Fishta, Hoxhë Ibrahimi dhe Papa Kristo Negovani

6 Janar 2014, 19:53Blog TEMA
Fishta, Hoxhë Ibrahimi dhe Papa Kristo Negovani

 

 

 

 

Genc Prelvukaj

Propaganda fetare e praktikuar së fundi nga disa klerikë dhe ndoshta dy organizata politike në vend, me apo padashje ka përfshirë për së vdekuri shtresën intelektuale dhe ushtarake të mbi njëqind viteve ndër shqiptarët. Natyra me prirje të moderuar  e kategorisë së njerëzve i që dhanë shtytje forcimit të ndjenjës kombëtare, ka tendencë të mbulohet padrejtësisht me petkun religjioz, nga dy formacione politike dhe teologë që së fundi nuk e dijnë vendin e tyre. Fabrikimi i të dhënave dhe prezentimi i disa materialeve në mënyrë të njëanshme, në shërbim të shpërndarjës së ideve politike krijon një tablo të qartë mbi ekzistencën e rrymave fetare të elektrizuara brenda shoqërisë shqiptare së fundi. Megjithatë personalitetet historike edhe pse janë organikisht të vdekur dhe nuk kanë gojë të flasin, asesi nuk mund të sinkronizohen gabim dhe tu ngjitet dicka që nuk përkon me të bëmat, mendimet dhe orientimet e tyre politiko-shoqërore. Ata kanë thënë shumëcka përmes sjelljeve dhe veprimtarisë së  tyre publike si  dhe përbrenda mendimeve të shkruara që kanë arritur deri në ditët e sotme.

Fillimisht qëllimi për të transmetuar në publik mendime politike që i japin kreditet kryesore religjionit në procesin e zgjimit kombëtar apo ruajtjës së identitetit etnik, përveç pasaktësisë ndërlidhë në vete edhe drojën për ekzistencën e një ane të errët përbrenda këtij komunteti që hap gojën vërdallë për hipotezat e pambështetura si këto. Nëse i shmangemi popullizmit të praktikuar nga shtresa politike e mëvonshme që ka mbuluar shumëçka për hir të bashkimit të njerëzve përreth çeshtjës së komb dhe shtetndertimit, ndikimi I religjionit në krijimin e vetëdijës kombëtare, mund të na shfaqet shumë më ndryshe ( në disa raste edhe destruktiv ) se sa që jemi mësuar ta pohojmë. Sa per ilustrim thirrja e Pashko Vasës, për të lënë anash dallimet ndërmjet besimeve dyshoj të jetë motivuar nga ekzistenca e ndonjë fraksioni fanatik ndër popull , sepse ndryshe nuk do ta thoshte. Si personalitet Pashkoja  na shfaqet  shumë i moderuar në raport me konfesionet, duke thënë metaforën më të nevojshme për kohën kur ai ka jetuar. Nga grupet e paditura dhe shoqëritë radikale religjioze duhet të jetë goditur siç goditët edhe sot për së vdekuri nga disa njerëz naivë që ose nuk e kanë të qartë domethëniën e fjalës metaforë ose qëllimisht e shtrembërojnë në fjalimet para masës për interes të caktuar.

Nëse “ tjerrën “ si duhet dokumentet e arkivuara, atëherë në kohën kur kombet mbijnë nëpër gjithë globin, ndër shqiptarë mentaliteti radikal fetar shfaqet  si pengesë në mundësine e ngritjës popullore të organizuar që do ti printe themelimit të një shteti të bashkuar shqiptar. Hasan Prishtina në kujtimet e tij, tregon me gisht drejt fanatizmit fetar në lidhje me dështimin e kryengritjës së vitit 1912 kur ishte në kulmin e suksesit, derisa në librin e George Gaërych “ Gjysmëhena dhe shqiponja “ thuhet se ndalimi i shtypit ne gjuhën shqipe nga Perandoria Turke, u bë me kërkesë të klerit musliman në Shqipëri, duke arritur deri tek çështja e Republikës Katolike të Mirdites në kohën kur shqiptarët qëndronin përballë pikëpyetjës së madhe të ekzistencës.

Prezenca e fanatizmit fetar në konakun e disa shqiptarëve, konfirmohet edhe nga vetë dokumentet osmane dhe qartësisht duket se ka qenë një lloj barre në procesin e përhapjës së idesë për shtetndërtim. Ndërsa, shtresa intelektuale shqiptare, paralelisht duke analizuar korrespodencën e tyre ndër kohë si dhe duke i gjurmuar publikimet dhe të bëmat e tyre, pa më të voglin dyshim buronte nga një ideologji e modernizimit të skajshëm në raport me religjionin.

Përzgjedhja e alfabetit latin në të shkruar, në vend të shkronjave arabe ose greke, është vetëm njëra nga cështjet  ku shtresa intelektuale shqiptare shfaqet e zgjuar, e orientuar drejt, e pjekur, duke zhbllokuar hamendjën e të huajve mbi dyshimin se në cilin qytetërim takojnë Shqiptarët. Përbrenda këtij komuniteti nuk kishte vetëm figura publike të besimit ortodoks apo katolik por edhe klerikë të bësimit islam si Hoxhë Hafiz Ali Korça i cili shpërtheu në grevë si kundërpërgjegjje ndaj masave të partisë “ Ittihad ve Tereki “ për të ndaluar përdorimin e shkronjave latine ndër shqiptarë. Iniciativa “ derë me derë “ e Hasan Prishtinës dhe Myfit Bej Gjirokastrës, të dy të besimit Islam dhe deputetë të parlamentit turk, në territorin e Kosovës dhe pjesës tjetër të Shqipërisë së sipërme, për të bindur popullin që largimi i alfabetit arab është i nevojshëm, zbulon poashtu një anë shumë të moderuar të figurave të para intelektuale në historinë e shqiptarëve karshi religjionit, në kohën ku përmes fesë bëhëj thirrje nga zyrtarë e nënpunës turq si dhe nga një fraksion i shqiptarëve konservativ të besimit islam, për lojalitet ndaj perandorisë dhe alfabetit zyrtar arab.

Shtresa e parë intelektuale dhe e ngritur e shqiptarëve përmes ideve të shpalosura guximshëm padyshim se i paraprijnë krijimit të një situate më të favorshme të komunikimit ndërfetar, eliminimit të intepretimeve të dyshimta fetare, dhe diskreditimit të grupeve radikale të instrumentalizuara nga jashtë. Në këtë shtresë kishte edhe klerikë në zë, që i përulëshin perëndisë sipas normave të besimit, por mbi të gjitha ishin kombëtarë e të moderuar, që më pas u bënë pikë referimi për një sjellje të mirë. Për shëmbull :në Kongresin e Manastirit, gjatë një fjalimi patriotik të Gjergj Fishtës, hoxhë Hafëz Ibrahim Efendiu nga Shkupi, i zuri rrugën priftit dhe iu hodh në qafë duke qarë e puthur si fëmijë. ( Kështu e jep, fjalë për fjalë Mustafa Nano në librin e tij “ Unë jam Gege “ ) Gjergj Fishta në anën tjetër  në Lahutën e Malcisë shkruan krahas Soko Tonës edhe për lavdinë e Ahmet Zenelit, krahas Vuksan Gjelit katolik edhe per burrërinë e Sinan Ajës musliman. Sigurisht edhe Hoxhe Hafëz Ibrahimi ashtu edhe Gjergj Fishta janë goditur e sharë nga shtresat radikale të vetat megjithatë shqiptarëve të rinj u lanë shembuj të mirë për të ndjekur. Janë “bujq” që hodhën farën e tolerancës fetare.

Naim Frasheri është muslimani i parë që ka shkruar studim mbi të bëmat e Skenderbeut, derisa vëllau i tij Shemsedin Sami Frasheri ka lartësuar personalitetin e tij në shumë raste të deklarimeve publike. Sigurisht që edhe ata mund të jenë goditur nga simpatizantë të intepretimeve ekstreme për shkak të lëvizjeve fetare të Skenderbeut, megjthatë suksesi në punën e tyre arsyetoi çdo mundim e fjalë të duruar. Lartësimi i ikonës mesjetare shqiptare krijoi një figurë gati mitologjike shumë të nevojshme për ti motivuar shqiptarët në cdo fushë të betejës, derisa vëllëzërit Frashëri zunë vend në cdo faqë të historisë dhe rrespekt tek cdo shqiptar i ditur. Për të vërtetuar disi konstatimin e thënë më lart, më duhet të ia bashkangjes këtu një  shprehje të Mustafa Krujës me të cilën e mbyll letrën dërguar Sali Nivicës ( të dy intelektualë të besimit Islam ) në lidhje me zhvillimet e kryengritjës së vitit 1912 “ Tashti lum vllai, s`po kam ma tjetër veçse me urue qi Perëndija e shpirti i Skanderbegut të na ndihmojë “ .

Në gjysmën e parë të shekullit XX, ka edhe  intelektuale dhe njerëz tjerë të njohur të cilët duken të moderuar karshi konfesioneve. Faik Konica shfaqet i qartë në këtë sferë ku përmes publicistikës synon orientimin e masave popullore drejt mendimit dhe pikëpamjeve liberale duke vënë në shënjestër vazhdimisht sjelljën dhe mentalitetin radikal në cështjet fetare. Safet Butka, Mehdi Frasheri, Tajar Zavalani poashtu.

Për të iu afruar fundit, Fishta, Hoxhë Hafez Ibrahimi, Vëllëzerit Frashëri, Hasan Prishtina, Myfit Bej Gjirokastra, Faik Konica, Mustafa Kruja, Papa Kristo Negovani ( I vrarë pse ligjeroi në kishë shqip ) etj  janë goditur nga elemente të ndërlidhur me ekstremizmin fetar në më shumë se njëqind vite, goditën edhe sot, megjithatë populli dhe historia atyre iu perulet, derisa shtresa e identifikuar me ekstremizëm fetar, nuk mbledh në vete lavdi, nuk përmendët për të mirë dhe cilësohet me të drejtë si kategoria më e turpshme e historisë së shqiptarëve. Pse kjo shtresë e zezë nuk u zgjërua dhe erdhi duke u zvogëluar në numër, është meritë e njerëzve nga komuniteti intelektual që i përçuan popullit mesazhe të qarta në lidhje me dëmet që prezenca e forcave ekstreme mund të sjellë.  Është e padiskutueshme që fraksione minore të ekstremit fetar kishte,  por ato u goditën fuqishëm nga shtresa e mendjeve të ndritura shqiptare fillimisht, e pastaj edhe nga vetë populli.

Kështu që mos të ia mveshin laicitetin dhe modernizimin vetëm komunizmit. Shoqëria shqiptare e ngritur dhe elita e saj kishte filluar udhëtimin drejt modernizimit karshi religjionit shumë dekada më herët.  Sepse që atëherë e panë mirë cfarë sjell ana tjetër.

 

12 komente në “Fishta, Hoxhë Ibrahimi dhe Papa Kristo Negovani”

  1. AC/DC says:

    Kush me thote se cfare do te thote artikullshkruesi eshte i madh!!!

    1. mustafa says:

      Kur i tregon Henen me gisht, IDIOTI shikon gishtin.

  2. feniks says:

    Ato,qe artikullshkruesi ka dashur te thote me dy fjale lexoji vetem ne DY RRESHTAT E FUNDIT TE SHKRIMIT!!!

  3. Kadri Dushku says:

    Kombet i bashkon gjuha, feja dhe kultura. Shqiptaret i bashkon vetem gjuha. Shteti komunist u mundua me force te bashkonte Shqiptaret e shume feve dhe kulturave dhe nuk ja arriti dot qellimit. Situata kultuore dhe fetare sot eshte ajo qe ishte para 100 vjetesh.

    Feja dhe Kultura eshte pra me e rendesishme se “modernizimi” socialist!

  4. Fadil Curri says:

    Nje panorame perfshirese e mendimit unik shqiptar dhe tolerances dhe nderimit nderfetar te tradites intelektuale shqipate. Përçarjet e shkruesve shqiptare vitet e fundit i shoh si frike e fqinjve armiqesore nga bashkimi i shqiptareve ne nje shtet dhe arsye te tjera. Duket se kane aktivizuar mekanizmat e tyre mediatike te perçajne shqiptaret, qe te arsyetojne para botes se keta nuk mund te menaxhojne civilizueshem me popullijh dhe trojet e tyre, ndaj qe nuk merituakeshim nje shtet te perbashket. Qielli i mjegulles mashtruese shpejt do te kthjellet, nese secili shqiptar e jep nga vetja perqindjen e vogel qe e dhane rilindesit tane. Me vone perçaresit e vertete shqiptare do te mbeten ne shesh lakuriq dhe me fytyre te vertete nga maska e çjerre e se vertetes.Pershendetje autorit e lexuesve dinjitoze.

  5. Billy says:

    Artikullshkruesi e thote qarte. Te mos mburrim vetem Enver Hoxhen, per unifikimin e popullit shqiptar rreth kombesise dhe jo fese, por dhe shume intelektuale te tjere shume kohe para tij.

  6. Latif Dreqi says:

    Lavdi emrit dhe vepres se Fishtes se madh…

  7. Zigur Qarri says:

    E njejta gje ndodh edhe sot.Fetaret radikal antishqiptar jan individet e instrumentalizuar nga faktori i huaj,grek,arab,turk apo sllav.
    Perçarja fetare esht e importuar nga jasht,si dje ashtu edhe sot,sepse per mentalitetin tolerant shqiptar ka qene gjithmone inekzistent.
    Denigrimi i nje besimi per te ngritur nje tjeter esht poshtersia me e madhe dhe propaganda me e ndyre antishqiptare.Te gjitha besimet jan te huaja per shqiptaret,prandaj duhet te rrespektohen njesoj per sa koh qe per ta ka nje zgjedhje te lire private.Feja shqiptarit esht shqiptaria.

  8. SHQIPTARI I KOSOVES,KRAHINES SE SHQIPERISE says:

    Sot,patriotet shqiptare kane rene ne KURTHEN e armiqve tane sllave, greke dhe islamike,sikunder edhe kreret e politikave shtetrore,te cilet e nenvlersojne doren destruktive dhe antishqiptare te perfaqesuesve te ketyre shteteve,te cilat nepermjet klerikeve te tyre ose kolaboracionistve ne Shqiperine etnike,po bejne perpjekje te zhbejne kombin shqiptar dhe Shqiperine ne pergjithesi.Ne qofte se,uzurpatori i KOASH,A.Janullatosi,dekleron se çdo ortodoks shqiptar eshte grek ose:”Nuk e kuptoj idene e shqiptarve qe feja e shqiptarit eshte shqiptaria.Kete teze do ta luftojme duke dale hapur kunder Rilindjes Kombetare Shqiptare”!Ose,ose,dekleraten e his.grek,N.Stavros:”Futja ne dore e kishes shqiptare eshte fitorja me e madhe e jona ne Shqiperi ne shek.XX”,çfare ju mbetet intelektualve shqiptare te kujtohen-meditojne?! Ne anen tjeter,hoxhe,Sh.Krasniqi dhe krasniqet e tjere,i mohojne personalitetet kombetare shqiptare te te gjitha koherave te cilet, nuk i perkasin fese islame qe d.m.th.se,edhe ky nuk dallon prej,Janullatosit,kur eshte ne pyetje qenja kombetare shqiptare,siç nuk dallojne as sllavet e jugut,greket, kur çdo dite bejne presione te shumendurshme,per t’i larguar shqiptaret nga trojet e tyre stergjyshore qe padrejtesisht kane mbetur ne:Greqi,Maqedoni,Mal te Zi dhe Serbi.Pra,emruesi i perbashket i tyre eshte:Perçarja ne baza fetare,dobesimi si komb dhe shtet dhe si perfundim,zhberja!Ja pse duhet,mendjet e ngritura,pushtetaret,ta ngrisin zerin edhe sot,siç ngriten rilindesit tane me pare.

  9. agostin says:

    qofte mallku ai bir shqiptari qe at gjuhe te perendis qe trashgim na la ne i pari e trashgim s ja len ai fmis. I pa vdekshmi kollosi i penes At Gjergj Fishta

  10. Arjani says:

    Pavaresisht se autori mund ta kish strukturuar me mire shkrimin, ajo qe kerkon te thote eshte deri diku e qarte.
    Ata qe duhet ti prijne nje kombi ne mbarevajtjen e tij duhet te jene intelektualet ne kuptimin e mirefillte te fjales. Pra njerezit me kulture te gjere dhe jo vetem me nje kulture fetare. Formimi kulturor triumfon mbi kulturen e cunguar te religjonit. Njerezit me kulture vetem religjoni, i cfardo lloji, nuk mund te jene vizionaret e shoqerise dhe kombit. Ata do mbeten vazhdimish te cunguar, ekstremiste dhe sektare.
    Sot bota e qytetruar po perpiqet te perhape idene fondamentale per nje bote ne paqe dhe ne harmoni qe eshte se :Njerezit nuk duhet te jene produkt i kombit apo religjonit(fese), por produkt i kultures se gjere te marre nepermjet te mesuarit te perditeshem. E sigurisht, kjo teze eshte akoma ne minorance ne bote pasi dhe injoranca sot ne bote eshte maxhorance.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje