Mbrojtësi i Kombëtares, Mërgim Mavraj, ka nisur pushimet e tij, duke mbyllur një fazë të pare super me skuadrën e Greuther Furthit, që ndodhet në vendet e larta të renditjes së Bundesligës së Dytë dhe që gjithashtu, synon të kthehet që këtë sezon në Bundesligë, pas atij të shkuarit, ku e mbylli në vend të fundit duke u rikthyer një kategori më poshtë. Por tani është kohë pushimesh dhe mbrojtësi nga Istogu është duke kaluar pak kohë larg Gjermanisë. Ai ka qenë në Rusi, në Moskë, dhe disa qytete të tjera, ndërsa do të kalojë edhe në Istog, ku mund të qëndrojë për pak kohë me familjen.
Ndërkaq, në 3 janar do të hapet merkato zyrtarisht dhe vetëm atëherë do të rinisin “sirenat” për largimin e tij dhe për një të ardhme shumë më të mirë. Mavraj kërkohet nga disa klube të rëndësishme, si në Bundesligë, ashtu edhe në Rusi, por dhe Lacio mund të rikthehet në sulm, me Igli Taren që vazhdon të monitorojë futbollistin 27-vjeçar, kontrata e të cilit i skadon në fund të këtij sezoni, pra në qershor.