1./Nga Frashëri një letër për teta ministren
Teta Lindita, unë nuk e dija që sot fillonte shkolla.
Kur qengji im manar erdhi më lëpiu te fytyra siç bën çdo mëngjes, mendova se ishte trembur nga rrufetë që po zverdhnin qiellin e fshatit e donte të shtrihej pranë meje. Pastaj si nëpër ëndërr dëgjova zërin e babit që më thoshte se nuk do punoja. Unë kam dy javë që po ndihmoj edhe në vjeljen e rrushit, edhe në ndezjen e zjarrit për kazanin e rakisë. Uuuuu, më fal se harrova që nuk të tregova kush jam.
Emri im është Alfred dhe jam 12 vjeç.
Unë jetoj në fshatin Frashër të Përmetit dhe kisha harruar fare që sot fillonte shkolla. Babi ma kujtoi se e kishte shënuar te kalendari që kemi varur te oborri i shtëpisë. Librat nuk m’i kanë sjellë ende se vëllai që kemi në Greqi do na dërgojë ca euro muajin tjetër dhe unë atëherë do i blej. Për vëllain më ka marrë malli se vetëm dy herë kam folur në celular. Ne kemi një telefon në shtëpi ngjyrë blu, dhe unë sa herë e shikoj sipër televizorit, më vjen për të qeshur. Më kujtohet mësuesi që kemi te shkolla e fshatit, sepse edhe telefoni edhe mësuesi kanë të njëjtin emër, mësues Nokia, telefon Nokia. Me vëllain fola kur mami me babin u ngjitën te ajo kodra e lartë përballë shtëpisë tonë sepse vetëm atje më thanë që kap vala. Por edhe një herë vjet në dimër kur më doli vëllai në ëndërr, unë morra telefonin fshehurazi dhe u ngjita te kodra por nuk fola dot se ishte ftohtë dhe bora binte shumë e donte të më mbulonte të tërin sikur mua nuk më njihte nga isha.
Këtu në Frashërin tonë jemi vetëm 6 shtëpi dhe 23 banorë. Një shtëpi është bosh fare dhe tre nga banorët e saj rrinë vetëm në oborr. Sa herë që mësues Nokia nuk vjen për në mësim, ne shkojmë te shtëpia e zbrazur që e kemi përballë shkollës dhe ulemi pranë tre busteve të vëllezërve.
Teta Lindita, babi më thotë gjithmonë që duhet të bëhem si një nga ata të busteve, por kur shkoj të matem me ta, vetja më duket edhe i shkurtër, edhe pa qime në fytyrë. Ai i mesit më duket më miqësor. E ka emrin Naim, ndaj edhe kur jam i mërzitur, shkoj ulem pranë tij, dhe kur s’ka njerëz, i recitoj vjershat që ka shkruar për ne.
Sot u gëzova shumë se nuk shkova që në mëngjes ta ndihmoj babin. Kishim ditën e parë të shkollës dhe u mblodhëm të gjithë aty që në mëngjes. Pritëm deri nga ora nëntë sa erdhi mësuesi që hapi derën. Ishim bërë pis me baltë se po luanim nën shiun që donte të na largonte nga inati, por më beso që asnjë nga ne 8 nxënësit nuk iku. Kur mësuesi hapi derën e shkollës dhe u ulëm te klasa përballë, filluam si të çmendur t’i mburreshim Sonilës, asaj vajzës së vogël që e vetme hyri në klasën e parë. Ajo u hutua krejt dhe filloi të qante por fat që në oborrin e shkollës u shfaq qengji im manar ndaj të gjithë u sulëm të luanim me të. Edhe Sonila e vogël e harroi të qarën, derisa mësues Nokia na thirri për të na folur për mësimet.
Unë as nuk e kisha mendjen fare sepse prisja me padurim t’i tregoja për ty. Siç duket vetë mësuesi e kuptoi entuziazmin tim dhe para klasës së përzierë më qortoi:
-Sandër, edhe internet të kesh parë, nuk do dukeshe kaq kokoroz!
-Intrenet, e pyeta unë dhe ndjeva se u skuqa në fytyrë sikur të isha pranë kazanit të rakisë.
-Mësus Nokia, unë nuk e di mirë çfarë është intrenti, fola me zë si blegërima e manarit, por kam një sekret të madh për të thënë.
-Një djalë i vogël di një sekret të madh!- qeshi mësuesi, por unë u skuqa dyfish sikur kësaj here po provoja rakinë e nxehtë që pikonte nga ulluku i kazanit të babit.
Morra guximin siç bëj kur recitoj para busteve të shtëpisë bosh dhe teksa më preku edhe vështrimi i Sonilës së vogël që tani pas qarjes fshinte qurret me mëngën e djathtë, fola si burrë, fola edhe si vëllai im, edhe si babi:
-Mësues Nokia, unë e di që kush është ministrja e shkollave në Tiranë. Ma ka treguar një fotografi kushëriri im Bledi që erdhi në Frashër në behar. Bledin, që e kam djalin e xhaxhait, e ka pasur mësuese te shkolla e Ismail Qemalit. Ajo quhet zysh Lindita Nikolla edhe syza ka, edhe flokët e verdha si vjeshta që puth fshatin tonë në tetorin kur përkujtojmë vdekjen e Naimit.
-Zysh, zysh! Çfarë është zysh, pyeti gjithë klasa dhe zëri iku nga dritaret e grisura pa xhama.
-Zysh do të thotë mësuese në Tiranë, ngaqë është qyteti më i madh, u përgjigja unë rrufeshëm sepse isha përgatitur për këtë ditë dy muaj rresht.
Mësues Nokia qeshi, ma aprovoi pa fjalë risinë dhe shtoi:
-E pashë dje në televizor. Mësuese Lindita është ministre që do të thotë është drejtoresha e madhe e të gjitha shkollave dhe universiteteve të Shqipërisë.
-Te le vi zorrrrrrrrrrrr?-rënkuam të gjithë si pensionistë ne vocërrakët frashërllinj.
-Mësus, mësus, po neve na thanë ata xhaxhat që erdhën në qershor që televizorët nuk do i mbani si kafazat e pëllumbave. Nga televizorët që keni në shtëpi do shikoni edhe jetën, edhe kukullat, edhe sportin, edhe veten, edhe muzikën, edhe Tiranën, edhe botën. Kështu na tha xhaxhi Genci, xhaxhi Beni, xhaxhi Ladi, xhaxhi Erjoni, xhaxhi Vangjeli. Ata premtuam që qeveria e re do u sjellë edhe valë për telefonat, edhe valë për celularët.
Mësues Nokia u ngërdhesh, rrotulloi kokën rreth qafës së hollë, shtrembëroi buzët dhe psherëtiu:
-Lërini këto qeveritë dhe premtimet e tyre. Mua kanë 12 vjet që më gënjejnë që do më largojnë nga Frashëri. Më mbytën në këtë humbëtirë. Nuk janë punë për ju. Nga java tjetër sillni dru të gjithë se dimri do kafshojë më herët këtë vit. Po gjetët kush e ka vjedhur sobën e shkollës do u sjell të shikoni nga afër një kompjuter që është edhe magnetofon me muzikë, edhe televizor për filma.
-Sobën, pyeta unë si i nxirë nga turpi. Sobën, sobën….
Shtrëngova dhëmbët të kyçja gojën ngase nuk doja të flisja më tepër. Vërtik u çova nga banka plot pluhur e klasës, shtyva derën e parë, derë e dytë, vrapova mes baltës së oborrit dhe mbajta frymën te kasollja në krah të shtëpisë time. Qengji manar blegëriu vetëm një herë dhe pas meje vrapoi i gëzuar. Sa mbërrita te shtëpia i thirra nënës time dhe iu luta për ndihmë.
-Ma, maaaaa! Mësuesi nuk di gjë për sobën. Hajde ta çojmë te shkolla.
Ime më zgjati kokën te dera e rënë e kasolles dhe pa bërë zë përveshi mëngët. Unë para, ajo pas ecnim sforcuar me sobën cilindrike që na merrte frymën. Si dy supermen-a u dhamë te dera e klasës me sobën ngarkuar. Mësuesi shtangu, nëna ime qeshi. Goja e hapur i dukej e shëmtuar dhe ata pak dhëmbë që i nxinin ndanë buzëve dukej sikur më kafshonin edhe mua nga turpi.
-Mësus, mësus, unë e mora sobën në behar te shpia ime se donin ta vidhnin për skrap një makinë me tre burra që kishin ardhur këtej. E dinë edhe shokët e mi, e di edhe mamaja me babin. Nuk e vodha, e mbrojta o mësus!
Kaq, vetëm kaq bërtita para klasës dhe ia mbatha sërish. Qengji manar nuk më ndoqi më dhe bashkë me sytë kureshtarë të klasës më përcollën derisa u futa te oborri i shtëpisë së braktisur. U fsheha pas kolonave me bustet e spërkatur nga shiu dhe qava me dënesë.
-Edhe frashërlli, edhe hajdut nuk shkon!-dënesja me veten dhe kujtoja këtë këshillë nga babai.
Sa turp teta Lindita. Harrova t’i thosha mësuesit që në mëngjes, por nuk e di pse nuk u kujtova. Ndërsa qaja, një nga bustet u duku sikur u ngjall e më foli si te ëndrra me vëllain:
-Burrat nuk qajnë. Nuk je fajtor, shko mëso, ndihmo dhe prindërit. Ti je një djalë punëtor, i zgjuar dhe i pastër. Sot bashkë me shkollën tënde filloi dhe Rilindja e tyre!
Ngrita kokën nga erdhi zëri. Shtanga bashkë me të qarën.
Kjo më ndodhi këtë mëngjes teta Lindita. Edhe e di i kujt ishte zëri? I bustit të mesit, i Naim Frashërit. A duhet ta besoj???
*fb.com/bledi.mane
twitter.com/blediMANE
I Modh je Bledo ?
Te pershendes me kete:
http://ow.ly/oVfU9
Bukur!
awwwwwwwww…. :'(
Bravo Bledo!
Bukur, shume bukur.
sa me vjen per te qare, dhe s’para qaj kollaj
Mesuesit megjithse nen presionin e “demokrateve” votuan per ndryshimin,tani jane te detyruar te shikojne perseri te njejtet drejtore shkollash qe i nxorren ne mitingjet per deputetet e PD-se.Ne keto dite, drejtoret e PD-se, i shikon me aktiv se kure per te rregulluar ne pune,partiaket e tyre,familjaret,njerzit qe paguajne nen dore nga halli.
Z.Ministre,ndalo kete revansh te paskrupullt,te drejtorve qe ju duket vetja akoma pronare,per te firmosur ne emer te bordeve fiktive,me njerz te PD-se.
Duhet te largosh nga puna te gjithe te emeruarit,ne periudhen parazgjedhore dhe tani,qe po marrin ngarkesat mesimore te mesuesve te perkushtuar ne pune.
Te lutem jo kudo te njejtat.U bere si sala qe thoshte per cdo gje e ka fajin Fatos.Me dinjitet dhe respekt per veten o fshatar.Me tej mua Bledi me pelqen si shkruan megjithse nuk kam ndonje simpati as per te dhe aq me teper bindjet e tij ose ndoshta keto dy te fundit jane te lidhura
bravo mo cun…..na bere te qajme edhe ne!
SHTRIGAT E SALES TE PD QE JANE LINDUR DHE RRITUR PA ASNJE NDJENJE NJEREZORE , LE TA LEXOJNE DHE PASTAJ TE MBURREN PERSERI PER POLITIKEN QE KANE BERE KETO 8 VITE SEBASHKU ME BURRAT KAFSHE TE PD
Une per vete qava! Luli vocerr ne shekulli e 21:((
Anafalbetizmi e ka kapur shqiperine ngerc e po lodh. Pune e madhe duhet e breza edukimi per ti hedhur rrenjet e kesaj rilindje te arsimit. Bledi je mrekullueshem, te lutem mos e ndalo penen.
no coment ,MADHESHTOR
shume,shume kuptimplote……
problem i thelle eshte arsimi o Bled
tani si quhej djali sander apo alfred.
Gjetje e goditur,paralelizem i shkelyer:Lind dita=Ri-lindje.Si gjithmone perfekt,Bledi Mane!
E mrekullueshme, rralle me ngacmon ndonje gje qe s’eshte me te share ketu tek Tema. Faleminderit.
Ka shume probleme….. me duket sikur mendohet vetem per Tiranen!!!!
Emri jua ishte Alfred, pse e ndryshova kaq shpejt?
Si gjithmone fantastike.Me shpesh me shpeshe pene e arte.
Bledi,dini te vini gishtin ne plage….
Sali kermen e larguam,duam te mesojme e te punojme ne kete vend…a do te rilinde shqiperia…??!! te shohim…!!
E VERTETA E HIDHUR E FRASHERIT!
Bukur Bledi, megjithse për ca gjera me ty s’jam dakord. Një gjë nuk kuptova, djali quhet Fredi, ndërsa mësuesi i drejtohet me emrin Sandër…Si bëhet kjo?
Përveçse bravo, nuk kam se ç`të them. Migjeniane. Ky është vendi im në këtë shekull. Sa keq!
O Bled !!!! Me sinqeritet je i papame,me kujton E Ramen kur ishte i ri,shkruante gati cdo dite dhe gjithmone ia lexoja shkrimet deri ne fund. Me terheqin si magnet shkrimet e tua .te falenderoj
Mendova se vetem mua mu mbushen syte me lote..
Uroj qe fe vihet nje standart I njejte per cdo shkolle, pavaresisht se ku ndodhet.
Me kenaqe o Bled ma bere diten e bukur te pershendes
shkelqyeshem.
Te lumte ! Njeri me zemer,mendje dhe shpirt shume te madh:
Mero nuk po kuptoj pse nuk me botohen komentet.