Në pritje të drejtorit të ri

4 Janar 2014, 18:53Blog TEMA

Nga Diana Ndrenika

 

Sot gjendja e Teatrit Kombëtar te ne është e mjerë. Godina, një ndërtesë me vlerë historike, trashëgimi e arkitekturës italiane në Shqipëri, rënkon nga mungesa e mirëmbajtjes dhe investimit. Të paqetë, të pasigurt e shpesh te zhgënjyer me gjendjen e përkeqësuar të teatrit, bashkësia teatrore është shumë e trazuar në këto vite, e pazonja për t’ia dalë mbanë, është kthyer e tëra në pritje me sytë nga qeveria shqiptare.

Të vjen keq të shohësh se si Teatri Kombëtar është katandisur në një institucion kulturor të rangut të shtatë në këto njëzet vjet post-diktaturë.

Mund të ishte i denjë për një teatër province, por jo kurrsesi për teatër kombëtar. Mungojnë investimet, mirëmbajtja, mungon repertori i pasur e i denjë, mungon fondi i artë i pjesëve kombëtare, mungojnë regjisorë e aktorë cilësorë.

Nuk kemi burime? Më shumë nga mospasja është keqtrajtimi në vazhdimësi i atyre burimeve që kemi që na ka sjellë në këtë pikë.

Ngado që të kërkosh për të parë dritë, kupton se e tëra  rrotullohet e reduktohet te një togfjalësh i thjeshtë po aq sa dhe i ndërlikuar: mungesë fondesh.

Mungesa e fondeve ul cilësinë, ul pretendimet në përzgjedhjen e pjesëve, në shpërblimin e autorëve shqipfolës, në përzgjedhjen e aktorëve e të regjisorëve, në politikën e promovimit e të trajnimit të artistëve të rinj, etj. Sepse ky nivel i rënë të heq shpresën se mund të shërbejë si model për një brez të ri që po përgatitet. Kjo performancë  e varfër zor se mund të emërtohet ‘teatër kombëtar’.

A ka Ministria e Kulturës një strategji shpëtuese për Teatrin Kombëtar apo thjesht po flet për një konkurs për të emëruar drejtorin e radhës për forcë riti në vlagën e ndërrimeve të përgjithshme pas zgjedhjeve te fundme?

Është e re e mirë që kjo ministri në riorganizimin e fundit u dedikua vetëm si ‘ministria e kulturës’ duke lënë mënjanë turizmin, sportin apo rininë, se me shumë të drejtë është ministria që duhet të fokusohet te trashëgimia kulturore e vendit e te aktiviteti artistik si Teatri Kombëtar, Teatri i Operës, i Komedisë e institucionet e tjera artistiko- kulturore, që për fat të keq cilësisht lënë shumë për të dëshiruar.

Është krejt e pamundur që me një buxhet prej rreth 600.000 eurosh në vit, Teatri Kombëtar të mund t’ia dalë.

E vërteta e hidhur është se fondi i pagave, shpenzimet operative, investimet dhe i tërë aktiviteti artistik, honorare aktoresh e autorësh përfshirë, duhet të dalin nga ky fond, krejt  i pamjaftueshëm për të mbajtur në këmbë një aktivitet teatror, që mëton të jetë kryeteatri i vendit e i shqipfoljes.

Ky fond vjetor për teatrin, është mbase i barabartë me fondin e dy muajve të një prej televizioneve kombëtare në vendin tonë.

Po si duhet të jetë një Teatër Kombëtar?

Nuk mund ta shihja dot ndryshe veç me sytë e Stefan Cvajgut ku në librin e tij “Bota e Djeshme -Kujtime të një Europiani”, kur përshkruan madhështinë e patëmetë e teatrit e operës vjeneze si tempuj të artit dhe adhurimin e tyre deri në veneracion nga populli në fundshekullin e 19-të dhe fillimshekullin e 20-të:

“…Dhe si luftuam ne studentët me peticione, me manifestime proteste e me artikuj nëpër gazeta, që të mos prishej shtëpia ku pati vdekur Bethoveni! Çdonjëra prej atyre ndërtesave historike të Vjenës ishte për ne një copëz e shpirtit tonë, që na e shkulnin nga trupi. Ky fanatizëm për artin, dhe në veçanti për artin teatror, hasej në Vjenë te të gjitha shtresat e popullsisë.

…Dihet se gjithmonë artisti e ndjen veten më të kënaqur e më të stimuluar aty ku e vlerësojnë, madje aty ku e mbivlerësojnë. Ndodh përherë që arti arrin kulmin aty ku ai bëhet çështje jetike e një populli të tërë. Ashtu si Firencja e Roma, që tërhiqnin pas vetes piktorët në epokën e Rilindjes dhe u mësonin se ç’ishte madhështia, sepse secili syresh e ndiente që duhej t’i tejkalonte përherë të tjerët dhe vetveten në atë garë të pareshtur para syve të të gjithë qytetarëve, edhe muzikantët e aktorët e Vjenës e dinin sa të rëndësishëm ishin për qytetin e tyre. Në Operën e në Burgteatrin e Vjenës, nuk i shpëtonte syrit e veshit asnjë mangësi: çdo notë e gabuar kapej menjëherë, çdo hyrje e pasaktë ose çdo shkurtim kritikohej sakaq, dhe ky kontroll nuk bëhej vetëm prej kritikëve profesionistë gjatë premierave, por çdo mbrëmje prej veshit të vëmendshëm të mbarë publikut, të atij veshi të stërvitur përmes krahasimesh të pareshtura. Ndërsa në fushat që kishin të bënin me politikën me administrimin e me moralin, gjithçka kalonte mjaft e qetë, dhe secili tregonte një indiferentizëm prej babaxhani ndaj çdo pune shkel e shko dhe ishte i butë ndaj çdo shkeljeje, në punët e artit nuk të falte kush: këtu luhej me nderin e qytetit. Çdo këngëtar, çdo aktor, çdo muzikant ishte i detyruar të vinte vazhdimisht të gjitha aftësitë e veta, përndryshe ishte i humbur. Ishte gjë e shkëlqyer të bëheshe i preferuar në Vjenë, por nuk qe gjë e lehtë të mbeteshe i tillë; nuk falej asnjë pakujdesi. Dhe vetëdija se ishin nën një mbikëqyrje të pareshtur e të pamëshirshme, çka i detyronte të tërë artistët vjenezë të jepnin maksimumin e vet, shpjegonte dhe nivelin e tyre të mrekullueshëm kolektiv…”

Është më se e qartë se ashtu si qysh prej fillimeve të tij, arti e në veçanti ai teatror, ka nevojë të merret në mbrojtje, në patronazh nga ata që quhen mecenatët apo patronët, kujdestarët e artit. Ky rol në vite është ndërmarrë nga klasa të pasura, që kanë mundësinë e luksin ta mbështesin atë.

Për t’iu referuar prapë Cvajgut dhe modelit të sponsorizimit të teatrit nga bashkësia hebraike e Vjenës:

“…Pa interesimin nxitës e të pareshtur të borgjezisë hebraike, dhe duke pasur parasysh limontinë e oborrit, të aristokracisë e të milionerëve të krishterë, të cilëve u pëlqente më fort t’i shpenzonin paratë për stallat e tyre të kuajve të vrapimit dhe gjahun sesa për artin, Vjena do të kishte mbetur po aq prapa Berlinit në lëmin e artit sa ç’kishte mbetur Austria prapa Gjermanisë në lëmin e politikës. Kushdo që donte të sillte në Vjenë diçka të re, kushdo që vinte nga jashtë dhe kërkonte të kuptohej e ta bënte publikun për vete, ishte i detyruar t’i drejtohej kësaj borgjezie; një herë të vetme që u bënë orvatje në periudhën e antisemitizmit për të themeluar një të ashtuquajtur teatër ‘kombëtar’, jashtë kësaj mbështetjeje, nuk u arrit të gjendeshin as autorë, as aktorë, as publik; në krye të disa muajve, ai teatër kombëtar falimentoi në mënyrë të vajtueshme…”

Po a ka nevojë për kujdestarët e tij Teatri ynë Kombëtar? Pa dyshim më shumë se kurrë më fuqishëm se asnjëherë. Përndryshe rrezikon të rrënohet e t’i humbë gjurma përgjithmonë.

Po a kemi pasur ndonjëherë mirëfilli Teatër Kombëtar? Po duket se më afër tij kemi qenë në vitet e diktaturës për arsyen e thjeshtë e të kuptueshme të mbështetjes totale të vazhdueshme financiare të dramës e teatrit kombëtar në vitet e diktaturës (për qëllimet e lidhura me propagandën dhe përparësitë e regjimit). Po për fat të keq më i mbështetur se atëherë teatri ynë nuk ka qenë kurrë. Teatri dhe trajnimi i të rinjve, i lidhur ngushtë me aktivitetin teatror. Pra, duket se në një farë mënyre regjimi komunist përbente rolin e mecenatit, që sponsorizonte e mbështeste aktivitetin teatror në tërë nevojat e tij. Por duke i kaluar në filtrat e tmerrshëm të censurës ideologjike e politike.

Sidoqoftë jemi njëzet e ca vjet pas rënies së atij sistemi dhe për teatrin kemi bërë hapa mbrapa. Sigurisht ekziston mundësia gjetjes së një formule të suksesshme ekonomike në modelin e krijuesve dhe mbështetësve aq të talentuar të kanaleve televizive tanë kombëtare Top Channel, Klan, Vizion Plus etj ku krijuesit e tyre janë njëkohësisht edhe mecenatët.

Patjetër në një shtet me politikë artdashëse mund dhe duhet të gjendet mundësia për të favorizuar nga taksat dy apo tre  biznesmenë të suksesshëm që të marrin Teatrin Kombëtar në patronazhin e tyre për pesë vjet të paktën për ta kthyer në nivelet e kërkuara, për të mbështetur lëvrimin e dramës shqiptare në mënyrë të suksesshme e për të na dhënë një teatër dinjitoz kombëtar.

Pas pesë vitesh pa dyshim niveli i suksesit do të jetë i tillë që një politikë kryesisht vetëfinancimi do të ishte baza e zhvillimit të teatrit.

Modele të përjashtimit nga taksat për qëllime të mbështetjes së projekteve artistike e edukative ekzistojnë të shumta sot në botë.

Modelet ekzistojnë dhe te ne, Butrinti park kombëtar dhe pasuri botërore UNESCO, është sot një histori suksesi me të ardhura të mjaftueshme për vetëfinancim, por për të ardhur deri këtu u deshën mbidhjetë vjet mbështetje e sponsorizime.

Teatri ynë Kombëtar ka nevojë për kujdestarë, një drejtor i vetëm qoftë edhe gjenial nuk mjafton. I duhen mecenatët e mbështetjes financiare, të inkurajimit shpirtëror të artistëve dhe dramaturgëve. Për t’u dhënë siguri atyre e atë mjedis të ngrohtë e aq  të nevojshëm për krijimtari. Për të ardhur te një bashkësi e atmosferë e bukur teatrore të denjë për një Teatër Kombëtar.

Vetëm së bashku me këta patronë apo baballarë të Teatrit do të mundet ky drejtor i ri të bëjë sukses!

Përndryshe do të mbetet thjesht drejtori i radhës në mjedisin e ftohtë të godinës sonë teatrore…

5 komente në “Në pritje të drejtorit të ri”

  1. Kendveshtrim tjeter says:

    Teatri dhe sidomos estrada,kane VDEKUR !
    Fatkeqsisht vazhdojne te marrin rroga,keta te “vdekur”!
    Sistemi socialist,kemi 23 vjet qe e kemi lene,se bashku me te dhe formatin e teatrit,ne te cilen funksionoj ky teater dhe estrade.

  2. miri says:

    Kush ma spjegon cfare kuptojme me Teater Kombetar dhe pse teatri i Tiranes quhet Teatri Kombetar?

  3. Preval says:

    Nga gjithë ky artikull mbetet të theksohet vetëm fakti që autorja na paska lexuar diçka nga Cvajgu dhe kërkon të na shesë dokrrat e tij mbi “mecenatet” çifute ndaj artit vjenez (gjerman). Të kujton njerëzit që kanë lexuar jo më shumë se nja dy tri libra në jetë dhe kujtojnë se gjithshka zgjidhet me ndonjë citat marrë prej tyre. Qesharake!

    1. Mire mor zoteri i dashur ,autorja si nje qytetare e thjeshte qe ka studjuar ne Akademin e artit dhe ka lexuar shume me teper sa shkruani ju,e shqetesuar ngaqe gjendja dramatike qe ka perfshir Teatrin Kombetar ,qe vetem emrin ka te tille, eshte shume shqetesuese dha nje mendim te sajin ne ate artikull, qe une per veten time e pergezoj dhe jam plotesisht dakort qe te meret si baze edhe mendimi i saje dhe te dilet nga ky batak qe e kane futur Teatrin dhe te veproje ligji ndaj atyre qe e cuan ne kete gjendje.Si ka mundesi qe ky teater te quhet Kombetar ku ne nje sezon teatror nuk vihet nje pjese Kombetare. Si ka mundesi qe ne nje institucjon kombetar sic eshte teatri te cperbehet disiplina artistike.Ceshte ai drejtor institucioni qe ekipin e vet nuk e mbledh cdo mengjes ashtu sic benim ne dikur qe kishe apo skishe prova duhet tu paraqitshe ne oren 8 e 50 minuta ne teater ,a e di ti mer zoteri me ate mendim qe ke dhene qe ne teater marin rrogen ne bangomate pa ditur se kush eshte anetar i kolektivit te teatrit, pra marin rrogen pa vajtur me muaj ne teater cesht ky ligj ,apo edhe ti je me kete mendim te cperberjes se teatrit kombetar.Kjo eshte e verteta ne teater dhe mos ofendo artikull shkruesen se shpreh ato mendime ,ne do ta dish se sa libra ka lexuar ajo per teatrin mesoje se ajo eshte e bija e artistit te nderuar te teatrit shqipetar Robert Ndrenikes ,pra ajo qysh sa ka le e deri tani me hallet e teatrit jetojne ne shtepi e jo me pastaj qe ka studjuar per Teater ,ndersa ju qe kritikoni shkrimin e saje nuk dhat nje mendim per gjendjen e teatrit sot dhe cfar duhet ber qe te shkohet me tej .Une mendoj qe duhet te mblidhen artista te shquar qe shyqyr qe i kena si Mihal Luarasi, Robert Ndrenika e shume te tjere qe te cbejn kete ligj qe eshte ne fuqi dhe te bejne nje ligj te ri qe ti pershtatet Teatrit tone Kombetar.Me respekt ndaj te gjith dashamiresve te teatrit Kombetar Xhemil Tagani.

  4. al says:

    Shqetesimi qe ngrini mund te jeye i drejte por mos harroni se arti qe ju aplikoni zhvillohet ne kapitalizem dhe ku duhet pervec fondit qe jep qeveria duhet dheaktiviteti i shpeshte ijuaji per te mbushur arken e teatrit.bei bilancin se sa cfaqe dhe cfar niveli ishin ato.nuk zhvillohet vepritaria e teatritvetem ne kafene dheduke tymosur cigare,pervishjuni punes dhe i dilni zot atij teatri qe ka nje te kaluar te shkelqyer artistike.kush nuk punon te iki ,tembesin ato qe enxjerrinvete buken e gojes,parazitet nuk duhensuportuar.arti vdes kur nuk cfaqet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje