Kuvendi voton ndryshimin e ligjit të mbetjeve. Rama: Do i heqim plehrat nga sytë e shqiptarëve

10 Tetor 2013, 14:37Politika TEMA

Mazhoranca ka miratuar vetëm me votat e saj ndryshimet në ligjin për importin e mbetjeve.

Ligji ka marrë 76 votat e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës kanë bojkotuar sërish seancën plenare në shenjë proteste për shtyrjen e ligjit për nëpunësin civil.

Në fjalën e tij në seancë, ministri i Mjedisit, Lefter Koka, është shprehur se ligji i ri për menaxhimin e mbetjeve rrit riciklimin në vend.

“Projektligji sot është i hartuar në përputhje të plotë me kriteret e kërkuara nga BE. Ligji i kaluar kishte mungesë në sistemin e monitorimit për hyrjen e mbetjeve, kryesisht ato të rrezikshme”, u shpreh ai.

Kurse kryeministri Edi Rama u zotua se do heqin plehrat nga sytë e shqiptarëve.

“Ka vetëm një arsye pse mafia i drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të pamundura për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, t’i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë; interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve, që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve. Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehrat, ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, të cilat i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme për shkak se kanë të gjitha aftësitë për të kontrolluar dhe për të trajtuar këto lloj mbeturinash dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit dhe me standardet më të ulëta, madje inekzistente, të përpunimit të tyre. Fatkeqësisht, Shqipëria që ne trashëgojmë bën pjesë tek këto të dytat. Gjëja e parë dhe gjëja më e mirë që ne mund të bënim për Shqipërinë e rrënuar që trashëgojmë është ndalimi i importit të çdolloj mbeturine. Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë, deri në ditën kur Shqipëria do të jetë në gjendje të seleksionojë, të ndajë, të mbledhë, të përpunojë plehrat që prodhon vetë. Pastaj një epokë tjetër mund të jetë e mundur, por deri kur të vijë ajo ditë ne s’kemi asnjë zgjidhje tjetër për të respektuar deri në fund popullin, për të respektuar deri në fund shëndetin e çdo qytetari dhe për të respektuar deri në fund interesin tonë kombëtar dhe publik. Nuk ka më plehra që të hyjnë në kufijtë e Republikës së Shqipërisë. Nga këtu fillon rimëkëmbja dhe nga këtu fillon edhe ripërtëritja e organizmit të këtij vendi, me një politikë tërësisht të re në raport me mjedisin, në raport me mbetjet, në raport me ndotjet. Sigurisht, rruga për të shkuar deri aty ku qytetarët dhe ku ky vend e meriton, si një vend të cilit Zoti apo natyra i kanë falur bukuri të rralla, është një rrugë e mundimshme, nuk është një rrugë e shkurtër, sot për nesër. Por është një rrugë, që unë jam i bindur, që kjo shumicë dhe kjo qeveri në katër vitet e ardhshme do ta shkurtojnë, siç nuk kanë mundur ta bëjnë të gjithë ata që për 20 vjet e kanë lënë Shqipërinë të katandiset deri këtu, në një vend të ndotur nga të katër anët dhe në një vend ku bukuritë e rralla, bashkë me cilësitë e mikpritjes së këtij populli, bashkëjetojnë nga të katër anët me plehrat që i vrasin sytë çdokujt që e viziton këtë vend.

Ne do t’i heqim plehrat nga sytë e gjithkujt që në këtë vend e ftojmë të vijë për të shijuar bukuritë dhe për të shtuar fuqinë tonë të industrisë së turizmit dhe që nuk mund ta mikpresim dhe as të presim të kthehet përsëri pasi e kemi shëtitur mes malesh, kodrash dhe pirgjesh me plehra, në të katër anët,” tha Rama.

Ndërkohë, Kuvendi ka miratuar me 76 vota pro edhe kandidaturën e Sokol Çomos si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Çomo zëvendëson Neshat Fanën, të cilit i ka përfunduar mandati.

Sokol Çomo vite më parë ka mbajtur postin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.

Gjithashtu Kuvendi ka miratuar edhe Petrit Ahmetin si kryetar të Bordit të Entit Rregullator të Energjisë.

9 komente në “Kuvendi voton ndryshimin e ligjit të mbetjeve. Rama: Do i heqim plehrat nga sytë e shqiptarëve”

  1. Sume Gruda says:

    Importi i mbetjeve nuk eshte i nevojshem se jane mjaft mbetje ne Shqiperi pa pasur nevoje te importohen per te bere para ne reciklim per punetor te varfer qe ua kane zene frymen nga bandat dhe Berisha me Shkezenin e Zhozefinen. Keni mjaft mbetje per te reciklue ne Shqiperi po te doni pune dhe fitoni me shume se nga importi. Bravo Edi Rama dhe alenca evropiane!

  2. riko says:

    A e paskan miratue prap se prap? Po sa gënjeshtrat lëshonin se do ta anulonin!!!
    Gjithnjë e më shum po bindem se kam gabuar kur kam votuar!!!

    1. Erla eshte goce me vizion says:

      Lexoje mire or trim,se thote qe u ndalua futja e plehrave ne Shqiperi nga vendet e tjera.Miratohet ligji per riciklimin e plehrave vendase.

  3. Stef Staku says:

    ANALIZE : Dje ishte Ema Bonino ne Tirane sot mirathet ligji per plehrat e Napolit. Per mu eshte gabim tere diten.
    Eshte fatkeqesi te kesh fqinj vende te tilla si Italia e Greqia.

    1. Igli says:

      Po cfare mund te presesh nga Edi Rama dhe Ilir Meta?

      E kaluan ligjin e plehrave dhe genjyen ne fushate kur thane se nuk do e kalonin.

      Duket sikur iku nje shpellar dhe erdhi nje shpellar tjeter.

  4. Mbet Urina says:

    A e gjeni dot…? Cilat jane “mbeturinat toksike” me te rrezikshme qe duhen groposur ose recikluar sa me pare, ne menyre te atille qe qytetaret te marrin fryme sa me lirisht?

  5. henri says:

    Ne jemi nje vend i varfer dhe nuk kemi luksin te veme dy oficere me uniforme anash kryetarit te kuvendit. A jemi ne vete apo jo ??!!!

  6. katarakti says:

    Para 3 muajsh stacioni televiziv francez Fr3 tha nje reportazh te gjate per Shqiperine. Konkluzioni i rrjetit televiziv francez ishte: Shqiperia e diktatures perfaqesohej nga Bunkeret, Shqiperia e demokracise nga Plehrat.

  7. vezhguesi says:

    DIKUR: ” I THEMI EDVIN KRISTAQ RAMES TE LERI ULTIMATUMET,PASI PD ESHTE NE PUSHTET ME VOTEN E POPULLIT E NUK PRANON ULTIMATUME! Lufta poplitike behet ne parlament e jo rruges”
    -KUNDRA S’KA,APSTENIM S’KA ,APROVOHET! JU FALEMINDERIT! NE BEJME PUNEN TONE ,ATA LE TE BEJNE TE TYREN. FJALEN E KA ZOTI KRYEMINISTER.URDHERONI ZOTI KRYEMINISTER!”
    SOT: “O te bejne si themi ne,o bojkot!”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje