Ish-ushtari i UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, e tha me një deklaratë të shkurtër atë që pritet nga një ushtar fisnik i lirisë: Se ai nuk ka shkuar në luftë që këtë ta konvertonte në përfitime personale ose materiale, por ka shkuar në luftë që atdheu i tij të jetë i lirë dhe fëmijëve të atdheut të tij t’u kthehet buzëqeshja… Kaq!
Nuk e di se cilën ideologji mbështet, as cilën parti politike do ta ketë votuar në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013 Xhevdet Qeriqi, dhe kjo as që ka ndonjë rëndësi për temën që e shtroj në këtë shkrim.
E di se ai dhe shumica e ushtarëve të UÇK-së kanë luftuar për ta jetësuar të drejtën për të zgjedhur dhe për të qenë i zgjedhur, të drejtën për t’u organizuar në shoqata, parti e grupime të tjera.
Të drejtën për të qenë qytetarë të dinjitetshëm dhe të mirëqenë.
Të drejtën për të pasur një atdhe të lirë, një atdhe të mundësive.
Një familje dhe një punë. Miq dhe libra.
Nuk e njoh Xhevdet Qeriqin personalisht, por e di se është një aktivist i të drejtave të njeriut në Fushë-Kosovë dhe kryetar i Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së po në Fushë-Kosovë.
Ish-ushtarin e UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, e njoha për të parën herë nga TV-ja, tek po fliste për grevën 61-ditëshe të veteranëve të luftës së UÇK-së.
Ai me shokët e tij, të armës, përmes grevës, nuk po kërkonin poste ministrore as dominim mbi shoqërinë, ata thjesht kërkonin dinjitet njerëzor dhe qytetar, që gjendja e tyre të mos përdoret për votë dhe as për përfitime në emër të luftës, atdheut, kombit e flamurit, por ajo thjesht të përmirësohet përmes ligjeve që miratohen në Kuvendin e Kosovës.
Fati i ndërliqshëm i ushtarëve fisnikë të UÇK-së, grave dhe burrave shembullorë të këtij vendi dhe të kësaj ushtrie të lindur nga halli, idetë liridashëse të tyre dhe guximi për t’u kryengritur mund të përshkruhen më së miri dhe ndoshta vetëm përmes filmit “The Patriot” (2000) shkruar nga Robert Rodat dhe drejtuar nga Roland Emmerich me aktorët Mel Gibson, Heath Ledger, Jason Isaacs, Joely Richardson, Chris Cooper, Tom Wilkinson…
Xhevdet Qeriqi më shëmbëllen në protagonistin Benjamin Martin, që është një figurë komplekse e bazuar në katër heronj të vërtetë amerikanë: Joseph Plumb Martin, Francis Marion, Daniel Morgan dhe Thomas Sumter.
Qeriqi do që të mbetet njeri i përkushtuar i lirisë, pa e personalizuar atë, pa e konvertuar në para.
Dhe të bindë se ai sërish do të shkonte në luftë nëse rrezikohet liria e vendit, edhe nëse vendi i tij nuk i ka dhënë asgjë si shpërblim.
Ai as që ka kërkuar shpërblim.
Ai kërkon drejtësi me ligj.
Para luftës tek revista “Sheshi” kam shkruar një artikull të gjatë që shpërfaqte fenomenin e luftës “si lojë”, që ishte një depërtim në filozofinë e Fridrich Nietzsches, për luftën si lojë, si të gjitha lojërat e tjera, veçse për dallim nga bixhozi ose sportet kjo është një lojë tragjike, sepse investimi është total.
Xhevdet Qeriqi ka dashur fati të mbetet gjallë, ndonëse me plagë lufte, porse investimi i tij në lojë ka qenë total.
Por kjo, sipas tij, nuk është arsye që përfitimi të jetë personal dhe total.
Ai nuk kërkon asgjë më shumë sesa bashkëqytetarët e tij, fqinjët dhe të afërmit e tij civilë.
Mirëpo definicionin më strikt për luftën e ka dhënë Clauzevitz, që thotë se “lufta është vazhdim i politikës me mjete të tjera.”
Dhe kur ajo ndalet, duhet të vijnë elitat politike që ta fitojnë paqen përmes mjeteve të tjera – joluftarake, përmes dialogut, negociimit…
“Ne e kryem punën tonë – tashti kanë punë politikanët”, thotë në librin e tij për Batalionin Atlantik Uk Lushi, njëri nga luftëtarët e këtij Batalioni në Pashtrik, por që atëherë, siç vinin punët, dukej se politikanët nuk janë të ndërgjegjshëm aq sa të arrijnë nivelin e ndërgjegjes së një luftëtari të rëndomtë.
Disa nga ta u vranë, disa ia falen atdheut gjymtyrët e trupit, disa mbetën të gjallë që të rrëfejnë, por ata më të mirët dhe më të edukuarit gjithmonë mbetën modestë dhe shembullorë!
Shumica nga ta u kthyen nga erdhën, përtej Oqeanit, në jetën para ferrit të Kosovës, pa kërkuar lavdi e medaljone, pa kërkuar shpagim.
I vetmi shpagim për ta është liria e Kosovës dhe buzëqeshja e fëmijëve të saj.
Por në këtë rrëfim pasionant sikur parandihen kaosi dhe vrapi pas lavdisë e pasurimit pas luftës, sikur parandihen pasojat e një organizimi të keq para dhe gjatë luftës.
Pasojat po i shohim të gjithë ne, po i shohin edhe ata që për Kosovën dhanë gjymtyrë të trupit…
Kosova ka pasur luftëtarë shembullorë dhe politikanë të këqij, qofshin ata edhe ish-luftëtarë!
Që nuk e kuptojnë esencën e hyrjes në lojën në të cilën investimi është total dhe natyrisht, luftën e kuptojnë herë si tragjedi, herë si groteskë apo farsë, duke e ulur lavdinë e luftës tek pluhuri i gjërave profitabile, e deri në krekosje “heronjsh”, duke e përdhosur lavdin e vetë luftës për liri dhe lavdin e fitores!
Deklarata-mesazh e James Rubinit para do ditësh në Prishtinë se krahu i luftës duhet të tërhiqet nga politika sa është në kulmin e lavdisë, po i frikëson luftëtarët që hoqën uniformën dhe u veshën me smoking të zi e me kollare, por kjo e thënë nuk i dëshpëron luftëtarët e vërtetë që nuk dolën të përballeshin me armikun për përfitime personale, as për plaçkë luftë e fodullëk.
As Rubini nuk ka harruar t’ua përmendë meritat edhe miqve të tij të UÇK-së, ndaj të cilëve është mirënjohës për gjithçka të mirë që ata kanë bërë për Kosovën.
Porse ai nuk harroi t’ua përmendë edhe çoroditjet.
Ashiqare ai e di se shumica syresh kanë abuzuar pushtetin politik, duke vrarë dhe zhvatur njerëz, duke kërcënuar dëshmitarë gjyqi e kundërshtarë politikë, duke uzurpuar prona dhe pasuruar nga zyrat publike.
“Duhet të vijë koha kur krahu i luftës do ta kuptojë se është mirë të largohet nga pushteti derisa është ende i popullarizuar dhe të mos presë derisa të bëhet shumë vonë. Unë shpresoj që njerëzit të cilët kanë qenë aq të rëndësishëm për revolucionin tuaj, për lirinë tuaj, e kanë mençurinë që të largohen sa janë në majë të suksesit të tyre”, ka thënë Rubin.
Tendencat karikaturiale të ndonjërit nga liderët e kategorive të dala nga lufta për t’i futur hundët në politikën e madhe, qoftë nga lakmia për pushtet personal, qoftë nga trajtimi i keq që u bë këtyre kategorive Qeveria e vendit, vetëm sa i lë ata pa lavdinë e luftës – dhe pa dinjitetin e paqes.
Sepse ato shoqata veteranësh e invalidësh nuk kanë as potenciale të brendshme dhe as mbështetje nga jashtë për të ardhur fuqishëm në skenën politike, por as hapësirë politike, sepse tashmë dy parti (PDK dhe AAK) mbështeten në trashëgiminë e UÇK-së, (edhe LDK-ja mbase i listoi heronjtë e vet partiakë), porse edhe lëvizja “Vetëvendosje” ndër parullat e saj dhe retorikat e ditës e ka UÇK-në.
Dhe këtë kurth e kuptoi, e ndjeu dhe e bëri publike Qeriqi.
Arrestimet dhe gjyqet ndaj disa ish-komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së nuk mund ta njollosin luftën për liri, madje ato gjyqe, qoftë në Gagë, qoftë në shtëpi, vetëm sa e pastrojnë këtë luftë nga të bëma individësh batakçinj.
Mesazhi i Qeriqit se ai do të jepte dorëheqjen po që se shoqatat e veteranëve të luftës do të bënin parti politike, është për më tepër thirrje e njeriut të sinqertë dhe ish-ushtarit qytetar për ta mbrojtur idenë e luftës çlirimtare nga pazaret matrapaze të ndokujt, që mund të mendojë se të qenit luftëtar i jep të drejtën për të marrë pushtet personal apo hise nga atdheu, edhe ashtu i bërë gërdhajë. Po ashtu ky mesazh synon të ngrejë vetëdijen qytetare të secilit kosovar për të mos rënë pavetëdijshëm pre e identifikimit kolektiv me krimin, sepse krimi gjithnjë dhe kurdoherë është individual.
Dhe nëse dikush nga radhët e UÇK-së ka bërë ndonjë krim (për çfarëdo arsyeje) institucioni i drejtësisë është (duhet të jetë) ai që e thotë fjalën e vet.
Pas të gjitha luftërave të armatosura, dikush duhet të përkujdeset që ta fitojë paqen.
Dhe ta vendosë drejtësinë.
Impresionon përherë luftëtari modest dhe i heshtur, i cili nuk krekoset si disa nga këta rrahagjoksat kosovarë, porse luftës së tij për paqen i jep kuptimin e patriotizmit ligjor.
I tillë është Xhevdet Qeriqi.
Qytetari i edukuar u përkulet atyre grave dhe burrave që luftuan me hakikat për lirinë e atdheut, që ta gëzojnë të gjithë – të tjerët.
Bravo u qoftë!
Porse atyre që e materializuan skajshmërisht pas luftës aktin e të luftuarit për liri, duke e marrë me zor jo vetëm pushtetin politik, por edhe gjënë e gjallë dhe pasuritë kombëtare, atyre u kanë ikur tashmë nga duart të gjitha nderet dhe lavdet, sepse kanë lakmuar shumë.
Dhe kanë grabitur shumë.
Duket se ka ardhur koha kur ish-ushtarët do të rebelohen jo kundër shtetit, për të cilin u flijuan, por kundër atyre që e zvetënuan shtetin dhe e harruan betimin se një ditë pas (lufte) të gjithë së bashku do të ishim të lumtur!?
Ku askush nuk do të ndihej i braktisur dhe i huaj në shtëpinë e përbashkët që brez pas brezi e quajnë Kosovë.
Respekt Xhevdet Qeriqit!
*KOHA DITORE
Asnjè koment pèr kètè shkrim tèrheqès. E lexova dje dhe po komentoj sot. Kètu flitet pèr njè luftètarè tè uçk qè e ka parè dhe bèrè luftèn me sytè dhe armèt e tijè. Nuk èshtè njè fantazi e as telenovelè. Ku me tè drejtè mbyllet : Respekt Xhevdet Qeriqit! Apo ndoshta lexuesit shohin emrin e Matoshit qè nè tè shkuarèn ka shkruar fantazira dhe kèsajè here qè thotè tè vèrtetèn askush nuk po e beson !?
M.Makmilon(historiane),duke folur per krimet greke ne Jug te Shqiperise nder te tjera ka shkruar:”E mjera Shqiperi,me kaq shume armiq te fuqishem dhe kaq pak miq!”.Konstatoj se,ka pasur plotesisht te drejte qe e vulos kete fakt,por nuk ka vazhduar te thote se,edhe shqiptari eshte armik i shqiptarit dhe Shqiperise etnike,dje dhe sot.H.Matoshi,me protagonistin e keti shkrimi,Xh.Q.kritikojne me te drejte,ata qe boterisht e quajten veten”çlirimtare”,duke grabitur freret e udheheqjes se shtetit te Kosoves,per te pare sot shqiptaret deshtimin e tyre,por jo veç te tyre.Por jo veç te tyre sepse,nje hise i bie popullit dhe intelegjences shqiptare,nder te cilet padyshim eshte edhe vete,H.Matoshi dhe matoshet e tjere,te cilet u pajtuan lehte,me idene e armiqve tane se,shqiptaret e Kosoves duhet te heqin dore(por jo te tjeret:serbe,turq,rome,gorane etj.)nga,te quajturit shqiptar por,kosovar,per te shtuar disa antishqiptare shqiptare(M.Kelmendi)se duhet shqiptaret ta kene edhe gjuhen,gegnishte,dhe jo standarden gjitheshqiptare dhe per ta vazhduar turpin e disa fundamentalistve shqiptare myslimane se,shqiptaret myslimane kane fene qe na ljedh me orjentin duke mohur çdo shqiptar me nem,ne qofte se ky,nuk i ka kontribuar myslimanizmit dhe nuk eshte i fese myslimane! I ndjeri,H.Hoxha sociolog,student i te cilit isha,ne nje ligjerate deklaroi:Shqiptaret jane komb evolues,duke shtuar,shqiptari per pak kohe e heqe besimin ne Zot ndersa,zvicranin as per 20 vjet nuk mund ta bindesh me keto pikepamje.Ne fund,dua te perfundoj kete tekst ne miniature duke shtuar se,gjendjen ne Kosove te ketille çfare eshte sot(jo te mire dhe te rrezikshme),na e kane sjellur:karrieristet injorante me vese te Narcisit,inteligjencia evulitive,populli besimtare dhe shteti ame,Shqiperia,ne tranzicion nje shekull.
Përshendetje!
N’fakt do të duhej të shkruhej pak më ndryshe, por dhe kështu shpall/tregon thelbin – esencën e synimit të tij, demek shkrimit, dhe unë pajtohem plotësishtë më këtë konstatim tepër, tepër të qëlluar të këtij “peshkatari” (gjuetar shriganash), sepse dhe vet qysh moti këtë Halilin të vllaun e MUjës e kam tipzuar si’Plaku i odave’dhe mbase ma do mendja se më në fund qënka kthyer në origjinë, dmth në muhabete, siç është dhe ky mbi trimin e trimave, herojin tonë kombëtar e legjendar…
respekt nga fau i Prizrenit!
kosovaret ne kosov,shqiptaret ne shqiperi,ata vetem probleme sjellin.
qysh me qit njeri ti ashtu ne paralamrim vete vrsaje aje mermal ti qfar kazetari i karit je ti ruju se po i bajshe do sende te kqija veq vete ke me ja ba