Një reformë që justifikon rimandatimin

14 Janar 2014, 21:09Blog TEMA

Nga Arben Manaj

 

Shpesh më ka habitur dhe shqetësuar njëkohësisht fakti që në vendin tim, shumë gjëra që kanë një rëndësi jetike për përditshmërinë dhe perspektivën, qoftë individuale, por edhe kolektive, anashkalohen, nuk vlerësohen dhe injorohen në mënyrë vetëdëmtuese.

Kështu kontaktoj edhe këto ditë me një njoftim, apo lajm, që do të duhet të kapej në ajër dhe kushtohej vëmendja maksimale nga shoqëria; pikërisht asaj për reformën e pritshme për pensionet.

Kolektivisht, por edhe individualisht, shqiptarët e këtij janari duket se më shumë i kushtojnë kohë dhe hapësirë interesi menderes juridike të Xhelal Mziut, sesa asaj reforme që ka një ndikim të jashtëzakonshëm për dinjitetin e tyre njerëzor në një periudhë kohore kur do i kenë lënë të gjitha bateritë dhe energjitë e moshës.

Me përjashtim të Top Channel apo ndonjë media tjetër, reforma e pensioneve, e njoftuar nga ministri vizionar dhe proaktiv Erjon Veliaj, kaloi si një meteor në qiellin mediatik dhe publik shqiptar, a thua se bëhej fjalë për një reformë të zakonshme të një fushë që nuk është se prek, sa kjo reformë, jetën e përditshme të atyre që do mbushin moshën e tretë.

Është e frikshme që nga 1.8 milionë shqiptarët aktivë, vetëm rreth 560 mijë janë në skemën e sigurimeve shoqërore, ose më saktë, vetëm ata do të mund të kenë një lloj të ardhure të garantuar në moshën e pensionit, përveç të ardhurave që mund të kenë nga aktivitete të tjera.

Të tjerët, sa për pamundësi financiare deri diku, papërgjegjshmëri uluritëse individuale, moslargpamësi apo neglizhencë fatale, do të jetojnë, nëse nuk bëhet kjo reformë, një jetë të garantuar përplot privacione, mungesë të frikshme dinjiteti njerëzor e skamje financiare, në një moshe kur do të jenë impotent për gjithçka, e kur edhe ai kujdes njerëzor tradicional shqiptarë në nivelet e sotme për të afërmit e prindërit e pensionuar, pritet të jetë më i zvetënuar pas disa dekadash, siç ndodh rëndom me çdo shoqëri apo vend në kapitalizëm, që në bazë të saj ka fatkeqësisht, por faktikisht, individualizmin dhe venitjen e solidaritetit njerëzor.

Është një ndjeshmëri dhe përkujdesje e jashtëzakonshme për nga përmasat, që atyre që sot janë 35 vjeç e poshtë, t’u ofrohet pensioni bazë shtetëror, në bazë të skemave te ngjashme deri diku në Angli, Suedi apo në ndonjë shtet tjetër, kur nuk kanë hedhur asnjë qindarkë për të ardhmen e tyre.

Është fjala për një brez që në moshën e përmbysjes së sistemit socialist dhe rivendosjes së kapitalizmit në Shqipëri, ose ishte në dekadën e parë të jetës dhe vetëkuptohet të pandërgjegjësuar për nevojën e kontributit për një etapë të mëvonshme të jetës, ose nuk kishin ardhur ende në jetë.

Është një brez që po rritet në periudha traumatike të tranzicionit të vështirë shqiptar, pa mundësi punësimi të qëndrueshme dhe shanse ekonomike, apo pa orientime adekuate për domosdoshmërinë e të menduarit përtej mbijetesës së ditës së sotme, pa një treg të rregulluar privat kontributesh shoqërore apo edhe me një skemë shtetërore shumë të kufizuar në dimensione.

Pa përmendur pastaj, që numra të lartë të popullsisë aktive kanë emigruar e që faktikisht, mesa duket hëpërhë, nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga kjo skemë pensioni shtetëror, apo “kolona zero” siç njihet ndryshe.

Por për të larguarit nga Shqipëria për dallim nga ata që janë rezident që do t’i përfshijë kjo skemë apo reformë në embrionin e saj, pasi pritet të diskutohet më gjerësisht, ndoshta do të duhet të mendohet për forma kontribuimi alternative, pasi kanë mundësitë financiare, por edhe për faktin se jo të gjithë në vendet ku kanë shkuar, nuk janë të inkuadruar në skemat  korresponduese, apo edhe nuk kane as lejet rezidenciale të përhershme në këto vende e janë në lëvizje të vazhdueshme në përpjekjet për t’u stabilizuar apo përshtatur tregut të punës në vendet e BE-së.

Njëkohësisht, pa harruar edhe pamundësinë për të qenë pjesë e skemave zyrtare apo private të pensioneve në vendet ku jetojnë për shkak të mospasjes së kontratave formale të punës apo të punuarit në të zezë në një pjesë të madhe.

Megjithatë, që qeveria e re dhe Kryeministri Rama të mendojnë dhe aplikojnë një reformë të tillë, që përfshin një pjesë shumë të madhe të shoqërisë shqiptare, sa është shprehje e përkushtimit të admirueshëm për të shpëtuar në kohë dinjitetin njerëzor apo për ta rilindur atë që të mos dështojë në moshën e tretë, aq përbën edhe një tentativë për të shmangur një bombë sociale me sahat, e cila i kanoset shoqërisë shqiptare me dëme të pallogaritshme njerëzore, por edhe financiare për qeveritë e ardhshme të Shqipërisë.

Sikur shqiptarët e sotëm 35- vjeçarë e poshtë, “pa dallim feje, krahine apo ideje”, do të mund të arrinin të kuptonin se çfarë nderi dhe çfarë kamardare po u afrohet nga shteti, që do t’i sigurojë atyre një lloj paqe relative shpirtërore dhe sikleti në dimrin e jetës së tyre, do të ishte gjysma e së keqes.

E sikur shqiptarët e kësaj kategorie të rishkunden për domosdoshmërinë e kontributeve në pensione, duke lënë pa pire disa kafe e ujë pa gaz në muaj apo ndonjë qejf tjetër pa bërë, në tundimin për ekzibicion bosh në shoqëri, do ti bënin po aq nder vetes së tyre në radhë të pare dhe do t’ia lehtësojnë jetën çdo qeverie të ardhshme dhe brezi të mëpasmë, pasi vjen një ditë e është shumë vonë.

Reforma e pensioneve padyshim që përbën një rrip shpëtimi që shteti i sotëm kërkon t’i japë shqiptarëve për çdo turbulencë në një stad të mëvonshëm të jetës fizike, por përfundimisht do të ishte e mjaftueshme për nga përkujdesja e demonstruar dhe vizioni, për të mos i lënë pa dinjitet e në privacione të paimagjinueshme këtë brez dhe çdo brez tjetër pas tyre, përkujdesje e cila e meriton dhe justifikon rimandatimin e kësaj qeverie, sikur edhe asgjë tjetër të mos bëj këtë mandat nga sa ka premtuar.

Të paktën, ky është deduksioni im, që në fund të fundit, një skemë e tillë nuk më prek.

5 komente në “Një reformë që justifikon rimandatimin”

  1. K. Frasheri says:

    Problemi kryesor qe nje shumice e madhe njerezish nuk mundin dot te paguajne kontributet e sigurimeve shoqerore eshte mungesa e te ardhurave dhe veshtiresite per te perballuar jetesen e tyre . Eshte per te ardhur keq qe te gjitha qeverite, deri me sot, kane qene indiferente me kete problem kaq te rendesishem e jetik per te ardhmen e mijera e mijera njerezve, por pergjegjesia kryesore bie mbi qeverine, e cila nuk ka gjetur asnje forme ligjore, qofte edhe nepermjet perfshirjes se ketyre personave ne skemen e mbulimit social, qe nenkupton qe shteti subvencionon te gjitha ato kategori personash qe jane papune, ata qe jane ne pune sezonale, ata persona me te ardhura te pamjaftueshme per te perballuar kostot e jeteses, etj. Ne opinionin tim, ky rol i shtetit eshte i realizueshem per nje vend te vogel si Shqiperia dhe me mundesi maksimale per te kontrolluar kete skeme. Por ka munguar vullneti i te gjitha qeverive per te gjetur nje zgjidhje optimale e cila me siguri qe vitet qe do te vijne do te kthehet ne nje bumerag social per shoqerine shqiptare.

  2. art says:

    Me kete duhet te ishte mare fillimisht z. Rama e ministrat e tij (injorantet e radhes), qe nxituan te rrise taksa e tatime ku ishin e ku nuk ishin e qe nje vrime ne uje ka bere persa kohe nuk garanton.kerkon deklarim te sakte. Jo te gjithe ata qe nuk jane ne skeme nuk pumojne, nje pjese e mire punojne po nuk paguajne as sigurime shendetesore, as kontributin pensional e as tatimin mbi te ardhurat, pasi as qe deklarohen fare. E hec e rregullo spitalet e pensioinet pastaj…

  3. luani londer says:

    Po shohim drite ne tynelin 23 vjecare fale kjo qeverise se re se salihi mendoi per te tyret duke vjedhur popullin e pasuruar nje 3% afer salihit,ne kishim shpresa per demokracin por ajo me duket se po vjen ne kete qeveri te re.Eshte nje e mire qe i afrohet popullit tone po kjo nuke eshte rugezgjidhje,rugezgjidhja do ishte punesim ne te gjitha fushat po le te ushqejne te varferit se kapitalizmi i ketyre viteve i la pa buke e pa shtepi brezin e ri, hiq emigracionin, nuk di ku ka koken.Do sugjeroja me shpresen per tu realizuar nje minimum JETIK ME CMIMET QE KA VENDOSUR SALIHIgjate ketyre viteve me elementet jetik per te mos poshtruar shqipetari me 35000 leket (te vjetra) qe i ipte qeveria e hajduteve te salihit,por nje minimum per te jetuar normal dihet se nuk jemi te pasur por ka aq leke sa te behet kjo reforme,media te bej punen e saje mjafte me percarje.

  4. reformer says:

    artikulli fillon shume mire, pastaj kalon neper disa zgjerime, si psh fati i shqiptareve te cilet aktualisht jane jashte shtetit, per te cilet sigurisht do te ishte mire te mendonim, por edhe sikur te kishim thesaret e Solomonit nuk do te mund ti ndihmonim dot!

    shqiptaret qe jane jashte shtetit, midis tyre edhe autori, e njohin ekonomine e tregut shume me mire se shqiptaret qe jetojne ketu dhe ketu pikerisht qendron roli i tyre iluminist ose sic thuhet shqip ndricues!

    padija nuk do duhej te pillte privilegje, por ja qe padija e shqiptareve qe jetojne brenda atdheut te tyre, i privilegjon ata me kujdesin e shtetit qe merr persiper te korigjoje efektet negative te injorances se tyre ne fushen e sigurimeve dhe pensioneve!

    por mos kujto Arben se ata nuk e dine kete! ata thjesht jane mesuar te flene ne krahet e shtetit pa e vrare mendjen per pensionin e tyre!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje