e mirë kërkon jetëgjatësi që të imponojë seriozitet dhe standarde të larta. Klubi nuk merr trajnerë pa një kontratë 4-vjeçare dhe i mbetet besnik planeve të tyre, duke mos i shkarkuar për një pakënaqësi të momentit. Viktor Gonçarenko ishte vetëm 31 vjeç kur skuadra e tij kaloi tre ture në 2008-2009 për të arritur fazën e grupeve ku u ndodh në shoqërinë e Juventusit, Realit të Madridit dhe Zenitit, duke marrë 3 barazime.

Më pas, BATE arriti fazën e grupeve në 2011 (në grup me Barcelonën, Milanin dhe Plzenin) dhe në 2012. Vetëm një kualifikim në fazë grupesh mjaftonte që BATE të jetonte nja 10 vjet. I pyetur shumë vjet më vonë, pikërisht para sesa të ndeshej me Barcelonën e madhe të Mesit, Anatoli Kapski thoshte se “nëse nuk i vë vetes objektiva ambicioze, nuk mund të arrish tek suksesi”. Gazetarët e ngacmuan bosin bjellorus duke i thënë se çdo vit humbet lojtarë që blihen nga klube të tjerë. Kapski i ka idetë të qarta. Ai thotë se në bazë të punës së nisur më 1996 ishte akademia dhe pavarësisht shitjeve, gjysma e lojtarëve janë nga shkolla e vetë BATE-s.

E fundit, jo çdo para që fitohet në Champions investohet duke blerë apo duke paguar lojtarë. Një mësim që mund ta marrin edhe presidenti i Skënderbeut Ardian Takaj që premtoi 200.000 euro shpërblim për kualifikim për në turin e tretë dhe ai i Kukësit, Safet Gjici, që premtoi 100.000 euro për kalimin e Sarajevos (diçka që ndodhi). Ne, thotë Kapski, nuk do të bëjmë çmenduri. Ne kemi plane të zhvillojmë infrastrukturën. Nuk na duhen yje që t’i shohin lojtarët tanë me përbuzje.

BATE dhe Kapski mund të jenë edhe një mësim tjetër për Skënderbeun e Kukësin (nuk po flasim për ekipet e tjerë shqiptarë që, për momentin janë shumë më prapa): Dalja e parë në Europë e skuadrës bjelloruse më 1998 u shoqërua me disfatën 1-12 në dy ndeshje nga Lokomotiva e Moskës.

Por, Kapski nuk e vuri ujin në zjarr. Trajneri Juri Puntus nuk u largua në vitin 2004 kur vendosi të shkonte në një skuadër tjetër. Piketat bazë të planbiznesit të suksesshëm të Anatoli Kapskit janë: 1. Bëj një investim të fuqishëm fillestar. 2. Kombino strukturat e ekipit të parë me ato të ekipeve zinxhir. 3. Besoji trajnerit. 4. Përfshi njerëzit e komunitetit. 5. Mos u përfshi nga paniku. 6. Përfshi qeverisjen vendore. Bëhet, apo jo?

*Revista KLAN

9 komente në “Targat KO dhe KU”

  1. Horri i Bulevardit says:

    Do te me behej shume qejfi sikur Skenderbeu i Mirel Joses, te arrinte te thyente rezultatin, do te ishte nje bombe per futbollin europian, te shpresojme.
    Panvaresisht se kuksianet skane patur tradite ne futboll, perseri jam shume i lumtur qe nje skuader shqiptaret po thyen rekordin shqiptar ne ndeshjet e UEFA-s dhe ka shance shume te mira te vazhdoje te pakten edhe nje tur.

    1. Ndre Legisi via Facebook says:

      Ja pra te dashtun shoke, Kuksi nuk asht vetem FU
      http://imazheshqip.blogspot.com/2012/09/flamur-noka.html

    2. Fili says:

      Kukësi ka luajtur paster deri tani, po Skënderbeu e trukoi hapur ndeshjen e parë me kazaket. Fakti eshte qe te gjithe gazetaret sportive ketu jane bythelepires te presidenteve dhe nuk kane kellqe ti shkruajne hapur. Madje per Korçen ka edhe prova qe gazetaret i anashkaluan.
      FSHF-ja nuk leviz se Duka me Gimen jane ortake kudo dhe kane lene nje specialist bastesh di Takaj qe te menaxhoje situaten. U treguan driteshkurter se me fazen play-off te Championsit siguronin te pakten 7-8 mln euro (se bashku me grupet e Liges se Europes.

  2. picione says:

    Po shikoja ndeshjen e pare te Korces qe humbi 3:0, e pabesueshme. Gola idioteske, mjafton te shihet goli I trete ku mbrojtesi jone nga anesorja e hodhi topin para zones tone ne kembet e kazakut. Edhe ne ndeshjet qe lozim per qef nuk luhet me aq mungese impenjimi, ekip amator.

  3. Parrucjani says:

    Dhe ne keto dy suksekse te medha per futbollin tone , gazete ne vazhden e saj kuder ish padronit , kerkon ta politizoje , turpshme .

  4. Nostalgji sportive says:

    Aritjet e Skenderbeut dhe Kuksit,jane frymezuese ne futbollin shqiptar.
    Koha do te mos merremi me historikun e skuadrave tona.
    Duhet te gjejme, cila eshte pika e dobet e ekipeve tona.
    Pa frik do thesha,drejtoret teknik dhe menaxheret.
    Per te aritur kete sukses,keto sk. futbolli nuk kane investuar me shume se 1 miljon $.
    Per te hyre ne fazen konkuruesi, në fazën e grupeve në Champions,me nje investim prej 5 miljon $,per blerjet,do siguronin nje fitim prej 10 miljon $.
    Ne kete pike ka munguar fantazia dhe profesionalizmi i Drejtorve teknik dhe menaxherve,per te bindur Presidentet e klubeve drejt suksesit.
    Pa rezikuar ne bisnes nuk ka sukses !

    1. Albi says:

      Cfare thu mo daku,çfare jane keto idiotlleqe!
      E para!Mbas kesaj ndeshje ka edhe nje turn tjeter eliminator,dhe pastaj fillon faza e grupeve.
      E dyta!Nese futesh ne fazen e grupeve,ne arkat e klubit hyjne rreth 20 milion euro.
      E treta!Sa do qe mund te shpenzojne skuadrat shqiptare,qoft 1 apo 5 milion euro,eshte pothuajse e pamundur te hyjne ne fazen e grupeve…sepse ne turin tjeter hyjne ne gare skuadra si Milani,Arsenali,PSV,Zenit,Fenerbahce…….qe shpenzojne dhe fitojne 50-60-fishin e Skenderbeut apo çfaredolloj skuadre tjeter nga Shqiperia.
      E katerta!Cfare lojtarsh mund te bleje nje skuader nga Shqiperia qe rrisin nivelin ndjeshem?Pa harruar qe ato 5$ milion dollar qe thua ti,te Milani i merr vetem Balotelli rroge ne nje vit!

  5. Genti says:

    Ti Nostalgjia e ke mire , por problemi qendron qe ne Shqiperi nuk ka asnje stadium ku mund te luajne ekipet nqs hyjne ne grupe , megjithese kemi me qindra kanale tv asnjera prej tyre nuk paguan per te drejtat televizive . Atehere menyra me e mire per te fituar ndonje gje eshte ndonje shitje apo leshim ndaj ekipeve kundershtare . Futbolli pasqyron nivelin ekonomik dhe kulturor te vendit ………..megjithate keto qe kane bere KO dhe KU jane per tu lavderuar dhe patur zili , ne keto kushte te tilla dhe me pak fat ju kane dhuruar qyteteve te tyre dhe spordashesve emocione te forta .

  6. Gezimi says:

    A do e transmetoje TVSH kete ndeshje, apo do vazhdoje avazin e programeve pa asnje interes?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje