Miqësorja Kosovë-Kroaci, “çmenden” në Beograd

6 Janar 2014, 14:56Sport TEMA

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, Zoran Lakoviç, e ka konsideruar një provokim mundësinë e miqësores Kosovë- Kroaci në muajin mars në Prishtinë.

Beogradi vazhdon të lobojë në FIFA dhe UEFA kundër njohjes së Kosovës, vendim që pritet të jepet javën e ardhshme.

“Ky është vetëm një ndër provokimet që vazhdojnë prej dy muajsh. Kroatët prej kohësh po mundohen të plotësojnë atë ide për të luajtur me të ashtuquajturën Federatë të Kosovës”, tha Lakoviç për gazetën beogradase ‘Kurir’.

“Kemi informata që ata kanë ftesa për këtë nga qarqet e futbollit, por edhe ato politike. Po mundohen në çdo mënyrë të sjellin trazira në vendet e rajonit, por gjithë plani i tyre do të dështojë”, vijoi ai.

Më pas, Lakoviç theksoi se Kosova nuk do të marrë dritën e gjelbër nga FIFA, për shkak se fillimisht duhet të jetë anëtare në UEFA, e cila kushtëzon pranimin me anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

“Ajo çka mund t’ju them, është se kjo ndeshje nuk do të luhet për shumë arsye. E para, Kosova nuk e ka lejen e FIFA-s. Ata nuk do e marrin atë, sepse duhet të jenë anëtarë të UEFA-s dhe për t’u anëtarësuar aty, duhet të jenë anëtarë të Kombeve të Bashkuara”, vijoi Lakoviç.

Sakaq, sekretari i Federatës Serbe ka qartësuar se nuk ka asnjë lidhje mes rastit të Gjibraltarit, i cili u pranua në FIFA dhe UEFA vitin e shkuar, pavarësisht refuzimit nga ana e Spanjës.

Gjithsesi, burime të shumta kanë bërë të ditur se Kosova më 10 janar, në Zyrih, do të marrë dritën e gjelbër që të zhvillojë ndeshjen.

2 komente në “Miqësorja Kosovë-Kroaci, “çmenden” në Beograd”

  1. jordanka says:

    Shume i politizuar ky kryetari i fut bolit serb!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje