Lavdi marrëzisë

9 Janar 2014, 16:36Blog TEMA

Për ata që nderojnë politikanë për arsye banale dhe për politikanë që bëjnë veprime banale duke menduar se po nderojnë dikë. Për ata që i thurin lavde marrëzisë.

Nga Imer Mushkolaj

Vendimi i parë që u mor nga asambleistët e rinj të Deçanit, tri-katër ditë para fundit të vitit 2013, ishte shpallja “qytetar nderi” e Lulzim Bashës. Pasuesi i Sali Berishës në krye të Partisë Demokratike dhe kryebashkiak i Tiranës u bë deçanas një vit pas shefit të tij. Ndërkaq, para shtatë muajsh Basha u shpall edhe”qytetar nderi” i Prishtinës.

Fundmajin e vitit të kaluar paraardhësi i Bashës në Bashkinë e Tiranës dhe pasardhësi i Berishës në Kryeministri, Edi Rama, u shpall “qytetar nderi” i Skënderajt. Në anën tjetër, nuk u la anash as Ramush Haradinaj në Shqipëri, duke u shpallur “qytetar nderi” i Lezhës, Mamurrasit, Vlorës, Pukës, Burrelit, Shëngjinit, Tropojës…

Nderimi i Haradinajt mund të kuptohet me kontributin e tij, si një ndër figurat kryesore të luftës, por se çfarë meritash ka Lulzim Basha për Prishtinë e Deçan, si dhe Edi Rama për Skënderaj – dreqi e merr vesh.

Qytete normale në botë shpallin qytetarë të tyre nderi kryesisht artistë, si shkrimtarë, piktorë, aktorë, por edhe shkencëtarë, mjekë e njerëz të tjerë të shquar. Në Kosovë ndodh ndryshe.

Pa asnjë arsye të fortë dhe me një lehtësi të padurueshme, asamble komunale e parti të caktuara sikur janë në garë se kush do të shpall më shumë “qytetarë nderi” të një opcioni të caktuar politik matanë kufirit. Kështu AAK, më shumicë votash në asamblenë deçanase, nderon Berishën e Bashën, LDK me shumicë votash në Prishtinë nderon Bashën, e PDK me shumicë votash në Asamblenë e Skënderajt nderon Ramën.

Çfarë nderi është që të bësh “qytetar nderi” Berishën, Bashën e Ramën, kontributi i të cilëve për këto qytetet është zero? Sa e sa njerëz të tjerë, gjatë gjithë viteve të pasluftës kanë ndihmuar në rindërtimin e qyteteve të shkatërruara, kanë ndihmuar njerëz që kanë përjetuar tmerret e luftës dhe kanë ikur nga ky vend pa çarë kokën kush për ta? Sa e sa njerëz kanë ikur fare nga kjo botë dhe askush nga këto dhe të tjera qytete nuk është kujtuar t’i nderojë për së gjalli? Ata që luajnë këso lojërash të ulëta politike, për marketing banal politik, përpara se të thurin lavde për ata që i nderojnë, i thurin lavde vetëm marrëzisë. E marrëzia nuk ka skaj.

Jam zhgënjyer shumë me veprimin e kryetarit të ri të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili largoi nga zyra flamurin e Kosovës. Shumë veprim fëmijëror, për një personalitet që ka ardhur në pushtet me premtime “burrërore”.

Një veprim që nuk kishte nevojë të ndodhte. Edhe pa të, Ahmeti do të ishte mjaftueshëm patriot në detyrën e re.

Ahmeti është kryetar i kryeqytetit të Kosovës, shtetit në bazë të ligjeve të të cilit ka ardhur në atë pozitë, shtetit në bazë të ligjeve të të cilit kolegët e tij partiakë veprojnë në Kuvendin e Kosovës, shtetit i cili ka një flamur. Nuk është kurrfarë burrnie e as patriotizmi, por është marrëzi që ky simbol të hiqet nga zyra e kryetarit të komunës. Është krejt tjetër muhabet nëse Ahmetit ose dikujt tjetër i pëlqen apo jo flamuri. Por, ai duhet respektuar, e jo përdhosur. Përndryshe askush nuk mund të pretendojë se po punon sipas ligjit e të mbajë ligjërata foklorike e kuazipatriotike gjithandej, thua se patriotizmi e nacionalizmi kanë mbetur në ta.

Në vend që të heq flamuj nga zyra Ahmeti, ta zëmë, do të kishte mundur të caktojë një person përgjegjës që merret me media, e jo që informatat të cilat kanë të bëjnë me aktivitetet e komunës, t’iu dërgohen mediave nga zyrat e Vetëvendosjes. Ahmeti duhet ta dijë se në postin që e ka marrë nuk i përfaqëson vetëm anëtarët e simpatizanët e subjektit të tij politik, por të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe ata nuk janë të obliguar të kenë kurrfarë lidhje emocionale me gjëra për të cilat ai mund të ndiejë dobësi.

Të qenët kryetar i një komune është përgjegjësi menaxhimi të mirë e të drejtë. Marrja me simbolika absolutisht jopërmbajtësore nuk ndihmon aspak në përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ahmeti është i vetëdishëm se banorët e Prishtinës përballen me shumë probleme dhe sa më herët që të ndihmojë në zgjidhjen e tyre, aq më mirë. Nuk është punë e tij të merret me flamuj e fotografi. Tekefundit çështja e tyre është e rregulluar me ligj dhe gjëja më e thjeshtë është që ligji të respektohet. Spektaklet pa nevojë e pa shije nuk e nderojnë askënd, madje as flamurin kombëtar të cilin Ahmeti po dashka ta respektojë në këtë mënyrë. Por, ai nuk mund ta respektojë një flamur, duke përdhosur një tjetër.

Ahmeti së pari duhet ta respektojë vendin e tij të punës, pozitën e të parit të kryeqytetit dhe qytetarët që i udhëheq. E qeverisja e tij nuk do të matet me simbolika, por me përkushtim e punë.

Po të ishte për simbolika, Isa Mustafa do të fitonte edhe një mandat. Por, flamuri i shpikur dhe i shpifur “i Dardanisë”, të cilin e mbante në zyrë, nuk i ndihmoi në ambiciet e tij.

Ahmeti duhet të mëtojë që t’i thuren lavde punës së tij të mirë, e jo veprimeve të ulëta, si ai i heqjes së flamurit. Ai nuk duhet t’i thur lavde marrëzisë. E marrëzia nuk ka skaj.

11 komente në “Lavdi marrëzisë”

  1. Paskal Harito says:

    Po cfare lidhje mund te kete Ramush Haradinaj, Qytetar Nderi i Lezhes.Po pse dy vjet me pare u shpall Beh-gjet Pacolli Qytetar Nderi i Lezhes.A dini te me thoni a te na thoni Pse? A e njohin Lezhen keto dy persona.Po Keshillat Bashkiake si e ngrejne doren. A keni ndopak pergjegjesi para qytetareve te Lezhes.KRITERET cilat jane.Malli i lire qytetar nderi….

    1. Jonila Godole says:

      Nese ka njeri qe i meriton vertet

      medaljet e dhena keto 23 vjet,

      ai eshte Arbri dhe vetem Arbri.

      http://goo.gl/2G5R6f

    2. fronti demokratik says:

      Pershendetje! Saliu e ka fajin!

  2. Toni says:

    Q ja nanen shanim neper dhemb psa ishte hrushovi qytetar nderi i tiranes na tani basha qytetar nderi i macukullit. He moj demokraci ta lumsha synin

  3. Nazmi Berati says:

    Drejt.

  4. Euro Maloku says:

    SI DUKET KETA PERSONA “NDERI” NDIKOJNE NE JASHTEQITJEN E QYTETAREVE….
    NJE kosovar sa kujton SALIHIN i vjen me shpejt per te dhier..
    JO SE NDRYSHE DO TE BEHEJ KAPS GJITHE KOSOVA!!!!

  5. kerpaci says:

    Bejne mkre qe krijojne te tilla show se ndryshe nga duhej te kuptnim ne se c’mostra na grabisin e na baterdisin cdo dite. Dhe mire na e bejne se prap s’zeme mend.

  6. nora mali says:

    LAJTHITHJE SHQIPTARE , QYTETAR NDERI BEJNE ATO NJERZ QE VRANE NJERZ TE PAFAJSHEM ANDEJ DHE KTU BRENDA NENES SHQIPERI . DERI KUR KESHTU MA…………..

  7. drita cili says:

    Te shpallesh qytetar nderi nje vrases si sALIU E NJE HAJDUT E VRASES SI bASHA ESHTE KRIM E DUHEN DENUAR ATA qe i kane votuar neper keshillat komunale perkates.Zaten kosovaret vdesin per kryekriminelin sali se e konsiderojne”burre malcie”

  8. Gjergj Araniti says:

    Po unë, a mund të shpallem të paktën “Fshatar nderi”, në ndonjë fshat…???(Se qytetet janë zënë të tëra nga politikanët tanë e s’ka vënd për ne vdekatarët…)

  9. Gjergj Araniti says:

    Po unë, a mund të shpallem të paktën “Fshatar nderi”, në ndonjë fshat…???(Se qytetet janë zënë të tëra nga politikanët tanë e s’ka vënd për ne vdekatarët…) Dua propozim konkret e vota nga ju komentuesit e TEMËS. Faleminderit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje