Ka marrë fund makthi i tre shqiptarëve që për katër ditë kanë rrezikuar jetën në Kanalin e Otrantos.
Më në fund, duke gdhirë dita e sotme, janë gjetur nga Guardia di Finanza në kanalin e Otrantos në det të hapur, pas një alarmi të dhënë nga autoritetet shqiptare kapitanerisë së portit të Barit. Shqiptarët po ktheheshin në Shqipëri me skafin e sapoblerë në San Foca të Lecce-s, kur kanë mbetur në mes të detit sepse motori i vetëm i mjetit lundrues është prishur.
Për katër ditë u është dashur t’u bëjnë ballë dallgëve e të ftohtit pa pasur mundësi të lajmërojnë kënd për koordinatat gjeografike ku ndodheshin.
Alarmin e kanë dhënë të parët familjarët e tyre që prisnin të ktheheshin e më pas autoritetet shqiptare i kanë sinjalizuar rastin atyre italiane.
Në kërkim të tre shqiptarëve janë vënë njësitë detare të financierëve, por duke qenë se zona e kërkimeve ishte shumë e gjerë, fillimisht kërkimet nuk dhanë rezultat.
Vetëm në orët e para të mëngjesit të 8 nëntorit tre personat u gjetën dhe u morën në anijen që i kërkonte, ndërsa skafi me motorin të prishur është tërhequr deri në portin e Brindisit. Tre shqiptarët, që për katër ditë kanë vuajtur të ftohtit, etjen dhe urinë, kanë marrë që në anije ndihmën e parë dhe me të mbërritur në Brindisi janë çuar në spital për t’u kuruar.
Nje falenderim te Guardi di finanza te Italise dhe ministrise se mbrojties se Shqiperise per interesimin e personave te humbur ne dete te hapur. I uroj shendet te plote personave qe po kurohen ne spitalin e Brindisit dhe kthim sa me te shpejte ne familjet e tyre.