I verbër me njërin sy?

27 Dhjetor 2013, 17:14Blog TEMA

Nga Enver Robelli

 

Në një intervistë dhënë gjatë fundjavës agjencisë së lajmeve “Kosovapress” kryetari i lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, jep disa vlerësime politike bukur të çuditshme për një politikan që së paku për shkak të dijes së tij shpeshherë virtuoze dhe retorikës mbresëlënëse do të duhej të dallonte nga llumi politik i Prishtinës.

Kështu A. Kurti shprehet kundër sqarimit të krimeve eventuale të luftës të kryera nga shqiptarët e Kosovës, duke thënë se “EULEX-i nuk do të duhej të trajtonte krimet e luftës fare”, sepse, sipas shefit të VV-së, lufta çlirimtare e UÇK-së ka qenë “një luftë të drejtë”. Sipas kësaj logjike në një “luftë të drejtë”, siç e ka zhvilluar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pjesëtarët e saj nuk mund të kenë kryer krime lufte, madje asnjë krim. Kështu ideja për çlirimin e Kosovës me armë përdoret nga Kurti si argument për shfajësim paushall edhe të atyre individëve shqiptarë që mund të kenë kryer krime. Që krime lufte kanë kryer edhe shqiptarët, kjo as që mund të mohohet. Janë emrat e mbiemrat e civilëve serbë, romë, malazezë. Nënvizoj: civilë, jo policë, ushtarakë, paramilitarë, të cilët kanë qenë caqe legjitime të lëvizjes çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës.

Nëse mohohet se individët shqiptarë kanë kryer krime, atëherë do të ishte konsekuente që Kurti të thoshte po ashtu se lëvizja “Vetëvendosje” është njëkohësisht edhe kundër arrestimit dhe gjykimit nga EULEX-i të dyshuarve serbë për krime të luftës në Kosovë. Prej se ky mision europian është stacionuar në Kosovë, ai ka ngritur një duzinë aktakuzash edhe ndaj serbëve. A ka bërë gabim? Shihet ashiqare se lideri i VV-së në njërin sy qëllimisht bëhet i verbër: ndonëse prej vitesh ka qenë e ditur se, ta zëmë, Sylejman Selimi, gjendet nën hetime për shkak të keqtrajtimit të disa të burgosurve në Drenicë gjatë luftës, Albin Kurti si kryetar i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme ia dha atij hiç më pak se dhjetë pikë vlerësuese për ta dërguar ambasador të Kosovës në Tiranë. Kosova është bërë kështu vendi i parë në Ballkan që një të dyshuar për krime lufte e ka dërguar ambasador – dhe këtu kontribut të palavdishëm ka dhënë edhe Albin Kurti. Aq i pakujdesshëm nuk ka qenë asnjë vend i Ballkanit. Tutje: Sami Lushtaku po akuzohet për vrasjen e një robi të luftës. Nëse ky nuk është krim lufte, atëherë mund të shkojmë një hap më tej dhe të nisim t’i relativizojmë edhe krimet e Serbisë, të cilat për nga përmasat në asnjë rrethanë nuk mund të krahasohen me veprimet e ndonjë individi të papërgjegjshëm dhe azgan-primitiv shqiptar nga radhët e UÇK-së!

Nëse VV dëshiron të jetë parti serioze politike ajo duhet ta sqarojë raportin e saj me të drejtën dhe me sundimin e ligjit. Nuk ka krime të luftës të pështira në njërën anë dhe “të mira” në anën tjetër. Albin Kurti duhet të heqë dorë nga ky patinazh politik i pasinqertë. Gjykimi i ndonjë pjesëtari të UÇK-së për krime lufte nuk e diskrediton luftën çlirimtare, por vetëm e bën atë më transparente dhe i nxjerr në pah heronjtë e vërtetë, të cilët janë harruar për shkak të “famës” që kanë krijuar “trimat e pasluftës” ose torturuesit në kampet e UÇK-së si tipi i Sabit Gecit. Këtu Kosova duhet të mësojë pak nga përvoja e Kroacisë. Refuzimi kategorik i autokratit Franjo Tugjman për të pranuar se disa oficerë kroatë mund të kenë kryer krime lufte e ka vonuar integrimin e vendit në BE për disa vjet. Në fund të viteve 90-të hetuesit e Tribunalit të Hagës kërkuan nga regjimi Tugjmanit që t’u mundësonte ta intervistonin gjeneralin Ante Gotovina. Tugjmani nuk lejoi një gjë të tillë.

Pastaj Gjyqi i Hagës nisi një hetim të gjerë dhe ngriti aktakuzë kundër Gotovinës, i cili u arratis dhe kështu e mbajti peng vendin e tij për disa vjet: integrimi i Kroacisë në BE u bllokua derisa Gotovina u arrestua në Spanjë. Një pjesë e madhe e opinionit kroat mendonte se gjyqi ndaj Gotovinës ishte gjyq kundër popullit kroat dhe kundër luftës për çlirim nga agresioni serb – një luftë që e kishte mbështetur jo vetëm Amerika, por edhe disa shtete europiano- perëndimore. Në instancën e dytë Gotovina dhe dy bashkëluftëtarë të tij u liruan dhe kroatët u qetësuan, sepse doli se drejtësia ndërkombëtare nuk është antikroate, siç ishte paragjykuar. Nëse Tugjmani do të kishte lejuar në fund të viteve 90-të një takim të hetuesve të Hagës me Ante Gotovinën ndoshta gjithçka do të ishte sqaruar atëherë dhe Kroacia nuk do të kishte humbur vite të çmueshme në rrugën e saj drejt BE-së. Të kthehemi në trevat tona: po aq sa Serbia ka obligim të zbardhë fatin e qindra shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës, edhe Kosova duhet të zbardhë disa kapituj të errët, ku mes tjerash hyn edhe sqarimi i fatit të qindra serbëve që ende konsiderohen të zhdukur. Kjo do t’i kërkohet nesër apo pasnesër edhe Albin Kurtit nga bashkësia ndërkombëtare nëse ky arrin të ketë rol më të rëndësishëm politik në Kosovë.

Nuk ka viktima të vlefshme dhe të pavlefshme. Sqarimi i fatit të secilës viktimë nuk ndryshon asgjë në faktin se Serbia është përpjekur të kryejë gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe për krimet e kryera Gjyqi i Hagës e ka dënuar pothuaj të gjithë udhëheqjen politike dhe ushtarake të Beogradit. Natyrisht dhe për fat të keq mijëra vrasës ende shëtisin të lirë dhe do të jetë obligim i sistemeve të drejtësisë që në të ardhmen të mbledhin dëshmi dhe të ngrenë aktakuza kundër tyre. Këtu edhe vetë shqiptarët e Kosovës duhet të japin kontributin e tyre me dëshmi, fakte, dokumente. Si shoqëri shqiptarët e Kosovës kanë qenë të paaftë që për 14 vjet të themelojnë një qendër serioze për dokumentimin e krimeve serbe. Në këtë aspekt një punë të çmuar e ka bërë Natasha Kandiqi me Fondin e saj për të Drejtën Humanitare. Se sa i respekton viktimat shoqëria kosovare mund ta marrim si shembull tragjedinë e familjeve Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë. Të mërkurën e kaluar pothuaj mbarë Kosova shikonte me krenari drejt dy vajzave dhe një djali nga Podujeva (Saranda, Jehona dhe Fatos Bogujevci), të cilët më 1999 i mbijetuan masakrës serbe dhe në Beograd po hapin një ekspozitë rrëqethëse.

Ekspozitën e vizitoi edhe kryeministri serb, Ivica Daçiq, i cili i shprehu ngushëllime familjes Bogujevci. Shumë shqiptarë u zemëruan, sepse Daçiqi këtë vizitë e shfrytëzoi për propagandë politike. E ç’mund të pritej tjetër nga zëdhënësi i Slobodan Milosheviqit? Tash të shikojmë pak prapa: në tetor 2011 ekspozita e Sarandës, Jehonës dhe Fatosit ishte hapur në Prishtinë. Por, ajo nuk ishte vizituar as nga presidentja Atifete Jahjaga, as nga kryeministri Hashim Thaçi (PDK) dhe me gjasë as nga politikanë të tjerë të nivelit të lartë. Ekspozita nuk ishte përkrahur as nga kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu (LDK). A bëhet që Ivica Daçiqit t’i dhimbsen më shumë viktimat shqiptare se politikanëve tanë? Pas Prishtinës ekspozita ishte hapur edhe në Tiranë, por as atje nuk ishte vizituar nga patriotët e mëdhenj, si: Sali Berisha, Edi Rama, Bamir Topi, Ilir Meta, Bujar Nishani etj.

Në intervistën dhënë agjencisë “Kosovapress” A. Kurti ankohet se Serbia po shpërblehet nga BE-ja, ndërsa Kosova dhe Shqipëria nuk po fitojnë asgjë. Kjo është e saktë, por faji për këtë nuk bie vetëm mbi Hashim Thaçin, i cili, sipas Kurtit, po e “ndihmon armikun tonë”. Duke qenë kundërshtar i rreptë dhe publik i përfaqësimit të Kosovës në bisedime me Serbinë nga ana e Thaçit dhe klikës së tij duhet shtuar – për hir të së vërtetës – se refuzimi i çdo negociate me Serbinë e izolon tërësisht Kosovën. Një zgjidhje e mundshme do të ishte përfaqësimi dinjitoz i Kosovës në këto bisedime nga politikanë legjitimë dhe jo përfaqësimi nga politikanë që kanë vjedhur vota, që i kanë dosjet hetimore të trasha dhe që mund të shantazhohen orë e çast edhe nga pastrueset e zyrës së Catherine Ashtonit.

Shefi i VV-së përveç refuzimit radikal të bisedimeve nuk ofron alternativë të bindshme. Ai që refuzon çdo negociatë, duhet të jetë i gatshëm për luftë. Për një opsion të tillë VV duhet të bind anëtarësinë e vet, të fitojë votat në zgjedhjet parlamentare, të vijë në pushtet dhe të fillojë realizimin e projektit të saj (nëse ka projekt belicist). Sa i përket refuzimit të Shqipërisë nga Be – ja për këtë nuk ka asnjë faj Serbia, por vetëm klikat e korruptuara dhe shpeshherë edhe kriminale politike të Tiranës. Një vend që për dy dekada nuk organizon zgjedhje të lira parlamentare, një vend faktikisht pa sistem gjyqësor, një vend që shkatërrohet pamëshirshëm prej kastave politike, një vend i zhytur në korrupsion e krim, një vend me mijëra të vrarë për shkak të gabimeve të politikës – nuk ka vend në BE. Megjithatë, gjasat janë të mëdha që pas 6 muajsh BE-ja të mbyllë njërin sy dhe ta bëjë Shqipërinë vend kandidat për anëtarësim në BE, tamam ashtu siç e bëri NATO Shqipërinë vend anëtare.

Me këso qëndrimesh thënë më së buti kundërthënëse në lidhje me krimet e luftës dhe negociatat me Serbinë VV vetëm sa u ndihmon partive të ashtuquajtura të mëdha kosovare të vazhdojnë aleancën e tyre të pashenjtë. Dhe me këso qëndrimesh VV rrezikon të humbë edhe më shumë besimin e elektoratit. Zgjedhjet e fundit e treguan këtë deri diku. VV sikur po pret të marrë mbi 50 për qind të votave dhe të qeverisë vetë. Për këtë flet edhe ky fakt: në Ferizaj Lidhja Demokratike e Kosovës i ka ofruar kësaj partie koalicion, të cilin VV e ka refuzuar.

Kur ishte themeluar Partia e Gjelbër e Gjermanisë në fillim të viteve 80-të, liderët e saj me të kaluar militante si Joschka Fischeri së pari morën poste dhe ndryshuan gjërat pozitivisht në krahinat gjermane dhe gjatë këtij procesi ata u zhvilluan politikisht dhe arritën, më 1998(!), të vijnë në pushtet në nivel qendror. Nëse nuk mëson nga ekologjistët gjermanë A. Kurti, atëherë prej kujt duhet të mësojë ose cilat parti mund të jenë inspirim i tij?

*KOHA DITORE

7 komente në “I verbër me njërin sy?”

  1. mali says:

    Rrnofsh o Enver burri, paj ti dhe Mero Baze jeni njesh ne trojet e uzurpuara e me fantazia pertej limitit!

  2. Heroni says:

    Kur shoh qe ke shkruar ndaloj cdo veprim dhe lexoj mendimet e tua!
    Je vetmi shqiptare qe di te shkruash me stilin perendimor !Nganjehere me lind dyshim se nuk je shqiptar!

  3. Kapit Tupalla says:

    Ky Enver Robeli qenka i verbër me dy sy!
    Ku është zvilluar lufta? A shkuan shqiptarët për të luftuar në Serbi, apo serbët erdhen në Kosovë? Kush ishte çlirimtar dhe kush okupator? Apo nuk i ke të qarta këto nocione, more trap. A ke dëgjuar që ndonjë amerikan, rus, anglez apo francez është denuar për krime lufte në Gjermani?

  4. Hasani says:

    Ky autor na qenka prokuror i shqiptarëve dhe avokat i Sërbisë dhe i BE-së.

  5. DukGjonMazo says:

    Ndonjë amerikan, rus, anglez apo fransez nuk ka bërë krime lufte…

    1. Hasani says:

      Jo, jo, ata janë të gjithë burra të mirë, vetëm shqiptarët janë kriminelë. Ata kanë të drejtë të brojnë interesat e tyre në çdo cep të botës, kurse ne nuk e kemi atë të drejtë as në prag të shtëpisë.
      MJAFT ME SERVILIZËM !!!!!

  6. Këta që propagandojnë Bashkimin Europian te Shqiptaret edhe pse BE nuk e njeh pavarësinë e Kosovës nga Serbia, janë pasardhësit e tellallëve te ish Bashkimit Sovjetik. Dialog me ish okupatoret mund te ketë vetëm kur armiqtë sllav e pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe përgjegjësinë për te kompozuar demet për krimet e veta. Sa i përket krimeve te luftës vuarja e barazisë mes luftës çlirimtare të UÇK me luftën gjenocidale jugosllave ndaj shqiptarëve si dhe përshëndetja e misionit gjyqësor e policor te EULEX-it ne ndjekjen e çlirimtarëve është nihilizëm. EULEKS-i është mision i vazhdimit të terrorit gjyqësor ish jugosllave dhe vazhdim i misionit të UDB-ës. Prandaj Lëvizja Vetëvendosje që nga fillimi e ka quajtur EULEX – Made in Serbia! Nëse edhe gjatë luftës mund të jenë kryer krime edhe nga shqiptaret, kjo lidhet me emrat personal të atyre qe i ka krye ato krime e jo me emrin e UÇK-ës! Nëse ka pas krime të tilla autoret e tyre duhet të përgjigjen vetëm para autoriteteve vendore!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje