SHËNIM/ Lojëra me fatin e “lojërave të fatit”

6 Nëntor 2013, 19:52Kronika TEMA

Qeveria e kryeministrit Edi Rama mori një mbështetje popullore të dukshme pas ekspeditës bllokuese kombëtare ndaj pikave të lojërave të fatit, të cilat në të vërtetë janë kthyer në një industri jashtë kontrollit në Shqipëri.

Shumicën e mbështetjes e ka marrë nga qytetarë të thjeshtë, që i shikojnë ato si burim rreziku social për të ardhmen e tyre, por dhe nga vetë operatorë të licencuar të këtyre lojërave, që kërkojnë rregull dhe konkurrencë të ndershme në këtë histori.

Operacioni, i cili mobilizoi 6 mijë policë, arriti të bllokojë mbi 2 mijë kompjuterë të lojërave të fatit, shumica pa licencë, dhe të bllokojë pika bastesh sportive.

Por dy javë pas këtij operacioni, situata është anormale.

Së pari, lojërat e fatit nuk janë mbyllur siç ishte perceptimi popullor që mbështeti fort qeverinë.

Përkundër kësaj ato janë rihapur, duke përdorur ato licenca që kanë pasur.

Nuk them se kjo gjë është gabim, por është i paqartë objektivi i qeverisë me to.

Nëse bëhet fjalë që do të funksionojnë vetëm lojërat me leje, atëherë qeveria duhet të formalizojë çdo operator që është në këtë treg, duke i dhënë NIPD sekondar dhe duke formalizuar deri tek kompjuteri i fundit lojërat e fatit, dhe pastaj duke i lidhur ato në një sistem kontrolli në rrjet.

Në situatën që jemi tani, kemi pika të pafundme lojërash fati të hapura, dhe besojmë që janë me licencë të vjetër, të cilat nuk reflektojnë konkurrencë dhe as liri ekonomike, nëse nuk janë pjesë e një tregu të hapur.

Pra, nëse Drejtoria e Lojërave të Fatit apo Tatimeve, nuk pranon të japë licencë për ata që duan t’i formalizojnë, kjo situatë mban me dhunë në treg këta operatorë, që kanë qenë dhe që kanë spekuluar jo pak me kaosin e këtij tregu.

Së dyti, nuk ka një ndarje të qartë mes lojërave të fatit dhe basteve sportive.

Lojërat e fatit janë një industri, e cila tek është e ndërtuar në mënyrë të tillë që të ketë fitim të sigurt operatori, qysh në ndërtimin e softit të kompjuterit.

Ata që shkojnë atje, provojnë fatin, kurse pronari e ka të sigurt fitimin.

Bastet sportive janë të ndryshme. Ato nuk janë lojëra fati, pasi operatorët e tyre mund të ndodhë që të shkatërrohen nga fati njësoj si ata që luajnë.

Si të tilla, ato janë krijuar për të ndalur kriminalizimin e shoqërisë dhe bastet individuale dhe për t’u formalizuar që dhe shteti të marrë pjesën e fitimit nga kjo veprimtari.

Në Angli, themeluesit e këtyre bizneseve bëjnë pjesë tek elita e vendit.

Inkriminimi i tyre si veprimtari bixhozi është i tepruar.

Ato jo vetëm që duhen ndarë nga lojërat e fatit, por duhen ristrukturuar në mënyrë të tillë që fitimet prej tyre të shkojnë në dobi të sportit apo zhvillimeve të tjera në vend.

Së treti, ka një koncept të paqartë për të ardhmen e tyre, nëse do punohet për t’i reduktuar drejt mbylljes, apo për t’i reduktuar që t’i kenë nën kontroll.

Nëse do të shkojmë drejt mbylljes, procesi i reduktimit është spekulativ, pasi mbështetet mbi elementë të pabesueshëm ndershmërie dhe lë vend për abuzime.

Nëse do mbyllen, mund të mbyllen menjëherë duke bërë një kuadër ligjor për këtë.

Nëse do të reduktohen, atëherë është mirë të rifillojë nga zero dhe të shiten si licenca në ankand, duke përcaktuar rregulla të qarta loje, përhapje gjeografik edhe numër pikash.

Çdo gjë e ndërmjetme, në një industri që prodhon miliarda, është spekulative dhe e dyshimtë.

Kaosi i krijuar pas operacionit të domosdoshëm kundër tregut të lojërave të fatit, është i tillë, që favorizon monopolet që kanë ekzistuar në këtë fushë dhe stopon ristrukturimin e tyre ligjor. Nëse qeveria ka plan t’i ndalojë ato, duhet të bëjë shpejt dhe me ligj, nëse ka plan t’i ristrukturojë dhe formalizojë, duhet të bëjë një plan të qartë që garanton barazinë e palëve dhe efektet anësore të tyre.

E vetmja marrëzi është të lejosh këtë situatë pas furtunës, ku duket se nuk u lag askush, dhe më keq akoma, nuk është në gjendje të pohojë askush nëse lojërat u mbyllën për t’u hapur, apo u hapën se nuk i mbyllin dot.

Loja me fatin e tyre ka një kosto mbi të gjitha për seriozitetin e aksioneve të qeverisë.

10 komente në “SHËNIM/ Lojëra me fatin e “lojërave të fatit””

  1. anonim says:

    Eshte i gabuar shpjegimi i ndryshimit midis lojerave te fatit dhe ato te basteve sportive. Edhe bastet i kane te tilla koeficientet ne menyre qe operatori te fitoje. Ndoshta jo cdo dite por “a lungo termine” gjithmone fiton. Problemi qendron tek norma e fitimit qe ato kane jo pse fitojne. Sepse edhe Vodafone gjithmone fiton. A ta mbyllim atehere edhe Vodafonin? I cili, meqenese ra fjala, fiton me shume ne Shqiperi nga cfitojne firmat kryesore te lojerave te fatit. Persa i perket normes se fitimit, mjafton ta taksosh sic duhet. Berisha e dhjeu prospektivene e taksimit te larte per dy arsye. Se pari sepse e uli taksen ne 10%. Se dyti, sepse vendosi kosto te larta fikse te permuajshme. Te cilat e komplikojne shume planin e biznesit per firmat e lojerave te fatit te licensuara. Cdo date 1 te muajit ato nisin me humbje, zakonisht ne masen 1.400.000 leke te reja per sallonin me te vogel te lejuar. Pa llogaritur ketu kostot e rrogave, sigurise, tatim fitim, sigurime shoqerore, qirara, korrent, etj… Keshtu qe klubeve nuk u ngelej tjeter rruge pervecse te hapeshin pa letra.

    Nqs Rama realisht do te rregulloje kete treg le te filloje duke qartesuar proceduren e licensimit te firmave, qe nga certifikimi i makinave (praktikisht garancia e fitimit te firmave te mbahet nen nje nivel te caktuar) deri tek deklarimi i te punesuarve. Pastaj i lihet tregut qe te beje punen e vet. Qartasi fitim per 10000 makina te licensuara nuk ka ne sensin qe nuk arrihet me xhiron qe behet ne Shqiperi. Dhe Rama duhet te tregoje edhe si shpenzon taksat e mbledhura nga ky aktivitet. Disa vende europiane i shpenzojne per aktivitete te pastra sociale, ne kete menyre perpiqen te kompensojne imazhin e demtuar social te ketij aktiviteti. Dhe duhet te na garantoje qe nuk do te kete ndonje anglez apo amerikan qe do t’i bie qylit ne kurrizin e shqiptareve edhe kesaj rradhe (Wesley Clark, gjenerali qe cliroi Kosoven erdhi njehere perpara disa viteve dhe e provoi qe te monopolizonte tregun).

    Persa i perket mbylljes totale, qe here pas here Rama apo Tahiri i aludojne, ka nje problem themeltar. Si do te menaxhoje Rama aktivitetin ilegal te cilin as Enver Hoxha nuk e kontrolloi dot (tiransat e vjeter besoj se i mbajne mend bastaxhinjte qe luanin tek shkallet e Pallatit te Kultures). Se ne fund pergjegjesia e Rames do te jete nqs bixhozi lulezon ilegal, pa kontroll, dhe pa asnje takse. Se te pakten sot thuhej qe 10% i paguanin taksat.
    Mos valle kete kerkon fiks Fideli e Toma me company?

  2. Tom says:

    Nuk kishte si ndodhte ndryshe. Aksionin e drejtoi ne menyre te paligjshme Ministri Tahiri. Nje minister pa asnje eksperience administrative e ligjore. Nuk dokumentoi shkeljet dhe nuk u be bllokimi e ndjekja penale ne kushtet e flagrances. Ne kete menyre abuzuesit do te ndiqeshin penalisht por ne gjendje arresti e jo ne gjendje te lire. Duke marre rolin e Ministrise se Financave, Tahiri nuk arriti te dokumentonte dhe te mbyllte te gjithe ata te cilet ishin pa liçenca, por edhe ata te cilet kishin dhene liçenca per te tretet. Mendoj qe ” Fundi i Marrezise ” nuk ka marre fund. Biznesi i bixhozit po lulezon perseri. Kesaj rradhe me leje.

  3. Arturi says:

    Shkrim i goditur, me pelqen.
    Nje qeveri serioze, duhet te beje formalizimin e ketij biznesi. Pas kesaj, te gjitha palet dalin te fituar, mbase dhe ata qe provojne fatin ?

  4. plaku says:

    Shume dakort me autorin, po pse eshte pa autor ky shkim? Apo thjeshte “loje me fatin” hesapi??

  5. tiger says:

    Kjo qe po luhet me lojrat e fatit eshte spekulative dhe e dyshimte? Pse nuk eshte e tille vete Rilindja? ?

  6. Filloi dhe mbaroi aksjoni Fundi Marezis dhe pika e casinos se Viron Bezhanit ne Kukes punoi sistematikisht. Dihet qe Kukesin e varfer e sundojne kapitalistet nga Tirana. Te tjeret me gisht ne goje..

  7. Leo says:

    Shkrim i goditur uroj ta lexoje Rama se Tahiri mendon dhe vepron me mendjen e Rames si dikur Nul Moka shihni mo sa njerez nxirni pa pune nga keto maskaralleqe me tregun rregulloni tregun licensojini pikat dhe goditni ato qe nuk duan te licesnsohen dhe shihini qe do ikin ato qe nuk u leverdisin kompanive te basteve

  8. vlonjati says:

    Qeveria eshte shprehur per kete gje, bile edhe vete Kryeministri ka

    folur ne nje konference shtypi.

    Por po krijohet pershtypja qe kjo gje nuk po ecen sipas deklaratave te

    bera.

    Ndoshta qeveria duhet te shprehet qarte dhe nje here dhe me pas

    veprimet perkatese mbi cka deklaruar.

  9. myftar lumneshi says:

    Si hiqni dot kazinotë Ed rama!!!

  10. Stefan H says:

    Eshte e para here qe degjoj termin “industri e lojrave te fatit”. Mos ja fusni kot. Ka industri te rende ky hyjne minerat fabrikat e perpunimit te tyre, industria kime etj dhe industri te lehte ku hyjne industria ushqimore. Si mund te thuhet industri per kete lloj aktiviteti qe nuk prodhon asgje?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje