Kuvendi miraton rezolutën/ Rama: Statusi s’është gati deri në sekondën e fundit (VIDEO)

27 Nëntor 2013, 19:16Sociale TEMA

Kryeministri tha se problemi nuk janë ligjet, por moszbatimi i tyre. Rama i jep një përgjigje edhe Berishës që ankohet për arrestimin e shefit të IT në tatime. Kuvendi miraton në mënyrë unanime një rezolutë në mbështetje të integrimit

 

I kthyer nga Bukuresht, kryeministri Edi Rama i është drejtuar foltores së parlamentit, në debatin e nxehtë mes palëve për procesin e integrimit.

Ndërsa po diskutohet rezoluta e PD-së për të inkurajuar këtë proces, Rama tha se qeveria është e vendosur për gjithëpërfshirje dhe për transparencë, por sipas tij statusi nuk është gati deri në sekondën e fundit, pasi mbeten ende disa vende anëtare për t’u bindur.

“Jemi këtu për të diskutuar për një rezolutë që është paraqitur nga opozita në funksion të inkurajimit të procesit të integrimit dhe në prag të shprehjes së vendeve anëtare lidhur me propozimin e gjerë nga KE që Shqipërisë t’i jepet statusi në dhjetor. Por nga ana tjetër më lejoni t’ju them të gjithëve se statusi nuk është gati deri në sekondën e fundit, dhe se sigurisht edhe kjo përpjekje, kjo rezolutë, ky debat dhe votimi në fund, ndihmon për të shkuar deri në çastin e fundit me gjithçka ne kemi në dorë që të ofrojmë si shprehje të një vullneti për të avancuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë të veçantë, ashtu siç e ka nënvizuar edhe KE. Ende duhet të bindim një numër vendesh anëtare, këtë e dimë ne, dhe ju, ketë s’kemi pse ta fshehim, me këtë dijeni duhet që të gjithë bashkë që rezultati i dhjetorit të jetë pozitiv, dhe Shqipëria ta marrë statusin e vendit kandidat. Të tjerat janë legjitime për opozitën por nuk besoj se ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi shumë afatshkurtër. Kjo nuk do të thotë se nuk e mirëkuptoj edhe gjithë këtë persiatje të opozitë, jeni në detyrën tuaj bëjeni ashtu siç e mendoni se duhet bërë, nga ne nuk do të dëgjoni nga ato që ne kemi dëgjuar si opozitë,” tha Rama.

Kryeministri tha se në dialogun për integrimin do përfshihet edhe shoqëria civile.

“Qëllimi ynë është i qartë dhe i shprehur, duam të krijojmë një platformë dialogu kombëtar ku të jetë e përfshirë jo vetëm opozita politike, por edhe shoqëria civile, që hap pas hapi po fillon të marrë frymë dhe të çlirohet nga makthet e një të kaluare që e mbyti. Përfshirja e shoqërisë civile është më shumë sesa një fjalë e thënë kështu për të përfshirë disa përfaqësues të disa organizatave në një proces si ky, që është kaq i ndërlikuar dhe kërkon punë të përbashkët, pasi ajo që ne do bëjmë hap pas hapi, është që në gjithë procesin e ligjvënies, të kemi sa më shumë kontribut nga shoqëria civile dhe gjithë grupet e interesit që preken direkt apo indirekt nga çdo reformë që do jetë axhendën e parlamentit”.

Rama tha se problemi nuk është me ligjet, por me zbatimin e tyre.

“Si shumica e deridjeshme e këtij parlamenti do hyni në histori si qeveria që prodhoi numrin më të madh të ligjeve, por për momentin jeni padyshim në historinë e këtij vendi si shumica që zbatoi më pak ligjet që miratoi vetë. Ky hendek duhet kapërcyer. Mos prisni nga ne që të kthehemi në një fabrikë miratimi ligjesh”.

Kryeministri më pas foli për periudhën dymujore të qeverisjes. Rama i dha një përgjigje indirekte Sali Berishës, që po ankohet për arrestimin e shefit të IT në tatime.

“Sistemi shumë i lëvduar i IT në tatime, po rezulton në fakt një sistem i mbushur me vrima ku kanë rrjedhur vijimësisht para që duhet t’u shkonin shqiptarëve, atyre që paguajnë taksa, që kanë nevojë për ndihmën ekonomike apo janë me aftësi të kufizuara. Por në fakt u kanë shkuar atyre që e përdorën sistemin për të ngritur një sistem grabitjeje”.

“Sa i takon lëvizjeve në administratë, jo vetëm që nuk ka asgjë të ngjashme me lëvizjet administrative të 8 viteve më parë, por kushtëzohet nga nevoja për t’iu kthyer profesionistëve, institucionet e politizuara nga koka te këmbët. Kemi anuluar licenca për ndërtimin e impianteve energjetike. Disa të tjera janë në rishikim. Do të anulojmë të gjitha kontratat e bëra në dëm të interesave të Shqipërisë, dhe në dëm të interesave të publikut shqiptar. Jemi duke riparë edhe një numër tjetër të konsiderueshëm koncesionesh në fusha të ndryshme që sjellin dëme marramendëse ekonomike për buxhetin e shtetit dhe xhepat e shqiptarëve. Ka shumë ende për të bërë dhe jemi të vendosur që të bëjmë gjithçka duhet, por është e sigurt se çdo ditë provohet se në 23 qershor ka ndodhur një ndryshim rrënjësor që mishërohet çdo ditë në krijimin e një kulture të re qeverisëse, të bazuar tek vetëdija se as nuk jemi në këto pozicione për gjithë jetën, e as nuk ka kanë votuar që t’i përdorim këto karrige në dëm të njerëzve që me të drejtë kanë kërkuar ndryshimin”.

Ndërkohë në një seancë maratonë, Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi mocion me debat për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Debati, i cili zgjati për më shumë se 6 orë, ishte kërkuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Në paraqitjen e kërkesës për zhvillimin e këtij debati dhe miratimin e tekstit të rezolutës përkatëse, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka vuri theksin në angazhimin e partisë më të madhe të opozitës për të mbështetur vazhdimin e proceseve integruese me synim anëtarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, si aspiratë e padiskutueshme e mbi 87% të qytetarëve shqiptarë.

Gjatë debatit, i cili përfshiu përfaqësues të qeverisë dhe të gjitha grupeve parlamentare, u ngritën një sërë çështjesh vendimtare në çuarjen përpara të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian: forcimi i shtetit ligjor, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformat në ekonomi, drejtësi dhe në sektorë të tjerë me impakt direkt në mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, etj.

Rezoluta, që u miratua me 105 votat e të gjithë deputetëve të pranishëm ndër të tjera rikonfirmon se integrimi i Shqipërisë në BE është objektivi madhor i vendit dhe përbën axhendën kombëtare të Kuvendit; konfirmon angazhimin e këtij institucioni që përparimi në procesin e integrimit të Shqipërisë të bazohet në meritë; thekson se marrja e statusit të vendit kandidat brenda dhjetorit të këtij viti duhet të përbëjë prioritetin kryesor të punës së Kuvendit të Shqipërisë dhe Qeverisë.

Ndërkaq, rezoluta i kërkon unanimisht vendeve anëtare të Bashkimit Euroian dhe i inkurajon ato që të mbështesin propozimin e Komisionit Europian për dhënien e statusit kandidat për Shqipërinë, si dhe të ardhmen europiane të vendit.

5 komente në “Kuvendi miraton rezolutën/ Rama: Statusi s’është gati deri në sekondën e fundit (VIDEO)”

  1. Tropojani says:

    Po per shkelsit e ligjeve te bera nga Sala me shoke çdo behet?

  2. As says:

    vetem fjale. pune+pune+pune+++++++++pune dhe pak fjale se te ftojne vete.

  3. elinor says:

    Nuk kam verejtje, nuk kam verejtje!
    Vetem dicka; per demet qe i jane shkaktuar buxhetit nga vendimet e gabuara politike nuk mund te ndeshkohet kush. Thjeshte te anulohen kontratat dhe te vazhdohet me tej.
    Por, per demet qe i jane shkaktuar buxhetit te shtetit ne menyre te vetedijshme me qellim pasurimin e zyrtareve, duke filluar nga kryeministri i kaluar e deri tek drejtoret e ndryshem, pres qe te gjithe te cohen para drejtesise. Fjalet “keni bere kete e keni bere ate” nuk na duhen. Veprimet konkrete jane ato qe kane rendesi. Nevojitet drejtesi!

  4. Treviso says:

    Zoti kryeminister, nese e merrni statusin si kandidat, si do t’ja shperbleni Bashkimit Europian? Ju e dini shume mire se ku eshte qellimi i tyre. Luftimi i korrupsionit ne instancat me te larta e deri tek zyrat me te thjeshta te shtetit. Une shpresoj se do tja shperbleni me nje suprize te madhe, duke arrestuar kriminelin me te rrezikshem te shqiptareve. Shpresoj se e keni lane per naten e vitit te ri, arrestimin e tije.

  5. Si te cohen para drejtesise kokat e korupsionit duke filluar nga Sali
    Berisha? Kete duhet ta bejne institucionet e pavarura, prokuroria
    dhe gjykata. Por, keto jane te varura nga Nishani(Berisha). E vetmja
    rruge eshte c’fronimi i presidentit militant te Saliut, Nishanit.
    Nishani ka mjaft veprime qe e kopromentjne per te qene president i vendit. Ka nje edukim te cunguar, shkolle te bashkuar ushtarake,
    pa experience maxhore, kualifikim te pa mjaftueshem, me master te blere, vetem se eshte servil besnik i Berishes eshte katapultuar ne PD ne pozicione te ndryshme, i vene si kukull ne presidence nga Saliu,ai nuk ka formimin e duhur dhe gjykim analitik per te drejtuar problemet e vendit, ai s’ka piken e vizionit te perspektives se vendit, te tera dekretet e tij per prokuroret apo gjykatesit tregojne sa deficient eshte ai. S’ka president tjeter ne bote qe te jete aq pa stature sa ai eshte. Eshte nje neveritje ta kesh Nishanin per president, ai eshte vetem nje plere.
    Kuvendi duhet te mbidhet dhe ta c’fronoje Nishann sa me pare. Kjo eshte alfa e punes per te filluar per se mbari drejtesine dhe luften
    kunder korupsionit. Nishani ka lindur vetem per mbrapshtira, njeri I lig ne ADN e tij. Ai vetem prish pune, s’duhet per asgje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje