Sot është mbrëmja e Krishtlindjeve dhe shumë fëmijë anekënd botës presin babagjyshin për dhuratat posh të pemës festive. Xhani De Biazi nuk hyn te kategoria e atyre njerëzve që presin dhurata nga qielli. Jo vetëm sepse një 57-vjeçar nuk beson te Santa Klausi (babagjyshi), por sepse sipas tij gjërat e mira vijnë me punë, seriozitet dhe shumë sakrificë. E megjithatë, në një atmosferë të tillë festive, trajneri i Kombëtares “zhbalancohet” disi dhe pohon se nëse do të ishte për një moment ai vetë babagjyshi, Shqipërisë do t’i dhuronte një stadium. Në intervistën për “Panorama Sport”, ai flet për objektivat që ka në të ardhmen, por zbulon edhe disa nga sekretet e vitit që po lëmë pas. “Ngjarja që më impresionoi më shumë ishin protestat kundër armëve kimike. Ndërsa dita më e keqe e vitit ishte kur u rrëzova nga biçikleta dhe theva brinjët”, – thotë trajneri italian.
Ku do t’i kaloni festat e Krishtlindjeve?
Ndryshe nga herët e tjera, këtë vit do t’i kaloj në Milano te prindërit e bashkëshortes. Gjithnjë në të kaluarën kanë ardhur ata në shtëpinë time, por këtë herë do të shkojmë ne, pasi ata e kanë të pamundur të lëvizin.
Keni parë ndonjë ndeshje të kampionatit shqiptar së fundmi?
Po, e ndjek gjithnjë me vëmendje kampionatin shqiptar. Ndeshja e fundit që kam parë të plotë ishte Partizani-Besa 3-1.
Keni vëzhguar së fundmi ndonjë lojtar të ri, brenda ose jashtë Shqipërisë?
Disa lojtarë janë nën vëzhgim të vazhdueshëm, por besoj se vetëm nëse ndonjëri prej tyre do mund të shpërthente si një talent i vërtetë, atëherë mund ta zgjerojmë grupin e lojtarëve aktualë, pra do të mund ta ftonim në përfaqësuese.
Taulant Xhaka u pajis me pasaportë shqiptare. Ku do të luajë?
Besoj dhe shpresoj që Taulanti të jetë gati për eliminatoret e Europianit.
Keni kontaktuar së fundmi me Çanin?
Jo.
Nëse do të vazhdojë të ketë probleme me aktivizimin edhe këtë sezon, kush do të mund ta zëvendësojë atë?
Mendoj se është herët për konkluzione. Kur të vijë momenti do të bëjmë vlerësimet e duhura.
Salihi ende nuk ka gjetur një skuadër. Juve mund t’i sugjeronit ndonjë? Sipas jush, cilës skuadre italiane mund t’i bëjë punë ai?
Nëse Hamdiu më kërkon një këshillë, atëherë pa diskutim që do të isha i gatshëm ta ndihmoja, por tani nuk di të them me saktësi se në cilën skuadër italiane ai mund t’i interesojë.
Sa u përket lojtarëve të mesfushës, vetëm Vajushi dhe Gjasula luajnë rregullisht. Lojtarë që duket se nuk janë në planet tuaja… A do të kenë ata një shans në të ardhmen?
Po i ndjek me vëmendje në kampionatin e tyre dhe ashtu siç kam thënë përherë: portat e Kombëtares janë të hapura për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e saj…
Cila është gjëja më e bukur që ju ka ndodhur gjatë vitit 2013?
Më kanë ndodhur shumë gjëra të bukura në vitin 2013, por ajo që i lumturoi të gjithë ishte fitorja në Norvegji.
Po gjëja më e shëmtuar?
Rrëzimi nga biçikleta, ku theva disa brinjë.
Cila është gjëja më e çuditshme që ju ka ndodhur?
Më shumë sesa e çuditshme, do të thosha se ngjarja që më ka impresionuar më tepër ka qenë protesta spontane e studentëve dhe qytetarëve të thjeshtë kundër demontimit të armëve kimike në tokën shqiptare. Do të thosha se ai lloj manifestimi për të mbrojtur të ardhmen dhe shëndetin e fëmijëve të tyre, ishte një gjest i madh demokracie dhe një garanci për të ardhmen e popullit tuaj.
Nëse nuk arrijmë të kemi një stadium që përmbush kriteret për ndeshje ndërkombëtare, çfarë do të ndodhë me ju? Do të pranoni t’i luani të gjitha ndeshjet jashtë?
Besoj se kjo nuk do të ndodhë, por nëse fatkeqësisht do të ndodhë, atëherë do të luftojmë akoma më shumë dhe besoj se mbështetja e tifozëve nuk do të mungojë as në ndeshjet që luajmë jashtë, sepse tifozët e kanë demonstruar se sa të shenjtë e kanë përfaqësuesen.
Cili është qyteti shqiptar që ju ka bërë më tepër përshtypje?
Berati. Ishte vërtet një surprizë e bukur. Me lagjen “Mangalem” dhe kodrat e saj… me atë lumin që rrjedh në mes… ishte shumë i bukur.
Kush është personi apo personazhi shqiptar që ju ka befasuar më shumë?
Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili me karizmën dhe inteligjencën e tij, arriti që me një ushtri të vogël të mos lejonte pushtimin nga turqit. Një shembull që na shkon për shtat edhe sot: nëse bashkojmë forcat, atëherë mund të shpresojmë për një objektiv madhor. Nëse vendos të luftosh i vetëm, atëherë do të kesh më pak mundësi.
Çfarë nuk duhet të bëjë kurrsesi një lojtar që punon me ju, për të mos prishur raportet me ju?
Të mos vërë interesat e tij para interesave të skuadrës. Kurrë!
Çfarë ju pëlqen më tepër nga futbolli?
Mundësia që të jep një ndeshje për ta fituar atë edhe përballë rivalëve më të fortë.
Po më pak?
Që me kalimin e kohës triumfon gjithnjë ai që ka më shumë cilësi teknike dhe lojtarët e tij luajnë gjithnjë për skuadrën dhe jo për veten…
Është e vërtetë që jeni juventin?
No koment.
Është e vërtetë se bëheni shumë nervoz pas një humbjeje?
Varet. Pa dyshim, nuk më pëlqen të humb (ashtu si edhe çdo personi tjetër), por ama acarohem shumë nëse e kuptoj që humbja erdhi si pasojë e mendjemadhësisë sonë…
Pse ndonjëherë jeni në shënjestrën e kritikave të trajnerëve shqiptarë?
Ou, vërtet? Nuk e kisha kuptuar. Të gjithë ata që takoj, më kanë shfaqur vlerësim dhe simpati.
Nëse do të takoni babanë e Januzajt, çfarë do t’i thoni?
Do t’i shpjegoj projektin që kam me Januzajn në ekipin përfaqësues. Vetëm kaq!
Nëse babagjyshi i Vitit të Ri do të ekzistonte, çfarë do t’i kërkonit?
Të na bëjë të mundur që të provojmë emocionet e kualifikimit në Europian.
Po nëse do të ishit ju për një moment babagjyshi i Vitit të Ri, çfarë do t’i dhuronit Shqipërisë?
Një stadium të vogël, por komod, ku të ishin hapësirat e nevojshme si brenda tij, ashtu edhe jashtë. Të kishte palestra, dyqane dhe në këtë mënyrë të frekuentohej nga njerëzit edhe kur nuk ka ndeshje. Do të doja që në këtë mënyrë Kombëtarja dhe tifozët jo vetëm që të ndiheshin rehat, por sa herë që do të kishte ndeshje ndërkombëtare, ky stadium të ishte një panoramë e duhur për t’u treguar të tjerëve Shqipërinë që është duke bërë hapat e duhur për në Europë./Panorama Sport