Në krejt kohën e shtrirë që pas 23 qershorit të këtij viti pothuajse nuk është lënë gjë pa u thënë nga qeveritarët që ikën për ata që qeverisin sot. Madje, kështu ndodhte edhe kur pushteti nuk ishte ndërruar akoma. Ata, qeveritarët që ikën, duket sikur e kanë fshirë të shkuarën nga kujtesa dhe, prandaj, as nuk e imagjinojnë veten e tyre që përunjësisht të thonë disa fjalë pendese para shqiptarëve. Por, po të ekzaminosh me vëmendje kritikat, apo më saktë ulërimat që përcjellin në fjalimet e tyre, dallon menjëherë një simetri tragjike midis asaj që kanë bërë keq, poshtërsisht keq, në të shkuarën e tyre dhe përmbajtjes së akuzave në ulërimat-fjalime të së sotmes. Akuzojnë qeveritarët e sotëm ekzaktësisht për atë që do të duhej të akuzohej qeverisja e tyre e djeshme. Aq sa të krijohet përshtypja e krijimit të situatës psikologjike në të cilën vrasësi i kthehet edhe njëherë kujtimit të vrasjes dhe vendit të krimit. Akuzojnë qeveritarët e sotëm për atë që janë akuzuar dje. Veçanërisht në fushën e trajtimit të njerëzve të administratës, mësuesve, pedagogëve, mjekëve, studiuesve, juristëve, profesionistëve në përgjithësi. Akuzojnë qeveritarët e sotëm për trajtimin politik të profesionistëve, shfrytëzimin për interesa politike, ndërkohë që nuk kanë lënë gjë pa bërë për denigrimin, poshtërimin, përbaltjen, shpërfytyrimin e profesionistëve gjatë qeverisjes së tyre. Arritën deri edhe në zhbërjen morale të grupeve të mëdha krahinore, të cilat i vunë, ashtu “in block”, në shërbim të interesave të tyre, por, vetëm në këmbim të mohimit të vlerave njerëzore dhe historike, kodeve morale që fiset e këtyre krahinave kishin krijuar me aq mund e sakrificë në krejt historinë e evolucionit të kombit shqiptar. Në emër të krahinalizmit, d.m.th të afërisë krahinore, qeveritarët e djeshëm i përdorën “patriotët” për të ruajtur pushtetin vetjak politik dhe për ta marrë atë në mënyrë të padrejtë kur nuk u takonte më. I rreshtonin sa herë të donin në mitingje dhe para kutive të votimit dhe pastaj, në këmbim, i çonin ashtu grumbull, pa pikën e investimit shkollor apo profesional, drejt tatimeve dhe doganave. Meqenëse “zona e tatimeve dhe e doganave” ishte pothuajse një zonë eksterritorialiteti, në kuptimin që rregullat shtetërore ishin vetëm një përjashtim aq sa edhe rroga e doganierit apo tatimorit konsiderohej vetëm një hollësi, njerëzit që filluan të punonin në to, për t’u bërë më të lehtë, më të zhdërvjellët, më manovrues, filluan njëkohësisht të zhvisheshin nga “xhybja” e rëndë e moralit. Flakën tutje kodet morale që familjet e tyre i kishin gdhendur me aq mundim, i zhbënë ato aq sa nuk njihen më. Në vend që të bëheshin nëpunës shteti u shndërruan në grabitës të tij. I dëgjoje që përsëritnin vazhdimisht të njëjtat fjalë: “ekonomi tregu”; ndërkohë që qeveritarët, ata që akuzojnë sot, ia kishin arritur qëllimit: kishin forcuar pushtetin duke tronditur rëndshëm kombin, moralin, qytetarinë e shqiptarit. Dhe, me cinizëm, gjithë këtë palaçollëk e quajnë edhe sot e kësaj dite “menaxhim të burimeve njerëzore”!
Midis “kapitalit” dhe “kapitalit njerëzor”
Përkufizimin më të qartë dhe më lakonik për kapitalin e kam gjetur te “Kapitali” i Marksit, ku ai, kapitali pra, përkufizohet si “paraja që pjell paranë” (money which begets money). Në një kuptim të thjeshtëzuar, kapital nuk mund të formojë paraja e futur nën jastëk, por paraja e investuar, sepse vetëm kjo e fundit mund të rritet, shumëfishohet. Koncepti i kapitalit, në fakt, është marrë nga studiuesit e sotëm për të formuluar një tjetër koncept të mbështetur mbi të, atë të “kapitalit njerëzor”, në teorinë e të cilit, investimi te njeriu, p.sh. arsimimi i tij, konsiderohet kapital, sepse shndërrohet në një vlerë të shtuar (d.m.th. vlera e shtuar për shkak të arsimimit konsiderohet si kapital, pra si në rastin kur paraja krijon paranë); ndërsa e ardhura neto që krijon shoqëria (fitimi) është diferenca midis të ardhurave që prodhohen nga njerëzit e arsimuar dhe shpenzimeve të bëra për t’i arsimuar ata. Pra, në thelb, koncepti “kapital njerëzor” nuk është gjë tjetër veçse një tentativë për të shpjeguar aftësinë e qenies njerëzore për të të bërë dy gjëra kur investohet tek ajo: e para, të prodhojë më shumë në pikëpamjen ekonomike dhe e dyta, të përmirësohet si qenie shoqërore, duke ndikuar në rritjen e cilësisë apo stabilitetin demokratik të shoqërisë. Në të dy këto raste, pra si në ndikimin mbi ekonominë ashtu edhe në ndikimin mbi shoqërinë, formimi dhe zhvillimi i vazhdueshëm i kapitalit njerëzor ndikon rëndshëm mbi buxhetin e një shteti, aq sa ndoshta e përcakton atë. Krijimi i kapitalit njerëzor, pra investimi nëpërmjet arsimit, por jo vetëm, çon në një rritje të padiskutueshme dhe surprizë të prodhimit të përgjithshëm vendas, ashtu sikundër, për shkak se kapitalizimi sjell edhe një përgatitje më të lartë të njerëzve për demokraci, ndikon po kaq rëndshëm në ndërtimin e një shoqërie të qetë, pa çrregullime shoqërore, pra, në formimin e një mjedisi gjithmonë e më të përshtatshëm për një rritje edhe më të madhe ekonomike.
Ja ç’i bënë “kapitalit njerëzor” qeveritarët e djeshëm
Qeveritarët që ikën bënë ç’është e mundur që t’i përdornin politikisht profesionistët dhe në shërbim të interesave të tyre, duke shkatërruar në fakt burimet njerëzore të këtij vendi. Ata jo vetëm nuk e kuptuan kurrë që njerëzit, investimi mbi ta, formon kapitalin më të fuqishëm në zhvillimin e vendit, por, përkundrazi, duke e vendosur paranë mbi njeriun dhe për ta korruptuar atë, jo vetëm që zeruan kapitalin njerëzor, por mbi të gjitha, shkaktuan amortizimin moral të tij, e zhveshën jo vetëm nga vlera e njohjes, profesionalizmit, por edhe nga vlera morale, duke e shndërruar tashmë kapitalin njerëzor nga faktor të fuqishëm në zhvillimin e vendit në faktorin më pengues të tij. Të verbuar nga pushteti i pamerituar, ata, qeveritarët e djeshëm apo “bilbilat” e Parlamentit të sotëm, nuk përdorën kurrë mekanizmat që do të shndërronin njeriun në një kapital të fuqishëm për zhvillimin e vendit, por ato mekanizma që do ta shpërbënin, shuanin, amortizonin, fuqinë e këtij kapitali. Në vend që të aplikonin teorinë e kapitalit njerëzor, ata aplikuan teorinë e “menaxhimit të burimeve njerëzore”, sipas së cilës as shkolla, as njohuritë, as morali, as vetë njeriu nuk kishte rëndësi, madje as fati i tij, me të cilin mund të luhej aq lehtësisht sa luhet me fatin e figurave mbi një tabelë shahu; në vend që të aplikonin konkurrimin dhe meritokracinë, ata aplikuan nepotizmin, korruptimin e gjithanshëm të njerëzve, gjë që solli të paaftët në krye të çdo sektori të shoqërisë, madje edhe më tragjikisht se në vetë sistemin e mëparshëm komunist; në vend të ndryshonin thelbin dhe përmbajtjen e shkollave, ata aplikuan gjasme dixhitalizimin e tyre, zbrazjen nga morali shoqëror dhe demokratik; në vend të krijimit të universiteteve të vërteta dhe politikave racionale në zhvillimin e tyre, ata i skllavëruan dhe i përdorën politikisht ato, i masivizuan me shpejtësi për të zhbërë personalitetin e universitarëve, për t’i transformuar ata sipas rastit: studentët në blerës diplomash dhe profesorët në shitës të tyre; në vend që të zhvillonin shkencën dhe inovacionin, ata zhvilluan informalitetin, gënjeshtrën, plagjiaturën, mashtrimin. Dhe në majë të të gjithave, jo vetëm që nuk investuan te njeriu për ta shndërruar atë në kapital, por bënë çdo gjë që do të mund të bënte një armik i këtij vendi për ta denigruar atë. Bënë çdo gjë që të zbraznin prej tij dinjitetin, njerëzoren dhe ta zëvendësonin me një gjë tjetër, të huaj, që vetëm njerëzore nuk është. Pastaj ta komandonin nga larg, kudo që të ishte, si me telekomandë, përmes “çipit” që i kishin futur në trup, në ndërgjegjen e tij. Këta që akuzojnë qeveritarët e sotëm në Parlament për keqtrajtim të burimeve njerëzore, dje, kur qeverisnin, arritën deri atje sa të kërkonin të ulej edhe në karrigen më të lartë të shtetit, në karrigen e Presidentit të Republikës, një njeri që, për shkak të së kaluarës së tij, listohej diku në regjistrat e Sigurimit të Shtetit. Vetëm dora e Zotit e ndaloi këtë njeri të bëhej President i Republikës së Shqipërisë! Imagjinoni se ç’kanë bërë me të tjerët! Me Shqipërinë.
Buxheti i një shteti ndërtohet mbi një model financiar të thjeshtë dhe sigurisht, mbi parashikimin e rritjes ekonomike të vendit. Ajo që është e pamundur të parashikohet është masa në të cilën do të reagojë njeriu i kapitalizuar mbi komponentët e vetë buxhetit. Në këtë pikëpamje, është shumë e vështirë të ndërtosh një buxhet dinamik, një buxhet që ndryshon në kohë, një buxhet ku parashikohet masa e ndikimit të kapitalit njerëzor te të ardhurat monetare të tij, te rritja apo rënia e tyre. Sepse ashtu sikundër njeriu mbi të cilin është investuar mund të shumëfishojë të ardhurat tradicionale të një buxheti, po ashtu mund t’i pakësojë ato në mënyrë dramatike kur investimi i kryer mbi të është korruptiv, denigrues. Në këtë pikëpamje, kapitali njerëzor është edhe substanca e një buxheti, gjë të cilën llogaritarët e PD nuk mundën ta kuptojnë kur qeverisën për tetë vjet në zverkun e këtij populli fatkeq. Çka e bën jetik për t’u kuptuar nga qeveritarët e sotëm. Sepse vetëm kështu mund të ndahet ky vend nga fati tragjik që nuk pushon së qenë pjesë e tij. Vetëm kështu mund të bëhet diferenca me të shkuarën.
pergezime autorit, argumentimi eshte teper racional, me shume vlere per ata qe duan te kuptojne se deri ne cfare mase eshte demtuar shoqeria shqiptare nga “bilbilat” primitive te parlamentit te sotem. edhe nje here-e falenderoj autorin per kete argument te qarte ne ndihme te shoqerise
I mderuar Gjongecaj!Problemi qe ju trajtoni eshte problemi kyc i kapitalizmit bashkekohor,qe ju shume kuptushem e me inteigjence e trajtoni.Por nuk mjaftojn syte per ta lexuar e kuptuar shkrimin t’uaj;duhet te punoj truri. Investimi ne kapitalin njerzor do conte perpara Shqiperine(ekonomine,shkencen,kulturen,demokracine ne pergjithesi)Atyre te cileve ju idrejtoheni me kete shkrim nuk eshte se nuk ju ka punuar truri.Ju ka punuar bile me kapacitet te plote ,por jo per Shqiperine, per te shtuar mirqenien e forcuar demokracine,por per te shtuar llogarite e tyre bankare me para te vjedhura e duke mbajtur peng Shqiperin e demokracine ne menyre te vetdishme(jo se kane gabuar ne pune e siper)Nje Shqiperi me demokraci te zhvilluar do ishte pengese per pangopsine e tyre.Kjo qe ju trajtoni eshte herezi per ata,ose se paku budalllallek Ata do thoshin :ky Besniku s’paska kuptuar asgje nga ekonomiia e tregut.Ata i kane mbushur mendjen vetes se ajo qe ata praktikojne eshte ekonomi tregu duke ligjeruar keshtu korrupsionin.E kush me mire se te paftet e te nenshtruarit do ti sherbente pushtetit te hajdutve e te te korruptuarve ?!
Top artikull dhe shume urime autorit,pasqyrimi me perfekt I asaj qe I ka ndodhur shqiperise dhe popullit te pafat shqiptar nga qeverisjet e meparshme.
E verteta e hidhur eshte qe shqiptaret nuk kane pasur fatin e mire qe te kene nje Lider qe e don ,mendon dhe punon per popullin dhe kombin e vet qysh ne kohen e Gjergj kastriotit dhe vetem kur ta kemi gjetur nje Lider te tille atehere populli yne fisnik dhe shqiperia jone e dashur do te kene nje te ardhme te garantuar qyteterimit evropian.
Gezuar vitin 2014 dhe urojme per nje shqiperi me te qete,me te sigurte dhe me me shume stabilitet ne te gjitha aspektet e jetes.
Urime Besnik per kete shkrim. Gjithmon me mendjen plot, siç te kam njohur njehere e nje kohe, ne hapat e pare ne shkence.Vazhdo keshtu me keto analiza se jane te domozdoshme sot me shume se kurre: hapin mendjen dhe rimekembin çfar eshte prishur e çoroditur ne konceptimin dhe ne moralin e shoqeise.