Hamdi Salihi: Mund të kthehem të luaj për Tiranën ose Vllazninë

27 Dhjetor 2013, 14:44Sport TEMA

Pasi ka lënë pas kampionatin kinez, Hamdi Salihi është në kërkim të një skuadre të përshtatshme si nga ana financiare, por edhe që i siguron një vend titullari në Europë. Oferta sa nga Polonia, Austria, Gjermania, por edhe nga Kina e largët, teksa një opsion i fundit mbetet Shqipëria.

I ndodhur aktualisht në Shkodër, duke shijuar festat e fundvitit, gjatë një interviste për “Panorama Sport” sulmuesi zhbalancohet, duke treguar bisedimet me klubet në fjalë, pa harruar që ta lidhë të ardhmen e tij edhe me Kombëtaren shqiptare.

Sakaq, ai lë një derë hapur edhe një rikthimi në Kategorinë Superiore, nëse merkato e janarit nuk do të jetë aq pozitive sikundër shpresohet. Vllaznia, por edhe Tirana, dy klubet që mund të përfitojnë….

“Jam në bisedime me disa klube, por realisht nuk ka ndonjë gjë konkrete. Ose më mirë, nuk jam ende në kushtet për të thënë se nga momenti në moment mund të firmos me këtë skuadër apo me tjetrën.

Vijoj ende të kem kontakte te Legia e Vashavës. Mund t’ju them se kisha arritur një akord dhe isha thuajse gati për të firmosur, por situata ndryshoi menjëherë. Aty u ndërrua trajneri para pak ditësh dhe tani do të duhet që të bisedohet më së pari me atë para se të firmos kontratë (trajner i Legias ishte polaku Jan Urban, i cili u shkarkua më 17 dhjetor dhe dy ditë më vonë në vend të tij u emërua norvegjezi Hening Berg).

Kam folur me tre-katër klube në Austri. Para disa ditësh pata një takim me drejtuesit e Rapidit të Vjenës, ku kam luajtur edhe më parë, por vërej se aty, ashtu sikundër edhe në klubet e tjera në kampionatin austriak, nuk duan të shpenzojnë shumë parà dhe tentojnë gjithnjë që të marrin lojtarë shumë të rinj në moshë, me qëllim që më pas të mund t’i shesin dhe normalisht të përfitojnë financiarisht. Pra, e shikoj shumë të vështirë situatën, të paktën për momentin”, shprehet Salihi, i cili mund të kthehet kështu të luajë në Shqipëri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje