Mbi keqbërësit

24 Dhjetor 2013, 19:48Blog TEMA

Nga Arben Idrizi

Duke e legjitimuar dhe justifikuar keqbërjen në kohë lufte, në fakt ne e kemi legjitimuar dhe justifikuar keqbërjen si të tillë, pavarësisht a dhe kur do të ndodhë prapë

 

Mesa kam mundur të vërej dhe siç mund të vërehet fare lehtë nga secili, opinioni publik, në reagimin e tij karshi hetimeve ndaj ish eprorëve të lartë të UÇK-së, është i ndarë në tri grupe.

I pari: më i vogli, i përbërë nga ata që e dinë se mund të kenë bërë keq dhe mendojnë se duhet dhe duan të hetohen.

I dyti: më i madhi, i përbërë nga ata që e dinë se mund të kenë bërë keq dhe nuk mendojnë se duhet dhe nuk duan të hetohen.

I treti: i mesmi, i përbërë nga ata që nuk arrijnë assesi të besojnë se ata mund të bënin një gjë të atillë të keqe.

Te grupi i parë bëj pjesë edhe unë.

Grupin e dytë e konsideroj të njëjtë me të dyshuarit. Pra, të tillët po patën fuqinë dhe rastin, bëjnë tërë atë të keqe që, sipas bindjeve dhe pikëpamjeve të tyre nacionaliste, është e duhur dhe e lejueshme. Si të tillë, janë keqbërësit e ardhshëm potencialë.

Në këtë mes, grupi i tretë është më i pafajshmi dhe në të njëjtën kohë më i dëmshmi. I pafajshëm për shkak të verbërisë dhe injorancës. I dëmshëm pikërisht për këtë.

Pse nuk arrijnë të besojnë se ata mund ta kenë bërë atë të keqe?

Kanë përgjigje të ndryshme, ndër të cilat edhe këto:

Se lufta jonë ishte e shenjtë dhe e pastër (dy epitete kundërthënëse dhe gjithsesi krejtësisht jonjerëzore) në përpjekje për të ndalë fuqinë keqbërëse përballë.

Dhe se personat në çështje për nga natyra, pikëpamjet dhe besimet janë krejtësisht të drejtë e human, prandaj kurrë s’do të binin në atë derexhe sa të keqtrajtonin, përdhunonin a vrisnin civilë, aq më pak shqiptarë.

Po cilët janë ata që bëjnë keq dhe si njihen përnjëmend për nga natyra (përveç armikut?)

Në të vërtetë, do të ishim idiotë më brirë po të pretendonim se mund ta dallojmë dhe njohim, pagabueshëm dhe pa asnjë drojë, keqbërësin nga dukja. Sidomos keqbërësit ideologjikë. Ndonjëherë, mund të jenë më të sofistifikuar dhe më butësi rrezatues se vetë engjëjt. Asnjëri keqbërës serb, i njohur a i panjohur, nuk shfaq në vetvete ndonjë natyrë ndryshe nga kjo e jona, viktima të tij. Dhe asnjëri nga keqbërësit shqiptarë, të njohur a të panjohur, nuk shfaq ndonjë natyrë ndryshe nga kjo e jona, dyshues të së keqes së tij.

Më tej, asnjë keqbërës, serb a shqiptar qoftë, nuk e thotë shprehimisht e me pendesë se vepra e tij është e keqe. Secili ka justifikimin për të keqen e vet, në mënyrë që edhe të tjerët ta pranojnë veprimin e tij si të mirë dhe të domosdoshëm.

Prandaj, për keqbërësin serb, vrasja e shqiptarëve, të armatosur a civilë, fëmijë, gra a pleq qofshin, është një veprim i mirë, ngase kështu përveç që hakmerret për vrasjet që kinse i kanë bërë ata vetë a paraardhësit e tyre, në të njëjtën kohë edhe shmang mundësinë që të bëjnë vrasje të tjera vetë ata a pasardhësit e tyre në të ardhmen.

Njëjtë, për keqbërësin shqiptar, po ashtu është i justifikueshëm dhe i justifikuar cilido veprim (burgosje, keqtrajtim, përdhunim, denigrim dhe vrasje të personit të caktuar a të tërë familjes së tij) në dëm edhe të cilitdo shqiptar që konsiderohet (nga kush?) bashkëpunëtor i armikut ose, në forma të tjera, rival i tij, i papërshtatshëm, jo patriot, mospërkrahës i kauzës së tij të proklamuar si të përgjithshme, etj.

Tani, pse është e vështirë të besohet dhe pranohet se keqbërësi mund të jetë secili, edhe dhe sidomos ai që moralizon, shenjtëron kauzën, thirret në emër të popullit a të një ideali a parimi universal?

Ngase nuk e kemi ditur se keqbërësi paska edhe atë qëndrim, dukje a ligjërim që e njohim?!

Dua të them, për ne shqiptarët, keqbërësi, thënë në mënyrë paksa të përgjithësuar dhe banale, ka pasur gjithmonë dhe vetëm pamjen dhe qëndrimin e tjetrit, armikut, fqinjit; kurrë s’ka qenë njëri nga ne. Fanatizmi, verbëria dhe dashakeqësia nuk na kanë lënë të shohim brenda vetes, apo kur rastësisht kemi shikuar dhe kuptuar, të mos e pranojmë atë që kemi parë dhe kuptuar.

Unë mendoj, besoj, e di nga Historia, e kuptoj dhe e shpjegoj, prandaj nuk e justifikoj kurrë, se njëri që thirret në të drejtën, lirinë, parimet dhe vlerat humane, mund të jetë lehtësisht një keqbërës i përbindshëm. Varësisht nga imagjinata, mjetet, rrethanat dhe fuqia.

Në të vërtetë, edhe keqbërësi më i pafuqi dhe pothuajse i izoluar do të gjejë një ditë motiv, arsye dhe nevojë, sipas bindjes së tij prej fanatiku e urrejtësi, t’ia presë flokët e buzët një “lavireje që është shkërdhyer me armikun”, apo ta mbajë në pus e ta keqtrajtojë dhe vrasë “një rojtar pyellit që ka spiunuar”, ta ekzekutojë “një familje sepse janë gruaja, e bija dhe i biri i një spiuni”, të përndjekë “një bir bushtre që nuk është bashkuar me të në luftën e tij të shenjtë a popullore”, ta qërojë “një qen bir qeni në emër të popullit ngase nuk ka ndjenja kombëtare”, etj.

Të gjitha këto keqbërje, në botën e keqbërësit të tillë, siç e pamë, kanë një justifikim.

Dhe pikërisht me këtë justifikim arrijnë ta bëjnë për vete grupin e qytetarëve që e mbështesin veprimin e tyre si dhe t’i mbajnë nën kontroll grupin që nga injoranca nuk beson dot se ata do të bënin keq, ndërsa grupin tjetër përmes frikësimit dhe dhunës.

Në librat e Historisë, në artin dhe kinematografinë shqiptare në përgjithësi, nuk ka shqiptar keqbërës. Nëse po, atëherë ai është thjesht dhe vetëm tradhtar dhe gjak përzier. Shqiptari i vërtetë është vetëm luftëtar, viktimë dhe hero. Luftëtar i drejtë dhe i pastër. Viktimë e pambrojtur. Hero që e shpëton popullin e vet pa bërë asnjë krim.

Ndoshta edhe kjo është një nga arsyet pse ai grupi i mesëm i qytetarëve nuk arrijnë dot të besojnë se bashkëkombësit e tyre me dukje engjëllore dhe justifikime të përjetshme edhe mund të jenë keqbërës.

Nga ana tjetër, po të ndalesh të shohësh si qëndrojnë gjërat në realitet, ta zëmë vetëm historinë e Shqipërisë pas pavarësisë, e kupton lehtë dhe qartë se sa të mundshëm janë keqbërësit në mesin tonë. Ndaj vetë qytetarëve të tyre. E po të kishin mundësinë, natyrisht edhe ndaj të tjerëve. Edhe sot e kësaj dite, pas gjithë atyre dëshmive të tmerrit komunist, ende gjen grupe njerëzish që mendojnë dhe besojnë se ideatori i atyre krimeve nuk ishte një kriminel, bile do të duhej të ringjallej. Ka të atillë, sidomos në Kosovë, që mendojnë se ai kishte të drejtë kur e bënte të keqen që e bënte “ngase vetëm ashtu mund ta mbante të gjallë atdheun e kërcënuar nga barbarët sllavë të ardhur nga Karpatet, maqedonasit e pa identitet dhe grekët mizorë”. Sa duket për këtë edhe ishte frymëzim për të gjithë këta të dyshuarit për keqbërje dhe të tjerët që ende s’janë hetuar e ndoshta kurrë s’do të hetohen.

Pra, për të kuptuar duhet vetëm pakëz mend dhe humanizëm. Gjeni mund të të duhet të jesh për ta bërë të keqen, por jo për ta kuptuar atë.

Në rastin e Kosovës dhe personave të dyshuar për keqbërje gjatë luftës, ka një paradoks në vetë qëndrimin e opinionit publik që po ashtu do të doja ta sjell në kujtesë.

Një pjesë e mirë e atyre që nuk arrijnë ose nuk duan ta pranojnë se të dyshuarit ishin keqbërës gjatë luftës, i konsiderojnë dhe i njohin ata të dyshuar për keqbërës pas luftës. Dhe për këtë në të vërtetë duan dhe kërkojnë të hetohen dhe gjykohen. Keqbërja e pasluftës përfshin vrasjet politike, korrupsionin, vjedhjen, plaçkitjen e pronës publike dhe të të mirave të përbashkëta, etj.

Sipas këtij qëndrimi, keqbërja në luftë justifikohet, por jo edhe ajo pas luftës. Të keqtrajtosh dhe vrasësh civilë shqiptarë, serbë a romë, të ekzekutosh “spiunë” në emër të popullit pa vërtetuar fajësinë e tyre, t’i zhdukësh nga faqja e dheut a t’i mbash nëpër puse rivalët politikë a ideologjikë, etj, në luftë, është e justifikueshme, e lejueshme dhe e drejtë. Për mua, ky qëndrim është keqbërje pothuajse po aq sa vetë keqbërja. E keqja luftohet nga origjina e saj. Origjina e keqbërjës në diskutim është pikërisht periudha e luftës. Po s’u zu nga atje, e gjitha do të jetë vetëm një zgjatje e jetës së saj.

Ngaqë, duke i dhënë keqbërësit meritat dhe lëvdatat më të larta të mundshme që mund t’i jepen një individi, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për një periudhë ekstreme, duke e konsideruar të drejtë dhe të justifikuar çdo shkelje, si do të mund ta gjykosh (vetëm) për shkeljet në kohë paqeje? Të cilat, për më tepër, ka vazhduar t’i bëjë pikërisht duke e keqpërdorur mirënjohjen që i është dhënë, duke marrë guxim dhe duke u nxitur pikërisht nga të qenit i shpërblyer dhe i veçuar. Duke e legjitimuar dhe justifikuar keqbërjen në kohë lufte, në fakt ne e kemi legjitimuar dhe justifikuar keqbërjen si të tillë, pavarësisht a dhe kur do të ndodhë prapë.

Së fundi, dua të them se meqë fituesi i vërtetë apo edhe thjesht fituesi i shtirur e shkruan Historinë, ne do të edukojmë breza të tërë të ardhshëm me idenë se shqiptari nuk është dhe s’ka si të jetë keqbërës. Duke mohuar e injoruar të gjitha keqbërjet dhe duke i glorifikuar e shpërblyer kryesit e tyre.

*EXPRESS

8 komente në “Mbi keqbërësit”

  1. Ilir Hoti says:

    Prape do vazhdojme tedenojme njeri-tjetrin per hesape te……………….Ku jane te zhdukurit,te vraret ,masakruarit,dhunuarit shqiptare?????????P xhelatet e tyre :Kriminelet e pa numurt serb etj ??? Hapeni syte o sylesh!!!!Ne i thona ‘ma katolik se papa’!!!!!!Cfare ‘grade shkencore’ do te mbrosh o ‘leshko’!!!

  2. Albnr1 says:

    Ne shqiptaret duhet te jemi krenar sepse gjate luftes Nacional clirimtare ne zonat antikomuniste partizanet me ne krye vete Mehmet Shehun u futen me lufte per ti ‘marre’ ne fakt, ishte nje vellavrasje qe u perdor me synim marrjen e pushtetit, dhe fatkeqesisht ka akoma njerez te indoktrinuar qe e justifikojne si veprim te mire pasi ajo popullsi ishte “balliste” edhe kish bashkepunuar me gjermanet. Nuk mund te sulmosh nje fshat te tere si bashkepunetor me gjermanet (mbi baze thashethemesh.

    Ka pasur edhe raste pushkatimesh vajzash intelektuale me pretekstin se kishte thyer rregullat e moralit te luftes (gje e pavertetuar).
    Spastrimet qe gjate luftes te rivaleve potenciale u justifikuan nga njerez naiv idealiste, por me kohe e verteta ka dale.

    E VERTET NUK PERENDON KURRE.

    Mire eshte qe ne keto dite rivaliteti ne politike te mos jete “NE THIKE E NE BRISK” por te garohet ne rruge te drejte. Cdo jete njeriu vlen per familjen e tij dhe shoqerine. Pushteti eshte i perkohshem fal Republikes parlamentare prandaj te kursehen sa me shume jete njerezish idealiste, sepse ndonjehere erren syte, vishen me perde dhe dikush mendon se po te “shkaterroj X njeri mund ti hape rrugen vetes”.

    Keta njerez jane te semure dhe duhen denoncuar si kriminele.

  3. kirurg says:

    @Albrn1 : Ti thua me vete futja kot se kokat bosh do me marrin per me te mencurin e botes! Dhe vete i sjell “faktet”, vete ben “analizen”, po vete nxjerr edhe “konkluzionet”!!! A ke ndonje titull shkencor ti qe te besojme se ke bere studime per ato qe thua? Dil atehere me emer e mbiemer, na thuaj studimet dhe librat qe ke botuar, ku dhe kur i ke botuar?Ose te pakten na sill nje liber ku i ke marre keto qe thua. Vetem aman mos na trego si model te se vertetes Gazeten 55 te Fahri Balliut apo librat e atij “historianit” qe iu vra i ati ballist ne hale te fshatit i veshur me fustan gruaje! !

    1. Albnr1 says:

      @Kirurg, te pershendes:

      Je pak nen emocione, por e di qe nuk jemi te dy larg se vertetes…

      Si ne lufte edhe ne paqe ne perpjekje per marjen e pushtetit ka lriminel potencial, me te cilet duhet bere kujdes kur i GRADON sepse ata mund te dalin nga kompetencat qe u jep duke bere ndeshkime te renda tek njerez QE ATA VETE I SHOHIN SI RIVALE POTENCIALE. Prandaj BESO E KONTROLLO.

      Vete Enver Hoxha ka denuar te tille (qe gjate luftes kane kapercyer kompetencat) shume kohe pas çlirimit kur eshte hedhur drite mbi faktet dhe kur jane shkelur vete ne ‘kallo ‘ denoncuesit…

      Ka plot fakte qe gjate LUftes Nacionalòlirimtare “eshte djegur i njomi me te thatin” me synim pushtetin.

      Vete zonja HOXHA ne keto vite te pleqerise se thelle e ka pranuar ne pergjithesi por edhe tekstualisht: “Po ne na duhej pushteti?!” kuptohet secili beson se pushteti i tij eshte me i mire…puna eshte TE SHMANGEN VIKTIMAT…

  4. Bushatlli Bushatqiri says:

    Shqiptart jan komb kriminel
    Jan tposhten
    T nyt

    1. Ilir Hoti says:

      Maskarenj si ti grek-sllav jetojne ne shqiperine tone ne paqe te pa diskreminuar me te drejta si ne Britani a Gjermani… Shiko pakicat ne Greqi etj……Kushte detyron te ndryshosh fene ,kombsine etj o qelbanik,rrace e keqe ne gene… Ky eshte populli yne e jo i yti kriminel primitiv e barbar.

  5. Fans says:

    Po….Gjeniu Ukshin Hoti…ku është..dini ndonjë gjë ju Arben…?!

  6. AC/DC says:

    Arben, je nga te paktet shqiptare(kendej apo andej kufirit) qe jo vetem ke kurajon ta shohesh te keqen ne sy por dhe ta denoncosh ate. Duke patur parasysh qe kjo e keqe(qe sebashku me injorancen) eshte e kudondodhur dhe gati,gati e pathyeshme. Bravo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje