Thaçi dhe Daçiç më 19 janar takimin e parë të vitit të ri

26 Dhjetor 2013, 19:31Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

 

Tashmë është bërë pothuajse traditë që sa herë ka nevojë Serbia për ndonjë hap të avancimit të saj në procesin e integrimeve në BE të zhvillohet edhe një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu ishte edhe në dy raundet e fundit të këtij viti, pas të cilave, përkundër dështimit që të arrihet sukses rreth funksionimit të gjykatave në veri, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, paraqiti një raport tejet pozitiv për Serbinë, madje duke u shprehur e impresionuar, veprim ky i cili i siguroi Serbisë të marrë datën formale të nisjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Edhe takimi i parë i vitit të ri do të jetë i lidhur me një hap të madh të Serbisë drejt BE-së. Ky takim do të zhvillohet vetëm dy ditë para nisjes formale të negociatave të anëtarësimit mes Serbisë dhe BE-së. Në këtë raund, të cilin ende nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht, por as mohuar burimet e BE-së, do të diskutohet për hollësitë rreth krijimit të Asociacionit (apo siç e quajnë në Serbi “Bashkësisë”) së komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Serbia, pas marrjes së statusit të kandidatit për BE dhe pas fitores së kandidatëve të mbështetur nga Beogradi edhe në komunat në jug të Kosovës, ka rritur apetitet dhe synon që jo vetëm komunat e veriut të përfshihen në këtë asociacion, por edhe pjesë të tjera të Kosovës.

Në këtë raund të dialogut, nëse më parë afrohen qëndrimet nga ana e grupeve punuese dhe ekspertëve, do të mund të arrihej pajtimi përfundimtar rreth gjykatave në veri të Kosovës. Në këtë mënyrë edhe Ashton do të ndihet më e lehtësuar, sepse mosarritjen e këtij pajtimi ajo nuk e ka përmendur fare në raportin të cilin ua ka dërguar vendeve anëtare të BE-së. Për të ka qenë prioritet që Serbia të mos e humbë rastin për të marrë pajtimin e vendeve anëtare për nisjen e negociatave të anëtarësimit dhe që shtetet e BE-së të pajtohen edhe për kornizën negociuese.

Kjo kornizë negociuese, siç ka shkruar “Koha Ditore” edhe më parë, e lidh qartë rrugën e Serbisë në procesin e negociatave me normalizim gjithëpërfshirës të raporteve të Serbisë me Kosovën. Kjo është arritur kryesisht për shkak të insistimit të Britanisë së Madhe dhe të Gjermanisë, të cilat nga disa diplomatë evropianë po kritikohen se “kërkojnë për Kosovën edhe më shumë sesa vetë kosovarët”. Diplomatët e ndryshëm në BE formulimin në kornizën negociuese se raportet e Kosovës me Serbisë duhet rregullohen “me një marrëveshje obliguese ligjore para përmbylljes së negociatave të anëtarësimit të Serbisë” e kanë parë si thirrje të qartë se në një mënyrë Serbia deri atëherë duhet ta njohë Kosovën. Por Serbia dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Catherine Ashton, nuk e shohin kështu dhe thonë se nuk është kërkuar dhe as nuk kërkohet nga Serbia njohje.

Atë që e kanë thënë shpesh zyrtarisht të tjerët e ka konfirmuar edhe vetë baronesha Ashton, pra se në dialog askush asnjëherë nuk ka kërkuar nga Serbia njohjen e Kosovës. Ashton ka nënvizuar se janë edhe 5 vende të BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, ndërsa BE-ja në dialog ka qëndrim neutral ndaj statusit. Ajo këtë e ka thënë në një takim me një grup të vogël gazetarësh në të cilin grup nuk kanë qenë të ftuar gazetarët nga rajoni i Ballkanit. Diplomatë nga vendet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën kanë thënë se nga Ashton dhe nga bashkëpunëtorët e saj nuk kanë pasur asnjëherë sugjerime se do të ishte mirë ta njohin Kosovën. Madje, kanë thënë disa prej tyre, shpesh nga zyra e baroneshës Ashton u janë falënderuar se, duke mos njohur Kosovën, kanë ndihmuar shumë dialogun, sepse kanë siguruar që Kosova të mos trajtohet si shtet dhe që BE-ja të ketë ndikim edhe ndaj Beogradit.

Megjithatë në BE pranojnë se baronesha Ashton, përpos se duhet të përgatisë raporte për ecjen e dialogut dhe implementimin e marrëveshjeve, nuk ka asnjë rol në procesin e zgjerimit të BE-së dhe as që merr pjesë në këtë dialog. Serbia në këtë proces negocion me vendet anëtare dhe vendimet për hapjen apo mbylljen e secilit kapitull merren me konsensus të 28 shteteve anëtare.

Ashton ka edhe më pak se një vit deri tek përfundimi i mandatit të saj, prandaj duke pasur parasysh se mund të ketë zgjedhje të hershme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi nga mesi i vitit që vjen, dëshiron që sa më shpejt të vazhdojë dialogu, sepse kur BE-ja, Kosova dhe Serbia do të jenë në fushatë zgjedhore pak mund të arrihet në dialog.

*KOHA DITORE

1 komente në “Thaçi dhe Daçiç më 19 janar takimin e parë të vitit të ri”

  1. agim says:

    shkrim interesant. Urime!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje