INTERVISTA/ Vasili: Shqipëria ka fituar, qeverisja ka fituar një dimension të ri

16 Nëntor 2013, 18:11Politika TEMA

Intervista e kryetarit të Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhënë për televizionin “Klan”

 

Një ditë pas protestave qytetare për armët kimike, me vendimin që mori Kryeministri z. Rama, si është gdhirë Shqipëria, e fituar apo e humbur nga kjo “Jo” e Kryeministrit?

Sigurisht, që është momenti për të bërë një lexim të kësaj Shqipërie që kemi sot. Besoj se nuk duhet të kemi asnjë hezitim të themi se është një Shqipëri që ka fituar dhe në mënyrë të veçantë ka fituar gjakftohtësia, racionaliteti dhe ku shoqëria shqiptare ka fituar një dimension pozitiv jotoksik dhe më të afirmuar se asnjëherë më parë. Në këtë mënyrë të gjithë së bashku kemi kuptuar se kemi mundësitë të reagojmë si evropianë në planin qeveritar, por edhe qytetar. Ndaj është një moment ku ka fitues, është një moment ku nuk ka të humbur. Shqipëria ka fituar, qeverisja ka fituar një dimension të ri gjakftohtësie e vetëpërmbajtje e respektimi në 360 gradë, të të gjithë mendimit politik dhe shoqëror që e ka rrethuar. Ndërsa, dimensioni ynë shoqëror po përjeton një moment pozitiviteti dhe gjakftohtësie, sepse kemi parë një reagim të madh shoqëror, i cili në mënyrën më të mirë qytetare është ndërtuar dhe ka përfunduar aksionin e tij duke shënuar një pozitivitet.

Në lidhje me marrëdhëniet me SHBA-të, a ndryshon ndonjë gjë ky vendim i kryeministrit?

Në mënyrë absolute jo, është një marrëdhënie që nuk është ndërtuar në një ditë, nuk është ndërtuar mbi një ngjarje dhe nuk mund të shikohet në optikën e një vendimi në një moment të caktuar. Sepse është ndërtuar dhe falë kësaj marrëdhënieje Shqipëria sot është në krye të listës. Është një histori e gjatë sfidash të përbashkëta, ku roli i SHBA-ve ka qenë dhe mbetet, i pazëvendësueshëm, i patjetërsueshëm, prioritar dhe madhor në raportet me vendin tonë, ndaj dhe në këtë çështje besoj se është e qartë për të gjithë se një vendim i tillë, ka ardhur pas një vlerësimi shumë racional e gjakftohtë të të gjitha rrethanave dhe në veçanti të atyre që quhen rrethana objektive e ku u nënvizua qartë një pamundësi objektive për të marrë një sipërmarrje të tillë të vetëm nga ana e Shqipërisë. Ndaj mendoj se nuk kemi asnjë arsye që të kemi një preokupacion, pasi marrëdhënia e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë e tillë, ngaqë është e bazuar në një vokacion shumë pozitiv popullor pro amerikan, i lidhur me atë vokacion që Amerika përfaqëson në botë dhe si i tillë do të vazhdojë të kultivohet, pasi duke qenë vokacion i popullit, nuk mund të jetë i ndryshëm nga vokacioni i qeverisje, cilado maxhorancë që të jetë.

Po LSI-ja një ditë më pas, cili është qëndrimi pozicioni i saj në lidhje me protestën, në lidhje me vendimin e Kryeministrit, duke marrë parasysh edhe z. Meta i cili dy ditë më parë shkoi para protestuesve duke i qetësuar, duke thënë se do të dëgjohet zëri i çdokujt?

Në radhë të parë dhe mbi çdo gjë, z. Meta dhe LSI ka qenë shumë të vëmendshëm për të dëgjuar dhe për të bashkëndarë çdo shqetësim të madh qytetar, i cili në këtë rast pati një dimension të jashtëzakonshëm. Z. Meta dhe LSI-ja patën aftësinë që të kenë mirëkuptimin dhe qetësinë e racionalitetin për të dëgjuar argumentet e Kryeministrit, sigurisht po me të njëjtën qetësi kemi dëgjuar edhe argumentet në tërësinë e tyre fiktive, me një protagonizëm artificial dhe tepër të kërkuar të opozitës, dhe këtë sjellje 360 gradë LSI-ja përcaktoi pozicionin e saj tepër racional dhe gjakftohtë, që zëri i qytetarëve duhet dëgjuar dhe duhej prekur nga afër, ashtu sikurse z. Ilir Meta e preku në mesin e tyre dhe njëkohësisht po me të njëjtën gjakftohtësi të përcaktohej një qëndrim, i cili dhe vlerësonte preokupacionin e partnerëve tanë, dhe demonstronte dëshirën tonë për të vazhduar bashkëpunimin tonë intensiv dhe për të qenë pjesë e aleancave të rëndësishme siç është NATO etj, dhe të tjerë pas një vlerësimi të tillë të merrnim atë vendim, i cili në fund të fundit, ishte në të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve në radhë të parë, por që i demonstronte dhe partnerëve që asgjë nuk ka lëvizur nga dëshira dhe vullneti i Shqipërisë për të bashkëpunuar me ta. Besoj se kjo është provë e një politike gjakftohte e cila ka zemër qytetare por ka dhe racionalitetin e qeverisjes.

Ju jeni prind, mjek, qytetar i këtij vendi. Unë desha të dija në planin njerëzor, a ka ndryshuar diçka, a është demonstruar një mënyrë e re e reagimit qytetar, por edhe nga ana e qeverisë një mënyrë e re e pritjes së protestës?

Mënyra e organizimit, kultura, përmbajtja dhe përbërja e këtij reflektimi të thellë qytetar, përpara se ta quaj protestë, mund ta quaj më parë një reflektim të thellë qytetar, mund të them se ishte një shembull i shkëlqyer i një Shqipërie krejtësisht evropiane. Kemi parë dhe kemi përcjellë me një admirimi që nuk e kemi fshehur dot, se si mijëra njerëz kanë protestuar, për pensionet, për çështje të karakterit ambiental, për çështje të armëve të caktuara, jo vetëm kimike, por të përdorimit të tyre në Evropë dhe kudo gjetkë; në fund të fundit përvijimi i një pozicioni të tillë të përkorë jo të instrumentalizuar dhe politizuar, i ka bërë mirë ndërgjegjes sonë shoqërore që ka pasur nevojë për një shkundje dhe për marrjen enjë dimensioni të ri. Por njëkohësisht dhe sjellja e qeverisë dhe e Kryeministrit Rama, në mënyrë të veçantë, pasi ishte vendimmarrja e kryeministrit, sepse këtu duhet bërë një diferencë, pasi qeveria nuk u shty në vendimmarrje, qëndroi në planin korrekt të komunikimit dhe konfidencialitetit. Pra e konsumoi në mënyrat më të mira, pa e çuar në vendimmarrje të mëdha, tregoi gjakftohtësi, dhe vesh të vëmendshëm të reagimeve, përkundrejt veshit të shurdhër që maxhorancat e mëparshme kanë pasur ndaj reagimeve njerëzore dhe besoj se ky ka qenë një dimension që i ka larguar maxhorancat nga qytetarët dhe ka krijuar atë hendek midis tyre, duke bërë që qeverisjet shpesh të duken artificiale. Nga sot kemi qytetarë të qeverisur dhe qeverisës të një dimensioni dhe të një kuptimi të një marrëdhënie të re.

1 komente në “INTERVISTA/ Vasili: Shqipëria ka fituar, qeverisja ka fituar një dimension të ri”

  1. asshole says:

    Qeveria???????
    A e keni pare veten ne pasqyre ti dhe padroni yt kohet e fundit? Jeni ne dekompozim e siper.
    Ju nuk keni te drejte te prononcoheni pas fjalimit te Rames.
    Ju qe uronit te thoshte PO.
    Karta te zbythura, te qelbura dhe te shkrumbuara.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje