Vendimi i Etrit Berishës për të refuzuar kontratën me Kievon, dhe për të firmosur me Lacion e Igli Tares, vazhdon të krijojë diskutime në mediat italiane, dhe për të folur për këtë çështje në mikrofonat e Sportitalia ka ndërhyrë drejtori sportiv i Kievos Xhiovani Sartori.
Berisha mendohet se do të grumbullohet nga Lacio për ndeshjen ndaj ‘rivalëve’ të Kievos që zhvillohet të dielën në Romë, por Kievo vazhdon të insistojë se lojtari i takon atyre dhe nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga pretendimet. “Avokatët tanë do të vazhdojnë punën e tyre. Na vjen keq nga aspekti human sepse lojtari kishte firmosur me ne, më pas për pak para ka ndryshuar ide dhe ka vendosur të shkojë te Lacio. Ne do të ecim gjithsesi përpara, me apo pa Berishën”, ka përfunduar Xhiovani Sartori.
Pritet të kuptohet më shumë në mbrëmje, nëse do të jetë apo jo Berisha në listën e të grumbulluarve të Vladimir Petkoviç për ndeshjen e të dielës në orën 15:00 në Olimpiko.