Zbythja e rapsodëve

25 Dhjetor 2013, 20:24Blog TEMA

Nga Ardian Vehbiu*

 

Të gjithëve ne që e duam muzikën, na vjen keq për disa patologji të muzikës shqiptare sot – teprime, abuzime, tepdilosje dhe sidomos mungesa.

Para disa javësh, Valentin Bruçaj shkruante në MAPO për degradimin e muzikës folklorike në Shqipëri (“Orientalizimi i muzikës shqiptare ose si po prishen shijet”), duke shprehur shqetësimin se ajo sot po zëvendësohet “ me muzikë të vendeve dhe kulturave të tjera, kryesisht orientale,” dhe po “u ofrohet njerëzve si i vetmi produkt.”

Nëse konstatimi qëndron, premisa e autorit se, pavarësisht se shqiptarët kanë jetuar “në dilemë nëse i përkasin Lindjes apo Perëndimit, kultura e tyre ka qenë pothuajse totalisht perëndimore” mund të diskutohet; dhe ironikisht të hidhet poshtë pikërisht me argumente muzikore.

Në fakt, folklori muzikor tradicional shqiptar përmban një larmi të pashembullt shkallësh, harmonish, temash, motivesh dhe stilesh – ku gjen gjurmë të të gjitha kulturave me të cilat shqiptarët dhe të parët e tyre kanë rënë në kontakt gjatë shekujve.

Vetë “muzika popullore shqiptare,” si muzikë karakteristike e komuniteteve shqiptare, nuk ekziston veçse përmes një larmie të pashembullt formash, të cilat i mban së bashku një ngjashmëri familjeje, në kuptimin që i jep këtij termi Wittgenstein-i; jo ndonjë thelb autokton unik.

Veçanërisht, muzika tradicionale qytetare në Shqipëri ka qenë pjesë e kulturës muzikore urbane të Perandorisë Osmane, e cila në Ballkan ka qenë përhapur dhe riprodhuar kryesisht prej muzikantëve rom.

Bruçajn vërtet e shqetëson fakti që “ muzika orientale është duke zëvendësuar muzikën tonë popullore e folklorike,” por arsyet pse po ndodh kështu, ia atribuon “qarqeve të caktuara”, të cilat muzikën orientale duan ta përdorin “si mjet diversioni kulturor.”

Natyrisht, asnjë provë nuk sillet për këtë hipotezë – le ta quajmë kështu. Nëse një lloj i caktuar muzike po përhapet lirshëm, me të njëjtën shpejtësi siç përhapen dyqanet e qofteve, ose, të themi, pikat e basteve, kjo veç tregon se publiku shqiptar, në masë, ka një tërheqje të vetvetishme ndaj kësaj muzike.

Bruçaj duket sikur ngatërron predisponimin kulturor të elitave tona – ndaj Perëndimit – me atë të masës, e cila tërhiqet nga të tjera shkallë, ritme dhe tema muzikore, pse këto i bashkëtingëllojnë më mirë traditës folklorike qytetare.

Në fakt, çfarë jemi mësuar ta quajmë folklor muzikor shqiptar safi, dhe që u kultivua me përkushtim të madh gjatë 50 viteve të regjimit komunist në Shqipëri, nuk është veçse produkt i sajuar, i mbajtur në këmbë me përpjekjet titanike të muzikantëve dhe poetëve profesionistë në prapaskena.

Këtë e dëshmon praktika e përgatitjes së Festivaleve Folklorike të Gjirokastrës, për të cilat mobilizohej ajka e artistëve profesionistë të Shqipërisë.

Në gjendjen e vet të kulluar, si praktikë dhe krijimtari artistike popullore anonime, folklori muzikor e ka të vështirë ta ruajë vitalitetin, përballë produkteve të kulturës masive. Muzika folk, ose “popullore”, siç e quajnë ndryshe, mbijeton më shumë si një traditë e mbajtur në këmbë nga profesionistët; njëlloj si ato pandat e rralla, që i mbajnë gjallë dhe i riprodhojnë në kopshtet zoologjike.

Çfarë shumë prej nesh sot e quajnë muzikë folk shqiptare të mirëfilltë, në fakt është më shumë një përzierje e motiveve ballkanike të huazuara nga një kulturë lokale në tjetrën, shpesh të përpunuara nga muzikantë profesionistë sipas një estetike të caktuar, dhe me tekste të rishkruara, sipas rastit; në një kohë që shoqërimet, variacionet dhe teknikat e përpunimit të frazës muzikore shtegtojnë lirisht nga një njësi në tjetrën.

Në Festivalet Folklorike të shekullit të shkuar, autentikja vinte si produkt i krijimtarisë profesionale – në kompozim, përpunim, koreografi dhe tekste.

Kjo do të thotë edhe se bindja që folklori shqiptar, përfshi këtu edhe muzikën, veç duhet “mbrojtur” nga ndikimet dhe modat shfytyruese, është naive, romantike dhe e pabazuar; meqë ajo çfarë mbajmë sot si muzikë popullore autentike, dhe që ende e dëgjojmë të riprodhuar në radio, në TV, në CD-të dhe në YouTube, është në fakt produkt pak a shumë artificial, i përpjekjeve të një elite muzikantësh dhe artistësh të tjerë profesionistë.

Me fjalë të tjera, pa përpjekjet sistematike të artistëve dhe të institucioneve, muzika folklorike shqiptare – në ato trajta siç e përfytyrojmë ne sot – nuk ka shanse të mbijetojë, përballë trysnisë që i vjen nga zhanret “orientale.”

Ajo çfarë mungon në parashtresën e Bruçajt, është pikërisht sqarimi se folku shqiptar sot, i stilizuar në trajta kombëtare – ose i tillë që të dallohet si shqip – është muzikë e llojit elitar, që nuk riprodhohet dot në masë; njëlloj si pandat dhe tigrat e bardhë të zoo-ve, që nuk mbijetojnë dot më në gjendje të egër.

Kriza e muzikës folk është krizë e muzikës së përpunuar, jo simptomë e korrupsionit kulturor të masave; pse muzika e masave ka qenë gjithnjë “e korruptuar”, nëse mund të shprehemi kështu; krejt e hapur ndaj ndikimeve; sa dhënëse aq edhe marrëse; shëtitëse në motivet, zërat, instrumentet dhe efektet; dhe sidomos e përshtatur ndaj funksioneve sociale të muzikës: ahengje, dasma, kremtime.

Duke filluar që në vitet 1930, ne kultivuam një shkollë shqiptare të muzikës qytetare, me elemente folklorike të rafinuara stilistikisht dhe të përpunuara në mënyrë të tillë, që të tërhiqnin një publik urban të kultivuar. Kjo shkollë, për të cilën kontribuuan kompozitorë, këngëtarë dhe instrumentistë nga më profesionistët, i dha formë dhe drejtim krijimtarisë muzikore dhe konsumit të muzikës mes shqiptarëve.

Dhe fakti që pikërisht në kohën që lulëzoi ajo shkollë, u masivizua edhe folklori shqiptar muzikor, në trajtat e veta më autentike, nuk i detyrohet ndonjë përkimi rastësor; por konfirmon, sërish, se në periudhën e konsumit masiv të muzikës, folku i kulluar është po aq elitar sa edhe muzika e dhomës ose muzika lirike; ose edhe jazz-i i një Elina Duni ose Eda Zari.

Dhe sa për “orientalizimin”, që alarmon shumë njerëz, ky lidhet sa me predisponimin e publikut urban për muzikën orientale – nëse do të quajmë të tillë një muzikë sipas shkallëve dhe ritmeve dhe teknikave orkestruese të caktuara – aq edhe me përdorimin mbizotërues që po i bëhet sot muzikës pseudo-folk (tallava, turbofolk), si një lloj kolone zanore për jetën e natës të rinisë, nga njëra anë dhe për ahengjet e borgjezisë së re qytetare, nga ana tjetër; pra si shoqëruese dhe identifikuese e konsumit të spikatur.

Pikërisht e kundërta, pra, e atij investimi shpirtëror, material dhe njerëzor, që do të kërkonte kultivimi.

*Nga blogu “Peizazhe të Fjalës”

13 komente në “Zbythja e rapsodëve”

  1. -homeri- says:

    —eshte nje artikull i shkruar shpejt e shpejt dhe nuk perben analize te hollesishme — ka dy drejtime ne kengen e popullit , ate folklorike dhe ate te stilizuar –defurmimi eshte ne muziken e stilizuar — shoqeria ne shekullin e kaluar i ka dhene rendesi te vecant te dyja ketyre drejtimeve muzikore te popullit dhe stilizimi ka patur si baze folklorin duke i dhene atij stilizimin me mjetet muzikore —sot , gjithcka e trasformuar , si tekst –te shemtuar -, kengetar me shume se medioker , dhe me muzikant te tipit ta arixhinjeve —
    —-nje shembull– sa kengetar ka sot vlora , dhe sa ka patur ne shekullin e kaluar , sa diferenca , ne te kenduar , ne tekste , ne kompozime —sot jemi kthyer ne arixhinj -grek , arixhinj turko- arab

    1. Kajmaku says:

      Une nuk jam specialist i muzikes popullore shqiptare, por nuk besoj se polifonia labe te jete me ngjyrime turke, megjithate per nje gje jam i sigurte: ky Ardian Ylvi Vehbiu eshte me origjine nga shkretetirat e Anadollit dhe atje i rreh zembra, paçka se loqet i mban ne Amerike.

  2. FONSI TIRONSI says:

    HA HA HA HA HA,

    I MODH ADI,

    PO NUK PO NA ZBYTHET KY RAPSODI JON:

    http://goo.gl/mQgYfy<b.

    1. X Man says:

      Ti, o nuk e ke lexuar c’eshte shkruar o nuk e ke kuptuar ?

  3. Rramuson says:

    Car foto skem!
    Sa lek i keni dhon atij musteqes per me pozu?

  4. Ardit says:

    Po meqe Lady Gaga dhe Justin Bieber jane me te paret ne Amerike, meqe jane me qindra miliona vete dmth qe edhe Amerika qenka kot ? Ta hedhim ne plera ate kulture ? Shume i cuditshem ky. Kudo elita i meson Mozartin dhe jo Jay Z-ne (me lindor se Turqenia nese do ta analizonim me kujdes), mirepo ky skuth me emrin Vehbi mundohet qe te krijoj nje lidhje ndermjet shkaterrimit te shtetit dhe fenomeneve qe jane kudo te dukshme jo vetem ne Shqiperi me orientimin oriental Shqiptar. Shko mor mbushu sharlatan.

  5. feniks says:

    Ja edhe nje tjeter ANTI SHQIPTAR, jenicer i Sali Berishes,duke LUFTUAR KUNDER MUZIKES POPULLORE SHQIPTARE!!!
    Regjizura serbe ka planifikuar te gjitha FUSHAT se ku duhet SULMUASR PER TE SHKATERRUAR KULTUREN,HISTORINE,HERONJTE etj te kaluares te KOMBIT SHQIPTAR!!!
    Sali Berisha eshte ARKITEKTI i venies se SKENE te ketyre “SHFAQJEVE”cetnike,qe ne cdo drejtim e ka cuar Shqiperine ne ZHDUKJE DHE HARRESE TOTALE!!!
    Ne shkolla femijet shqiptare nuk mesojne historine si ka qene,por si ju intereson ARMIQVE TE SHQIPERISE!!!
    7 prilli 1939 nuk eshte me dite fatkeqesie,sepse Zogolli i be HERO,ndersa pushtuesi gjerman,KOT U SULMUA SE AI ERDHI PER KRIJIMIN E SHQIPERISE ETNIKE”!!!etj!!!
    Tani na del edhe ky Vehbiu,nje SHARLATAN,qe vetem shqiptar nuk eshte!!!

  6. alban.ny says:

    Eshte nje analize zhgenjyese ne rastin me te mire. Titulli i shkrimit dhe argumentet nuk kane pike lidhjeje.Nuk shkruhet asgje per muziken qe perben palcen e folkut shqiptar, polifonine dhe rapsodine.Nje qendrim perbuzes, denigrues por dhe i pavertete ndaj Folkfest-ave. Mund te mos pelqesh format si paraqitej aty folkmuzika, po jo c’ka prodhuan ata Festivale.

  7. vir albanicus impera(p)tor est says:

    Ndoshta problemi i rapsodise qindron te fakti se rapsodia asht individualiste e malsore edhe i perket maleve e fushave, eposit edhe trimnise se kangeve te vjetra, kur shqiptari jetonte veç tjeresh edhe ndojhere u mblidhte me tjere miq e dashamire. Kultura orientale e qyteteve tona ka nji tjeter domethanie. Asht kulture turme e masash, familjare e asimiluese, ku individi gadi-gadi nuk ka ndonje rrol te madh. Muzika orientale asht joshese, deri diku teper seksuale, nji klime mjaft e perhapun nder rinine e ndrydhun shqiptare e qytetare. Te mos harrojme se shoqnija shqyptare e RSh vjen prej gadi 60 vjetesh puritanizmi seksual.

    Sex sells, allways.

  8. Mollosi says:

    Eshte ai i njejti i cili trumbeton per futjen e turqizmave ne fjalorin tone. Thjeshte eshte nje antishqiptar.

  9. Njeriu Eger says:

    Nuk e di po se c’me ngjason me nje “lider historik” ky rapsodi i zbythur, mer yahoo!

  10. sync says:

    Rapsodite po ashtu edhe polifonite , jane dhe rrjedhin nga tradita te lashta shqiptare ,sa per te tjerat (rrymat muzikore ) sinqerisht kam dyshime te thella

  11. AHA says:

    Vehbiu ,po mire mor zotni,pa ndonje te keqe njerezimi nga ruajtja e rraces se pandave ,mendoj se jo ,perkundrazi !
    Deshqiptarizmi i muzikes shqipetare e me keq akoma ,perfaqesimi i saj me motive sa vjen e me te forta orientale nuk eshte kurre ne te mire te shqiptarise ,perkundrazi,eshte nje me perhapjen e islamizmit arabik ,i huaj per shqiptaret edhe gjate pushtimit turk mendoj une ne trevat shqipetare . Muzika shqiptare ka pesuar dem te madh sot nga ulja e kerkesave te mases shqiptare te nje niveli te caktuar por polifonia e rapsodia duhen mbrojtur patjeter pavaresisht se tregu kerkon ritme tallava,fundja ajo shitet me kollaj ne gjithe Ballkanin e kudo njihet si “kombetare”1

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje