Lila hero, gol dhe rinovim kontrate me Janinën për 3 vite

24 Dhjetor 2013, 14:13Sport TEMA

Andi Lila i bën të gjitha te PAS Janina. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare ka qenë dje heroi i skuadrës greke, teksa i ka dhënë fitoren 2-1 ndaj Arisit në ndeshjen e fundit për këtë vit. Përpara se të luhej takimi, lojtari kavajas, bashkë me mesfushorin Emiljano Vila kanë zyrtarizuar rinovimin e kontratës me klubin grek. Ky i fundit bëri publike në orët e paradites së djeshme se Lila dhe Vila kanë rinovuar për tri vite të tjera.

“Kemi kënaqësinë të njoftojmë se Andi Lila dhe Emiljano Vila kanë zgjatur marrëveshjen me klubin e Janinës deri në qershor të vitit 2017. Kontrata e tyre përfundonte me mbylljen e këtij sezoni. Pas shumë negociatash, presidenti Jorgos Hristovasilis arriti t’i bindte lojtarët shqiptarë, të cilët tashmë rikonfirmohen si dy shtylla të skuadrës janiniote.  Ofertat për Lilën dhe Vilën kanë qenë të shumta, por gjithsesi ata më në fund zgjodhën të vazhdonin karrierën te Janina. Për Lilën insistoi klubi italian i Kievos, por presidenti Hristovasilis bindi futbollistin për të qëndruar në Janinë”, – raportonte dje faqja zyrtare e Janinës, shkruan “Panorama Sport”.

Pas Janina fitoi ndaj Arisit 2-1, në një ndeshje ku lojtarët shqiptarë u bënë protagonistë. Lila dhe Vila e nisën si titullarë, teksa pas një pjese të parë pa gola dhe me dy kartonë të kuq (nga një për secilën skuadër) shpërthimi erdhi në 45 minutat e dyta. Fillimisht Janina kaloi në avantazh me argjentinasin De Vinçenti, që shënoi me penallti. Më pas barazoi Arisi, gjatë një kundërsulmi, për të ardhur në minutën e 73-të, kur Lila ktheu në gol një goditje dënimi të Janinës. Pas krosimit në zonë, mbrojtësi kërceu me kokë dhe shënoi. Lila menjëherë kreu ritin e tij të zakonshëm, duke festuar i ulur në gjunjë dhe puthur tokën. Ky ishte goli i parë i Lilës për këtë kampionat, pas 15 ndeshjesh si titullar te Janina. Dje, trajneri i Janinës i la dy shqiptarët në fushë për 90 minuta, në një ndeshje që ishte shumë e rëndësishme për ecurinë e skuadrës, që pas kësaj fitoreje i largohet zonës së ftohtë, duke e mbyllur në mesin e artë.

1 komente në “Lila hero, gol dhe rinovim kontrate me Janinën për 3 vite”

  1. Fatmir says:

    ketij i them HEROIZEM une,te besh gol me koke dhe te rivovosh kontraten per 3 vjet…….ah se desh harrova,a i keni marre rrogat mujore apo jo ? edhe sa muaj ju kane mbetur pa paguar?……..lajm per te qare hallin…….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje