Vjehrra dhe mullixhinjtë

24 Dhjetor 2013, 19:38Blog TEMA

Nga Alqi Koçiko

Nëse duhet të bëhemi “euroskeptikë” pas shtyrjes së statusit, atëherë le të na shërbejë ky moment për të ndryshuar më në fund qëndrimin në raport me vetveten. Korrupsionin nuk mund ta luftojmë se na e kërkon Europa që e shohim në dritë të syrit për një gjest aprovues

“E di unë ç’duan këta të Brukselit. T’i fusim një të lidhur me Rusinë a me Kinën, apo me arabët, dhe të vijnë e të na kërkojnë pastaj!” Deklaratën e nervozuar ma bëri këtë javë një djalosh, student, me të cilin pas kalçetos ulemi për muhabet dhe për “shkëmbim pikëpamjesh”. E shoh gjithnjë e më të hasur këtë farë qëndrimi protestues mes të njohurve pas shtyrjes së statusit të vendit kandidat, prandaj dhe solla shembullin e mësipërm; e has në biseda të lira por edhe mes internautëve.

Mbase bashkëbiseduesit tim, frymëzimi për “t’ia futur një të lidhur” me vendet e mësipërme iu rifreskua nga ngjarjet më të fundit me Ukrainën, ku një marrëveshje e fuqishme financiare me sfond të padyshimtë politik me Rusinë, ishte përgjigja që drejtuesit e shtetit ukrainas u dhanë protestave të forta pro integrimit europian në Kiev e gjetiu. Kjo zgjidhje sempliste për realitetin dhe problemet shqiptare, afërmendsh të bën të vësh buzën në gaz për naivitetin që përmban, por njëherësh duhet edhe të fillojë të na alarmojë nëse përhapet si qëndrim. Dhe kam përshtypjen se njëfarë “euroskepticizmi” pas episodit me statusin, nuk reflektohet vetëm mes të rinjve. Por çfarë botëkuptimi përmban në vetvete ky lloj qëndrimi?

Është e qartë se çfarë: Nënkupton që ne, statusin e vendit kandidat, apo në përgjithësi hapat integrues i pëlqejmë dhe duartrokasim vetëm me prapamendimin se paskëtaj do na vijnë paratë, financimet, ndihmat, fondet. Pastaj dimë ne se ç’bëjmë me to. Nëse për shumë arsye vonohemi apo na vonojnë, apo na rikthejnë për “në vjeshtë”, atëherë nervozohemi me vjehrrën tonë Europë (nuk kanë munguar evokimet e epiteteve të kahmotshme si p.sh, kurva e motit) dhe deklarojmë se do flemë me mullixhiun më të parë që na paraqitet. Është në thelb, edhe pas 23 vjetësh, i njëjti përfytyrim jo vetëm naiv, por edhe prej mistreci provincial i yni për Shqipërinë si gjithë Europa, në kuptimin e parave nëpër duar, makinave, diskove dhe veshjeve të modës; dhe jo për Shqipërinë si Europa e punës, shkollimit, shanseve të barabarta e barazisë përpara ligjit, shtetit ligjor e të së drejtës.

Mbase pas shtyrjes së statusit, është më e rëndësishme se kurrë që të bëhet e qartë kjo gjë, për të rinjtë e të vjetrit: Statusi kandidat apo edhe anëtarësimi i largët, nuk është si arritja e një niveli më të lartë në lojërat elektronike, pas të cilit ti fiton bonuse; nuk është pensioni i artë pas mundimeve të tanishme rinore, i cili do na mundësojë të dredhim zinxhirin teksa Brukseli na hedh tufa eurosh. Përkundrazi, është një ftesë për përsosje të mëtejshme (sa stonon ky term me realitetin tonë) të standardeve. Është thënë disa herë dhe në mënyra të ndryshme: Europa duhet ndërtuar këtu; dhe kur të arrijmë ato standarde që përfaqësojnë vendet e zhvilluara e demokratike, me gjasë nuk do jemi kaq entuziastë për anëtarësimin.

Është pra, shqetësuese kjo mënyrë të menduari që po ripërsëritet së fundi, për mënyrën sesi duhet ta ndërtojë të ardhmen ky vend. Dhe është e tillë, sepse politika dhe qeveritë shqiptare nuk kanë ditur të bëjnë me zhdërvjelltësi dhe llogari ekonomike as tjetrën; pra “t’ja fusin një të lidhur”, ose thënë ndryshe të shtojnë bashkëpunimin ekonomik me interes dypalësh, me ato vende që supozohet të jenë mullixhinjtë në fabulën e mësipërme: Jemi me shumë vonesë në tërheqjen e investimeve daç kineze, apo arabe apo vendeve të tjera. Të cilat, të jemi të qartë, nuk është se mezi ç’presin të shkëputemi nga pëqiri i Brukselit që të na mbulojnë me valutë të huaj.

Nëse duhet të ndriçohemi dhe të bëhemi “euroskeptikë” pas shtyrjes së statusit, atëherë le të na shërbejë ky moment për të filluar të ndryshojmë më në fund qëndrimin në raport me vetveten. Korrupsionin nuk mund ta luftojmë se na e kërkon Europa, kjo mësuese e rreptë dhe noprane që e shohim në dritë të syrit për një gjest aprovues; as çështjen e pronave, as drejtësinë e hallakatur apo borxhin publik etj, nuk i kemi të ndara ca si detyra klase, e ca si detyra shtëpie. Të gjitha janë tonat dhe për vete.

Është e vërtet se si vend i vogël dhe demokraci ende në shpërgënj, kemi nevojë për partnerë të besueshëm dhe aleatë strategjikë. Por që edhe ne të konsiderohemi strategjikë për këta aleatë (e në këtë pikëpamje, sot duhet ta quajmë veten fatlumë si asnjëherë në historinë tonë), le t’i kthejmë më në fund sytë nga vetja dhe t’i përvishemi punës. Kështu si kemi qenë deri tani, nuk i hyjmë në punë as vjehrrës, as mullixhinjve e as dreqit.

*REVISTA KLAN 

4 komente në “Vjehrra dhe mullixhinjtë”

  1. katuli says:

    O alqi o djal i mire po sdo shume mend tashi qe po te gjeten gomar keta perendimoret te shalojne mire. Serbia sapo beri marrveshjen e gazsjellesit me rusine , fap e i celen negociatat per anetarsim (nderkohe qe sapo ishte zbuluar nje tjeter varr masiv dhe kane tre vjet qe i bombardojne sumen me shkelma dhe shkopinj LGBT-ve neper parada). Ata qe ishin kompetente dhe eksperte per standartet folen qarte dhe fort si asnjehere tjeter. Une habitem pse lodheni akoma mor vlla. Qeverise se shkuar ja bllokuan vizen qe ke sporteli i Komisionit dhe Parlamenti Evropian e diskretitoi fare. Apo edhe ti ke filluar pune ne ndonje ojf apo institucion nderkombetar ketu ne Tirane (ne mos je duke kerkuar). Se ka ardhe dita e skutheve. Po skuthet kane fund te trishte.

  2. pelivan says:

    Nese, Evropen e ndertojme ketu,(Ama,nese),Ateher,s’kemi asnje arsye per te hyre atje! Por,jemi qe jemi,( S’rrim dote pa levizur…), ” T’ja fussim nje te lidhur”,me demek,me ata mullixhinjte.?!… okay,ok… Por, ckujtoni ju, se ata jane ata, mullijnxhit’ e djeshem, qe hanin radheeee?!…. Jo more zotrinje,perkundrazi. Ata, tashme i zgjedhin nuset, qe zihen me vjerrat….

  3. emigranti says:

    Ah mor Alqi kur do ta kuptoni ose me sakte kur do ta thoni me ze te larte te verteten.Shqiptaret kujtojne vertet se futja ne Europe do ti sillte miliona euro pa punuar.Po te mos i mbante kjo ide,as nuk do donin tia dinin.Prandaj here pas here shpethejne dhe tregojne fytyren e vertete.E verteta eshte se 70% e popullsise e gjejne veten vetem ne Lidhjen Arabe,se sjane gje tjeter vecse turq shqipfoles.Ne Qytetin tim ka me dhjetra pleq qe i deklarojne me ndershmeri rrenjet e tyre dhe e dine bile edhe nga cila krahine e Turqise vine.Prandaj ky vend NUK BEHET.

  4. Indipedenti says:

    Te kam shkruar dhe nje here direkt ti ne immelin tend o Alqi Krici
    te them krici se me ngatron shume mbiemri tend e kam me te thjeshte te
    te them krici… ti nuk me ke kthyer pergjigje ,nuk e kam kuptuar mos
    pergjigjen tende. Tani te them dhe nje here si dhe atehere.
    Shqiperija eshte vrima e bythes se europes, domethene eshte vendi i
    jasht qitjes, Europa e do per jashte nxjerje te saj, si te jete brenda
    dhe te jete jashte eshte njesoi per te.Evgjiti i zi eshte njesoi si
    evgjiti i bardhe,vetem eshte lekura qe ndrishon,nuk ka ndryshim ne
    thelbesoren e njeriut.Rusija qe na ze ne goje o Krici e njeh njesoi si
    dhe europa kete popull evgjit te bardhe pa vlera,qe shitet per 30 aspra.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje