Aktualisht nuk mbështesim dhënien e statusit për Shqipërinë – konfirmoi David Cameron në mbledhjen e fundit të BE-së, ku diskutohej mundësia për të marrë statusin e vendit kandidat. Kryeministri anglez shtoi se ky hap duhet shfrytëzuar për të inkurajuar masa kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe për zbatimin e ligjit.
Më thjesht nuk mund të thuhet: luftoni korrupsionin dhe zbatoni ligjet e një shteti demokratik.
Megjithatë, një pjesë jo e vogël e politikanëve dhe analistëve në atdheun tonë bënë sikur nuk panë e dëgjuan, e vazhdojnë komentet në kërkim të arsyes së “munguar”.
Po cila është, sipas një analize të thjeshtë, gjendja e Shqipërisë sot?
Një Shqipëri e frikshme, plot borxhe me interesa gjithnjë e më të larta.
Interesat e borxheve rriten dhe mundësia e marrjes së borxheve të reja për të shlyer të vjetrat vështirësohet.
Qeveria e re për pak sa nuk ngriu, pa filluar ende mirë dimri i saj i parë, nëse nuk do të merrej një hua e re nga FMN-ja para pak ditësh.
Një hua e re, jo për t’u investuar, por për të shlyer borxhin e brendshëm e për të plotësuar buxhetin për pagesat.
Sipas kryeministrit Rama, Shqipëria është një katrahurë financiare. Ndërsa ekonomistët konfirmojnë se vija e kuqe e borxhit nuk duhet të kaloje 60% e PBB.
Pak ditë para zgjedhjeve, Ministria e Financave të Shqipërisë deklaronte një nivel 62% të borxhit.
Pak ditë më parë, ministri i Financave, Shkëlqim Cani, para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë tha se “realisht borxhi publik qëndron rreth nivelit 72% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
Sipas raporteve të FMN-së, në vitin 2018 niveli i borxhit të Shqipërisë mund të jetë 85%.
Nëse kjo do të vërtetohet, kriza e ekonomisë shqiptare do të jetë me pasoja të paparashikuara.
Kjo është pasqyra financiare, alarmante për secilin banor të republikës. Kjo është e sotmja e errët ekonomike e shqiptarëve dhe e ardhmja e “shkëlqyeshme” që u lëmë brezave mbi kurriz.
Te tjerat ishin e janë “dokrra hini”, mashtrime të një kaste politikanësh e qeveritarësh të korruptuar.
Atdheu ynë sot është i zhytur deri në grykë në borxhe, si askush tjetër në raport me popullsinë në hapësirën e Europës.
Më shumë se Greqia, për të cilën u diskutua përjashtimi nga zona euro.
Megjithatë, në dallim nga ne, Greqia ka një popull relativisht të pasur, një infrastrukturë moderne dhe një prodhim të brendshëm solid.
Shqipëria është një vend thuajse pa eksporte, pa prodhim të brendshëm të rëndësishëm.
Me pak gjë mbetur për t’u shitur nga pasuria kombëtare.
Çfarë ishte e rëndësishme nga resurset kombëtare, u shit, e shqiptarët e zakonshëm morën: “të mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës”.
Shqiptarët janë jo vetëm të mbytur në borxhe, por edhe në terr informativ.
Krijohet përshtypja sikur ende e shikojnë këtë problem si të qeverisë e jo të familjeve e mirëjetesës së tyre.
Është jetike të hartohet një program kombëtar afatmesëm për të inventarizuar dhe stabilizuar ekonominë.
Instituti i Statistikave duhet reformuar tërësisht dhe ish-drejtuesit të përgjigjen ligjërisht për deformimet informative. Është ekstremisht i papranueshëm terri informativ lidhur me financat. Sa është borxhi i jashtëm i RSH-se; cilat janë institucionet financiare që kanë financuar; sa është interesi i borxheve; për çfarë janë përdorur këto borxhe dhe jo vetëm borxhet, por edhe grandet financiare.
Faqja e Ministriseëse Financave për borxhin jep të dhëna jo të thjeshta për t’u kuptuar nga publiku.
Në aspektin industrial, Shqipëria është një vend që duket se jeton periudhën e pararevolucionit (1760-1850) me disa miniera thuajse të braktisura, që marrin jetë njerëzish në galeri hunjsh të kalbur e karrocash të ndryshkura.
Pa ndërmarrje industriale, me ndonjë punishte të mbetur nga kohët e diktaturës (si ai i Elbasanit), që më së shumti funksionon për të shkrirë mbetjet e varrezave të tjera industriale në vend dhe vret jetën e banorëve ditë për ditë e natë për natë.
Me një rafineri nafte të dhënë me koncesion, ku nuk dihet sa investohet e sa prodhohet.
Me disa fabrika çimentoje (“filtruese” për ambientin) dhe me pak punishte ku qepen këpucë për një page mujore 200 dollarëshe.
Me pak, fare pak ndërmarrje të vogla bashkëkohore.
Infrastruktura e vendit është skandaloze. Rrugët e reja për të cilat është shpenzuar më shumë se në Europë (për km2) janë të një cilësie mjerane e do të gërryhen lehtë nga shirat e moti, duke nxjerrë në pah edhe më shumë humnerën e korrupsionit.
Flora dhe fauna të shkatërruara. Shikoni shtretërit e lumenjve në të gjithë vendin, pyjet që thuajse nuk ekzistojnë, mbetjet urbane e helmet kimike kudo rrugëve, buzë lumenjve.
Uzina të braktisura, hekurudha pa shina e me vagonë zgërdallë. Në asnjë vend të Europës në Lindje apo Perëndim nuk mund të gjesh një karikaturë të krahasueshme.
Me një bujqësi jo vetëm primitive, por tashmë edhe të vrarë nga ndërtimet e shtëpive – kioska nëpër fusha. Bujqësi pa sistem ujitje, pa teknologji me një hapësirë fushore të copëzuar, të papunuara prej vitesh.
Shumë koncesione janë dhënë në fushën e energjisë, por ky dimër rrezik kalohet me mungesë dritash.
Një arbitrazh ndërkombëtar i një kompanie të huaj (kompania CEZ) mund t’i kushtojë shumë buxhetit të qeverisë shqiptare.
Ata që morën koncesionet në fushën e energjetikës, u dhanë ca para pushtetarëve, blenë ca letra e tani po kërkojnë t’i shesin, pra i blenë për t’i shitur.
Shqipëria ka një turizëm primitiv (ku mungojnë edhe banjët në plazhe e kolektorët e ujërave të zeza derdhen në det), thuajse non-ekzistent, po të përjashtojmë shqiptarët nga Kosova e Maqedonia.
Struktura e nëndheshme e kryeqytetit dhe e qyteteve të Shqipërisë (kanalizimet e ujërave të bardha e të zeza, energjisë, telekomunikacionit etj) është super e vjetëruar dhe kërkon investime imediate të mëdha.
Disa qytete e lagje të reja nuk i kanë fare sistemet rregulluese të nëntokës.
Qytetarët janë të pambrojtur nga mundësia e një epidemie.
Kjo është pasqyra e një shoqërie të varfër e kaotike.
Jo vetëm varfëria dhe borxhet, por edhe korrupsioni galopant dhe mungesa e një sistemi të drejtësisë, për të gjetur edhe një përgjegjës të vetëm të nivelit të lartë për këtë katrahurë, ka luajtur rol deciziv në këtë vendim të kryeministrave të Europës. Në Shqipëri nuk ka sistem drejtësie. Ka disa gjyqtarë dhe prokurorë të ndershëm, por sistemi është kriminal. Pandëshkueshmeria është jo kulturë, por ligj.
Së fundi një gjyqtar province i investiguar nga një emision televiziv e jo nga strukturat antikorrupsion është në burg.
Një kryetar bashkie në Bathore gjithashtu.
Kaq! Edhe ai mund të lirohet, ende nuk është gjykuar.
Të akuzuar e nëpër gjykata kanë qenë edhe kryetari i opozitës për qindra milionë euro, shumica e ish-ministrave e kryeministrave të së djathtës e të majtës.
Të gjithë janë në politikë e vazhdojnë të “luftojnë” për të ardhmen tonë europiane.
Zemra e krimit ekonomik është politika dhe njerëzit më të rëndësishëm të saj. Është e thjeshtë, shikoni shtëpitë, veturat, pushimoret, veshjet, shpenzimet e tyre, kompanitë në emër të familjarëve apo miqve, llogaritë bankare jashtë vendit.
Të gjitha janë me lekët e vjedhura të popullit shqiptar, me pasuritë e shitura, investimet fiktive, paratë e emigrantëve, huatë e keqmenaxhuara.
Ish- kryeministri i dënuar për korrupsion, i liruar nga trazirat sociale të 97-ës, sot mezi mbulon jetesën në emigracion “me kursimet” e pagës se tij. Andaj i është dashur të vizitojë shpesh atdheun, herë për pazare deputetësh e herë për pazare presidentësh.
Kjo bandë hajdutësh mediokër është ekstremisht arrogante, gjithashtu. Ajo e përbuz shqiptarin e zakonshëm, atë punëtorin, profesionistin, administratorin e ndershëm, që shkon në punë për një rrogë minimale.
Ajo ka investuar për të vrarë moralin shoqëror; i pakorruptuari është i pazoti, i pavlefshëm, jashtë mode, budalla.
Ndërsa presidenti (kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë) organizon “ballo vjeneze” me të parët e vendit.
Presidenti organizon “ballo vjeneze” për “dekor perëndimor” e duke ngritur dollinë u uron shqiptarëve gëzuar Pashkët në datën 24 dhjetor.
Emrin “Ballo Vjeneze” e ka mësuar nga fëmijët e tij, që studiojnë në universitet austriake. Pse jo?
Shumica e shqiptarëve ngushtohet të blejë një gjë të vogël për fëmijët e tyre e të shtojnë një pjatë për festat e fundvitit. Shumë prej tyre nuk e kanë këtë mundësi.
Shumë fëmijë jetojnë të ngujuar nga gjakmarrja e shumë të tjerë janë analfabetë.
Gratë keqtrajtohen në mase, krimi në familje është shtuar. Pronarët presin prej 23 vitesh t’u kthehet prona, të persekutuarit të marrin këstet e dëmshpërblimit.
Të shpërngulurit presin t’u legalizohen shtëpitë, të rinjtë të punësohen.
Ne spitalet publike (jo private), ku kurohen nevojtarët shqiptarë, mund të vdesësh nga infeksionet më lehtë se të kurohesh nga sëmundjet.
Pamja e gjendja e tyre nuk kanë nevojë për komente.
Shumica e produkteve bujqësore e industriale, bile edhe e ilaçeve që tregtohen në vend, janë të pakontrolluara sa e si duhet.
Sistemi ynë arsimor është jo vetëm i korruptuar, por ndër më të dobëtit e planetit, sipas organizatave ndërkombëtare në fushën e arsimit.
Ka 23 vjet që shqiptarët e emigruar në botën e Perëndimit kanë bërë dërgesa të rregullta financiare në Shqipëri.
Sipas Bankës Kombëtare të Shqipërisë, këto dërgesa, që tani kanë nisur të bien në mënyrë drastike, kalonin 1 miliard dollarët në vit.
Emigrantët shqiptarë kanë punuar në kushte shpesh shumë të vështira e kaluan me shumë mund pjesën më aktive të jetës. Djersa e tyre është shpërdoruar, “herë me fajde e herë pa fajde”.
Ata nuk kanë mundësi e as dëshirë të kontribuojnë më si dje, fëmijët e tyre jo e jo.
Sigurisht që ka një lodhje të politikës së Europës dhe SHBA-së me Shqipërinë.
Kanë investuar më shumë se kudo ne Europën e Lindjes e jemi ende shumë pranë pikës së nisjes.
Jo vetëm vjedhja e pakufishme, por edhe padija e mediokriteti skajor i politikanëve e administratorëve shqiptarë e kanë tretur e tkurrur mundësinë e shoqërisë për të ndërtuar një realitet europian brenda saj.
Shqipëria ka 23 vjet në asistencë! Miliarda dollarë ndihma janë dhënë nga Europa këto 23 vjet.
Të mos harrojmë se dy herë janë instaluar forcat ushtarake të Perëndimit në Shqipëri për të ruajtur sigurinë tonë kombëtare. Dy herë! Në vitin 1991 dhe në vitin 1997, e politikanët u ndërruan pa të keq oborreve të pushtetit.
Kohët e fundit ka edhe një ftohje të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.
Vizitat e fundit të zyrtarëve të lartë amerikanë në Prishtinë dhe Tiranë paralajmëruan një stad të ri të këtyre marrëdhënieve. Në Tiranë u kërkua luftë kundër korrupsionit dhe zbatim të ligjit, në Prishtinë veprim ndaj ekstremizmit islamik.
Folën si kurrë ndonjëherë më parë; do të dëgjojmë edhe më shumë.
Jo zotërinj të nderuar, nuk ka kurrfarë “albanofobie” e as ndikim të “forcave ekstremiste” në Europë, por ka një histori euro-dashurie të tradhtuar nga politika super e korruptuar shqiptare.
“Euroskeptizmi” i ushqyer nga mbetjet e stalinizmit shqiptar e mediokritetit kulturor, por pikë se pari nga mafia politike është mjerane.
U tha se një arsye e mosafrimit të statusit Shqipërisë është edhe anëtarësimi në Konferencën e Vendeve Islamike, apo faktori mysliman.
Anëtarësimi në Konferencën Islamike dhe financimi shtetëror i institucioneve të fesë në Shqipëri mendoj se nuk ishin e nuk janë hapa të nevojshëm e as të dobishëm për shoqërinë shqiptare. Besimi fetar është i lirë e individual, shteti ynë është laik. Megjithatë, ne Shqipëri bashkëpunimi dhe toleranca fetare janë në kufijtë normalë, të krahasueshëm me shoqëritë e Europës.
Në Kosovë kemi një realitet tjetër. E tha në Prishtinë një nga luftëtarët e shquar të lirisë së Kosovës në Departamentin e Shtetit, James Rubin: “Kosova rrezikohet nga ekstremizmi islamik”.
Ky ekstremizëm, nëse nuk vihet nën fre, do të rrezikojë jo vetëm Kosovën dhe zhvleftësojë lirinë e saj, por edhe Shqipërinë dhe stabilitetin e republikës sonë.
Kjo është mirë të dihet e të thuhet edhe në mbledhjet e ardhshme të përbashkëta të qeverive shqiptare e turke në ketë stinë (megjithëse dimër) të dashurisë së madhe Rama- Erdogan!
Europa është në dominance kristiane, por refuzimi i Shqipërisë nuk ka të bëjë me përkatësinë fetare.
Europa nuk ka komplekse inferiore të fshihet para popujve e kulturave të tjera, se ka pasur dje se ka as sot.
BE është superfuqi ekomomike, kulturore e politike.
Nëse do të ishte kjo arsyeja, e sanksiononte në kushtetutë: “Popujt jo kristianë nuk pranohen në organizimin tonë politik”. E dimë se nuk mund të nderohet kishë në Mekë.
Sot Shqipëria nuk plotëson thuajse asnjë kriter për t’u anëtarësuar në familjen europiane.
Kjo është arsyeja pse nuk e morëm statusin e vendit kandidat. Shkaktarë jemi ne dje e sot. Për fajin tonë, për fajin tonë, për më të madhin fajin tonë.
Në përfundim, Shqipëria ka një popullsi relativisht të re, e cila, në kushtet e një krize të re ekonomike, do të dyndet sërish në Europë.
Ne këtë rast do të kishim edhe rivendosjen e sistemit të vizave. Atdheu ynë mund të zhytet në një izolim të ri tragjik.
Pra siguria kombëtare vihet në pikëpyetje! Prandaj nevojitet një qeverisje shumë e kujdesshme, transparente.
Nevojiten reforma jo të zakonshme e transparancë e plotë me publikun nga kryeministri.
Ai duhet të kuptojë se kontrollon një pjesë të vogël të pushtetit real dhe duhet të kërkojë ndihmesë e mirëkuptim të publikut ditë për ditë.
Sa më shume të përpiqet të luftojë korrupsionin, aq më shumë do ta shikojë të rrezikuar stabilitetin e qeverisë së tij. Prandaj i duhet aleanca jashtë politike, i duhet të mendojë edhe për zgjedhje të jashtëzakonshme në harkun kohor të dy viteve.
Shoqëria shqiptare, inteligjenca e saj duhet të reagojnë.
Ajo duhet të jetë vigjilente dhe të mos lejojë të keqpërdoret. Përpjekja për ta mbytur pa lindur rebelimin qytetar me disa figura individësh e OJQ-ve, super të korruptuara është një tjetër përpjekje e ligë e politikës shqiptare në ikje, për të krijuar konfuzion e vrarë pa lindur një revolucion, që do të ndodhë, gjithsesi.
Jo ndryshimi i taksave, por vendosja e drejtësisë përmes hetimit të boseve të mafies ekonomike është problemi i sotëm shqiptar. T’i lemë përrallat e maskaradat e t’i kthejmë popullit të varfër shqiptar disa nga pasuritë e grabitura nga një tufë gangsterësh politikë.
Në rast të anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në BE pas 7-10 vitesh, nëse gjendja ekonomike nuk do të ndryshojë rrënjësisht, së paku 30% e popullsisë do të emigrojë.
Emigrimi i brendshëm në BE do të krijonte disa “realitete bathoreje” në periferitë e Londrës, Parisit, Berlinit e Brukselit.
Ju kujtohen eksodet e 1990-1991-shit?
Kjo është frika e ministrave të BE-së, që duhet zhbërë.
Vendimi për mosmarrjen e statusit është vërtetë një shans i ri për shqiptarët e sotëm për të mposhtur diktaturën e korrupsionit dhe marrë në dorë fatet e vendit.
Të korruptuarit duhet të shkojnë në burgje dhe pasuria e tyre duhet konfiskuar.
Nëse nuk e realizon ky kryeministër, do ta bëjë kryeministri tjetër.
Ky i sotshmi nuk është Mesia e as ndoshta më i miri i mundshëm për postin që mban, por ka moralin, që nuk arriti t’ia zhbëjë pushteti i plotfuqishëm i atyre, që qeverisën për 12 vjet.
E akuzuan për gjithçka korruptive që mund të mendohet, krijuan komisione pas komisionesh e nuk vërtetuan asgjë.
Tani është koha e tij!
Sot shqiptarët nuk hutohen nga tymnaja e “betejave të ashpra politike” e as maskaradat e mitingjeve të porositura anti-taksim.
Sot, kërkojnë të jenë zot të fateve të tyre e kërkojnë t’u kthehen pasuritë e vendit.
Kërkojnë drejtësi ekonomike, së paku për fëmijët e tyre.
Europa është aleate! E dëshmoi edhe kësaj here duke mos bërë amnisti për krimin ekonomik, mungesën e sistemit të drejtësisë dhe katrahurën sociale.
Shqipëria një ditë do të anëtarësohet plotësisht në strukturat politike të Europës së Bashkuar dhe shqiptarët do të marrin në dorë fatin e tyre.
Jetojmë në një botë të re, transparente dhe integruese, ku popujt nuk mund të mbahen në izolim, të shtypen e gënjehen pa fund.
Inteligjenca shqiptare ka nisur të reagojë dhe ky është vetëm fillimi.
Po, vendi do të vendoset në binarët e zhvillimit të shëndetshëm dhe Shqipëria do të jetë aty ku e ka vendin, në familjen e vet, në atë të popujve të Europës.
Shkrim i perkryer, urime!
Zyrtart e korruptum duhet me u burgos e pasunia e tyne me iu kthye popullit. Nuk ka rrug tjeter. Europa po na mban me buke tash 20 vjet
Zoti Ukcamaj urime dhe faleminderit per sensibilizimin e opinonit publik. Ne menyre realizte ke goditur ne zemer te problemeve shqiptare.
Eshte koha qe te vertetat te thuhen hapur per publikun. Europa nuk mund te beje amnisti. Jam dakord me autorin.
Asnje shkrim nuk me eshte dukur me realist se sa ky. I plote, jo i embel por sherues. Do te reagoje edhe shoqeria jone. Nuk do te leme te na marrin neper kembe. Zoti Ukcamaj, i mongoni Shqiperise. Kam me shume se respekt per njerez te kalibrit tuaj. Te kam lexuar gjithnje me etje. Zoti te bekofte.
Fjale te dala nga shpirti. Te lumte z,Uka.
Nuk ka asnje rruge tjeter vec vendosjes se drejtesise. Z. Ukcamaj e thote mire e bukur ne shkrim. Jam 100% dakord. Po varferohemi cdo dite.
Ne burg duhet te shkojne se pari Fatos Nano e Sali Berisha keta e kane shkaterruar shqiperine. Shqiptaret duhet te ngrihen ne demostrata te fuqishme kunder presidentit handikap qe mbron nje sistem te degjeneruar drejtesie. Keta politikane te ndyre i kane vjedhur parate tona duke ne zhytur ne varferi. Nuk eshte pasuria e shqiptareve e tyre. Kush ja la saliut ne male e fatos plehut. Poshte te korruptuarit e ndyre. Mire thote z. Bardhyl keta na bejne edhe per budallenje.
i ke vene pikat mi i. Korrupsioni po i vret endrrat e shqiptareve..
E lexova dy here kete shkrim dhe eshte per tu pergezuar Autori me gjithe shpirt.
Gjithnje e lexoj me kenaqesi Bardhyl Ukcamen, per menyren sesi shkruan dhe sesi i trajton problemet e rendesishme te shoqerise sone. I drejtperdrjete dhe me nje gjuhe te kendshme. Duket stili i nje intelektuali prendimor, jo i bankave ruse. I mungojne shqiperise intelektuale e patriote te ketij niveli, sinqerisht.
Nje radiografi e vertete, te cilen ne e dime, por bejme sikur e harrojme. Bravo te qofte dhe duket qe eshte nje shkrim qe mund te dale vetem nga shenime sistematike.
Politikanet e korruptuar duhet et shkojne ne burg dhe pasuria e tyre te konfiskohet. Kjo eshte zgjidhja. Z. Ukcamaj eshte vertete si thote nje nga komentuesit radiografi e vertete. Te lumte!
Shkrimi eshte shume i dobishem. Pasqyra eshte e alarmate. Shqiperia gjithmone e varfer dhe e zhvatur. Sliu duhet te pergjigjet para drejtesise per te gjitha poshtersite qe i ka bere popullit shqiptar qe nga 1997-a e deri dje. E vrau shpresen dhe e rropi shqiperine. Tani bertet si plak i cmendur ne parlament. Ai eshte kryemafiozi qe vrau edhe Olldashin. Eshte nje vrases i cmendur dhe nje plak i rrjedhur qe ka miliarda dollare.
BRAVOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOOO
God Bless Albania! Mr. Ukcamaj se bashku me shume shqiptaro-amerikane te nderuar do te ishte mire te kontribonin per Shqiperine atje ne Shqiperi. Ka shume burra e gra te pergaditura sa e si duhet per ta ndihmuar ate vend te behet zonje ne ballkan. We will support you Mr. Ukcamaj.
I pari duhet shkarkuar Prokurori i Pergjithshem dhe kryetaret e Gjykatave. Rama ka shumicen ne parlament, te beje reformen. Gjendja eshte alarmante.
Shqiperia ka nje kulture te gjetjes se fajtoreve jashte dhe ka nje prirje indiferente ndaj publikes. Edhe nese kemi te bejme me borxhe qe ne fakt jane te secilit i konsideron si borxhe te shtetit. Prandaj duhet falenderuar Ukcamaj per kete paraqitje publike.
Vetura te markave te fundit qe vozitin ne balte. Femra shale bukura skaj plehrash ne rruge. Kjo eshte shqiperia ime
Revolucion duhet. Revolucion ne gjykate, dogana,polici kudo. Vetem kshtu pshton shqipnia.
Konfiskim pasurie,gjyqe te transmetuara ne kohe reale ne TV,heqja e te drejtes per dy brez per te punuar ne administraten shteterore.Keto duhet ti beje sa me pare KM aktual.Mos te kete frike nga zgjedhjet e parakoheshme.Sovranin e ka me vete,nqs do te kete parasysh qe korrupsioni nuk zhvillohet vetem ne veten e trete.Nuk eshte koha e shfaqeve por e veprimit konkret kunder kesaj te keqe e cila e ka vene ne pikepyetje ekzistencen e shtetit dhe te kombit shqiptar.
Per demostrimet anti-takse.Ne shqiptaret duhet te kuptojme nje gje qe kemi nevoje te mesohemi te paguajme taksat.Por duhet njekohesisht te ngrejme dhe strukturat perkatese se si perdoren keto taksa.Deri me tani ato jane perdorur dhe shperdoruar ne menyren me te keqe te mundeshme.Ne kete gjendje na coi teoria e “Shtet i dobet,individ i forte”,apo “Shqiperia 1 Euro”.Eshte urgjente forcimi i shtetit,e per kete nevoitet kontributi i gjithkujt.Respekte per Artikullshkruesin.
Nje pasqyre e realitetit te sotem shqiptar. Ta perktheni ne Anglisht dhe te jua jepni politikaneve shqiptare, se me duket se ne shqip nuk e marrin vesh dhe nuk do ta besojne, mundesisht te kete vulen e te huajve. Do te kisha deshire te ma komentonte doktor Berisha kete shkrim nga qe ka dhe 20 vite ne krye te Shqiperise qe eshte e dyta pas Gjermanise…!