Puna për statusin e kandidatit Shqipërisë bëhet në Tiranë e Lazarat e jo në Hagë apo Bruksel

10 Janar 2014, 11:16Blog TEMA

Nga Augustin Palokaj

 

Askush nuk është befasuar për dështimin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të arrijnë konsensusin për t’i dhënë Republikës së Shqipërisë statusin e vendit kandidat në samitin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së në Bruksel, në dhjetorin. Ata të cilët e dinë se si vepron BE-ja dhe sa muaj më parë fillon ndërtimi i konsensusit e kanë ditur se edhe ky rast do të jetë i humbur. Vendet si Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Holanda dhe Danimarka disa muaj më parë në konsultimet mes vendeve anëtare kishin bërë të ditur se, ndonëse e njohin progresin e arritur në Shqipëri dhe nisjen e mbarë të punës së Qeverisë së re, nuk mendojnë se është momenti i duhur për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit, dhe se kësaj qeverie duhet dhënë pak më shumë kohë që të dëshmohet në praktikë pas disa fjalimeve të bukura dhe porosive pozitive që ka dhënë.

Siç ndodh zakonisht sa herë që priten vendime të tilla gjithmonë krijohen disa grupime joformale brenda BE-së, të cilat mbështesin njërin apo tjetrin vendim. Një numër i madh shtetesh, madje shumica e tyre, ishin në favor që Shqipërisë tash t’i jepej statusi i kandidatit. Kroacia madje bëri një nismë me shkrim për këtë dhe mori një mbështetje të gjerë nga shtetet e tjera. Kjo nismë e Kroacisë u pa me simpati, sepse ajo, si shteti më i ri, është e vetëdijshme se sa motiv i mirë është për vazhdimin e reformave në një vend të Ballkanit marrja e statusit të kandidatit dhe sa dekurajues mund të jetë refuzimi. Por në BE, në fushat ku vendimet merren me konsensus, gjithmonë fitojnë ata të cilët janë kundër. Madje, siç dëshmon rasti i Maqedonisë, mjafton të jetë vetëm një shtet i vetëm kundër, dhe vendimi nuk do të merret. Maqedonia ka tash e pesë vjet rekomandim të qartë për nisjen e negociatave dhe ato nuk kanë nisur për shkak se Greqia e bllokon një lëvizje të tillë, duke shfrytëzuar si arsyetim mospajtimin e Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë. Pra, këtu nuk ka fare rëndësi se kush ka të drejtë. Të drejtë ka gjithmonë ai shtet, i cili është brenda dhe ka të drejtë vetoje.

Në rastin e Shqipërisë, kundër dhënies së statusit të kandidatit kanë qenë shtetet, të cilat janë më serioze dhe veprojnë me më shumë racionalitet sesa Greqia apo Qiproja. Madje mund të thuhet se kundër dhënies së statusit Shqipërisë kanë qenë shtetet më serioze, shtetet më të pasura të Bashkimit Evropian. Dhe kur e ka kuptuar diplomacia e Shqipërisë se cilat shtete janë skeptike ndaj dhënies së statusit të kandidatit, e kanë pasur pak a shumë të qartë se çfarë do të ndodhte. Përkundër kësaj, diplomacia e Shqipërisë është angazhuar aq sa ka mundur që të bindë vendet skeptike se e meriton statusin e kandidatit. Ky angazhim është i natyrshëm dhe në gjashtë muajt e ardhshëm mund të dëshmohet se ka pasur edhe rezultat. Sepse vendimi i BE-së mund të dëshmohet të mos ketë qenë aq negativ për Shqipërinë. Nëse në Shqipëri në gjashtë muajt e parë të vitit 2014 punohet me seriozitet dhe përkushtim, sidomos në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gashtë muaj vonesë mund të shfrytëzohen në mënyrë pozitive dhe statusi mund të fitohet në qershor. Pas aq shumë vjetësh që ka humbur Shqipëria për shkak të konfliktit të brendshëm politik, edhe gjashtë muaj nuk sjellin ndonjë ndryshim të madh. Për ta bërë dhënien e statusit në qershor realitet, Shqipëria duhet të fokusohet në dy fronte; të vazhdojë lobimin diplomatik, por të fokusohet në krijimin e institucioneve të pavarura dhe profesionale, jopolitike, në vend, të cilat do ta luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Në lobimin politik Shqipëria duhet të harrojë PR-in klasikë dhe emrat e mëdhenj. Emrat si Tony Blair nuk munden më të kryejnë punë. Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe është një emër i madh, është një folës i shkëlqyer, por ai sa u përket zhvillimeve në BE nuk ka as ide më e as ndikim. Nuk ka ndikim më as në Partinë Laburiste të Britanisë së Madhe e lëre më në qeverinë e këtij shteti. E ndikimi i Tony Blairit tek shtetet të cilat janë skeptike ndaj Shqipërisë është edhe më i kufizuar. Ky lobim duhet të bëhet në mënyrë të kombinuar dhe të drejtpërdrejtë. Këtë duhet ta bëjnë përfaqësuesit e Qeverisë dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërinë në vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Duhet ta bëjnë deputetët e Kuvendit në takime me homologët e tyre nga shtetet e BE-së, sidomos ato që janë skeptike. Ideale do të ishte ta bëjnë edhe partitë politike, PD dhe PS. Në kontakte me miqtë e tyre në familjet partiake evropiane PD-ja në EPP dhe PS-ja tek socialistët evropianë. Nëse ia duan të mirën Shqipërisë anëtarët e këtyre dy partive duhet të vazhdojnë garën e tyre legjitime politike kundër njëri-tjetrit në Shqipëri, por jashtë duhet të shprehin interesin e tërë popullit dhe shtetit për integrime evropiane. Shqipëria është vend i rrallë në Ballkan ku pajtimi deklarativ për integrime evropiane nuk shndërrohet edhe në veprim nga ana e partive politike, të cilat në Evropë më shpesh flasin kundër kundërshtarit të tyre sesa në favor të shtetit.

Shqipëria, sidomos elita e saj politike, duhet të mësohet me kulturat dhe traditat e ndryshme politike të vendeve anëtare të BE-së. Nuk duhet të kënaqen me mbështetjen e shumicës kur bëhet fjalë për ndonjë vendim, i cili merret me konsensus, siç është dhënia e statusit të kandidatit. Gabimisht në Shqipëri është krijuar përshtypja sikur Holanda e ka fajin kryesor pse Shqipëria nuk e mori statusin e kandidatit në samitin e dhjetorit. Shkaqet e mosdhënies së statusit të kandidatit dihet kërkuar më shumë në Lazarat dhe Tiranë sesa në Hagë apo Bruksel.

Kur flasim për traditën dhe kulturën diplomatike dhe politike  Holanda është ndër shtetet më transparente në Evropë. Ky shtet nuk e ka traditë të mbajë të fshehur qëndrimin e vet për ndonjë çështje dhe të dërgojë porosi të paqarta. Para secilit takim të rëndësishëm të BE-së qeveria e këtij shteti merr pëlqimin nga dhoma e posaçme e kuvendit për ndonjë qëndrim. E ky qëndrim bëhet publik në faqet zyrtare të Parlamenti. Kështu ishte edhe në rastin e Shqipërisë, sepse Qeveria e Holandës e bëri të qartë se do të jetë kundër. Por, ata po ashtu nuk do të kishin kundërshtuar Shqipërinë sikur të kishin mbetur i vetmi shtet kundër. Ata i përmbahen edhe një rregulli të pashkruar, sipas së cilës “vetoja ekziston për të mos u përdorur”. Holanda, siç mund ta kenë kuptuar ata të cilët kanë ndjekur procesin e zgjerimit në rastin e Kroacisë, është vend që i përmbahet filozofisë “ashpër, por fer”. Kur caktohen kushtet dhe kur ato përmbushen, Holanda nuk e bllokon asnjë vendim, por mbetet besnike ndaj politikës së kushtëzimit. E në rastin e Shqipërisë Holanda nuk bazon vendimet e saja vetëm nga raportet e delegacionit evropian, por edhe nga burimet e tjera. Prandaj duket naive që aq shumë peshë në mediat në Shqipëri e në nivel politik t’i jepet Holandës dhe të mos përmenden shtetet që më së shumti ndikuan që të mos merret statusi i kandidatit, Gjermania dhe Franca.

Disa diplomatë evropianë gabimisht menduan se Gjermania e ka zbutur qëndrimin e saj. Fakti se Gjermania që në tetor ishte shprehur kundër e më pas nuk kishte folur fare, kurrsesi nuk ka mundur të kuptohej se kanë zbutur qëndrimin. Ata nuk kanë folur më, sepse nuk e kanë ndryshuar qëndrimin dhe nuk kanë pasur nevojë më të flasin. Porosia se “na duhet më shumë kohë për të dhënë më shumë rezultate” nga Tirana është kuptuar mirë dhe është kthyer kundër dhënies së statusit të Shqipërisë pikërisht me moton e njëjtë: “Ata kanë nevojë për më shumë kohë dhe ne duhet t’u japim më shumë kohë, prandaj dhënien e statusit do ta diskutojmë pas gjashtë muajsh!”.

Kur flasim për arsyet që ndodhën në Shqipëri për mosdhënien e statusit të kandidatit, duhet të përmendim mbi të gjitha sundimin e ligjit. Në kohën kur mediat evropiane raportojnë për Lazaratin si vend ku në mënyrë të papenguar kultivohet kanabis dhe kur pushteti pothuajse pranon se nuk ka qasje në atë pjesë të shtetit nuk mund të pritet që të mbështetet një vendim kaq i rëndësishëm, siç është dhënia e statusit të kandidatit. Kur në Shqipëri zyrtarë të lartë të sistemit të drejtësisë thonë se “në Shqipëri nuk ka krim të organizuar”, kjo nuk ndihmon, sepse shihet në Evropë si mohim i asaj që të gjithë e besojnë, pra se Shqipëria vazhdon të jetë vend ku ende nuk është goditur sa duhet kjo dukuri negative.

E sa i përket skenës politike duhet pranuar realitetin se BE-së i duhet edhe një kohë për ta kuptuar salton e Ilir Metës dhe Edi Ramës, të cilët u bënë partnerë kaq shpejt. Kur Sali Berisha thotë se “Meta dhe Rama kanë deponuar akuzat kundër njëri-tjetrit në kancelaritë evropiane”, kjo edhe mund të quhet si një ekzagjerim i ish-kryeministrit, i cili matjen e fjalëve kurrë nuk e ka pasur veti pozitive. Por se në BE ende nuk e kanë harruar rastin e video-incizimit të Ilir Metës edhe këtë duhet pasur po ashtu parasysh. Kjo çështje mund të jetë “punë e së kaluarës” për Ilir Metën apo edhe për PS-në, por, siç kemi përmendur më lart, vendet e BE-së veprojnë edhe në bazë të raporteve, të cilat i kanë marrë nga ambasadat e tyre në atë kohë dhe të cilat i marrin edhe sot. Përkundër “respektit” që kanë për gjyqësorin në Shqipëri, duan më shumë dëshmi se gjyqësori është i pavarur dhe i paanshëm. Duhet të luash lojën e strucit për t’u bërë se nuk e di se Edi Rama dhe PS-ja një pjesë të madhe të energjisë sa ishin në opozitë e kishin shpenzuar duke kritikuar në Shqipëri dhe duke denoncuar në Evropë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe duke fajësuar për këtë qeverinë Berisha- Meta. Tash ata nuk mund të presin nga BE-ja që menjëherë ta harrojë këtë dhe të bëhen sikur në Qeverinë e kaluar ishte vetëm pjesa e PD-së, e cila kishte përgjegjësi.

Pikërisht duke pasur parasysh se LSI ishte partnere e PD-së në qeverinë e shkuar dhe tash është partnere e PS-së, disa vende të BE-së duan të shohin se si përkushtimi për t’i përmbushur obligimet do të dëshmohet në realitet. BE-ja, përkundër një bindjeje që është krijuar në Ballkan për shkak të shembujve në Kroaci ku u arrestuan -ish kryeministri dhe disa ish- ministra (madje kur partia e tyre ishte në pushtet) nuk u jep qeverive të Ballkanit lista me emra se kë duhet futur në burg për të merituar biletën për BE. Por po ashtu duan dëshmi se askush, absolutisht askush, nuk mund të jetë mbi ligjin. Këtë duhet ta dëshmojë Shqipëria në gjashtë muajt e ardhshëm nëse nuk do që edhe një rast të humbet. E humbja e rastit në qershor do të ishte goditje shumë e rëndë, sepse në vjeshtë krijohen institucionet e reje të BE-së pas zgjedhjeve evropiane, pra do të ketë prioritete të tjera, dhe nuk dihet se kur do të vijë rasti i ardhshëm.

*KOHA DITORE

15 komente në “Puna për statusin e kandidatit Shqipërisë bëhet në Tiranë e Lazarat e jo në Hagë apo Bruksel”

  1. jari presdnt says:

    C’eeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeReeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeeee
    E cove lopen me kullot tina ?

    1. Pilo Lala says:

      Evropa e ka akoma ne goje shijen e hidhur te Qeverise Berisha.
      Nje veprim shume i drejte per ti mbyllur gojen njehere e pergjithmone.
      Me sakte eshte nje lajmerim qe Edi Rama duhet ta fusi ne burg Berishen patjeter.

  2. Kujtimi says:

    Nuk e marr vesh pse nje gazetari,per te shprehur nje ide dhe 2-3 arsye i nevojitet nje shkrim kaq i gjate, qe te lodh ta lexosh deri ne fund. Mos valle honorari eshte ne baze te sterzgjatjes se artikullit? C’faj kemi ne qe nuk mund te humbasim kaq kohe ne epoken e internetit?

    1. Argita_B says:

      Shtjellimi i arsyeve behet ne menyre qe lexuesit ti shpjegohen nuancat pasi politika apo dipllomacia nuk eshte nje “bote” qe funksionon “bardh e zi”.
      Integrimi ne BE eshte nje rruge e gjate, rruge te cilen duhet ta beje e gjithe shoqeria shqiptare duke filluar nga elita e saj qe sherben ne princip si udherefyese.
      Problemi eshte se elita shqiptare e ka te veshtire apo nuk i intereson kaq shpejt qe ti shpjegoje popullit apo te japi shembullin konkretisht se cila eshte rruga e duhur per integrimin evopian.
      Kur gazeta Tema na sjell analiza interesante nuk duhet kritikuar por pergezuar pasi ngre nivelin intelektual te artikujve qe propozon.
      Nuk u lodhet duke lexuar marken e makines, vitin e prodhimit apo numrin e targave kur behet nje aksident!!!

  3. Argita_B says:

    Analize e sakte, konçize dhe me vizion bashkekohor. Qeveria aktuale ka shprehur nje vizion nepermjet programit dhe punes se saj qe Evropes i pelqen, po ne te njeten kohe ka nevoje qe te shohi fakte, prova konkrete per realizimin e tij.
    Rama do ta kete shume te veshtire te japi prova konkrete per luften ndaj korrupsionit ndaj ish antareve te qeverise, pasi nje pjese e tyre sot jane ne partenere pra ne qeverine e tij.
    Fenomeni i korupsionit nuk ndalon vetem te PD-ja fatkeqesisht, pasi nuk eshte fenomen partiak po eshte shnderuar ne fenomen shoqeror ne Shqiperi.
    Italia ka mbi 60 vjet qe mundohet ta luftoj dhe perseri korupsioni eshte nje fenomen ku dhe vet ish kryeministri Berluskoni sihte i zhytur ne te, imagjinoni atehere se sa kohe do ti duhet Shqiperise per tu rihabilituar.

    1. _______________________________________________________ says:

      Komplimente Argita!

      Nuk mund te shtoj asgje..

  4. Komputeri says:

    qesharake! BEe nuk i interreson fare se kush qeverise ne shqiperi, si qeveriset shqiperia apo sa korrupsion dhe kriminalitet ka aty.

    BEja eshte nje unjon ekonomik, dhe anetarsimi ne te, eshte doemos i lidhur me ekonomin e nje shteti. me nje nga ekonomite me te dobeta te kontinentit, kuptohet qe shteti shqiptar nuk ka shanc te behet ndonjeher anetare e BEs.

    mundesia e vetme eshte pra te presim deri sa te futen shtetet tjera te rajonit dhe neve te na marrin nga meshira. per mendimin tim, kjo do zgjas dhe te pakte 10 vjet te tjera.

  5. Gjergj Araniti says:

    Kam dy vërrejtje-supozime, për shkrimin: 1-Si do ta trajtonte z. Palokaj, n.q.se në vënd të Hollandës, të ishte Greqia…(?)
    2- Kam dëgjuar që fara e mirë e hashashit të Lazaratit, vjen nga Hollanda…(???)dhe gjuhët e liga thonë, se një pjesë e prodhimit, shkon përsëri atje… (ju e kini dëgjuar zoti Palokaj?)

    1. Stefan H says:

      Dihet se si do ta trajtonte kur lexon paragrafin qe “Greqia pengon Maqedonine per shkak te merit, ska rendesi se kush ka te drejte”. Autori duhet ta dije se s;;avet e ashtuauajtur maqedone nuk kane asnje lidhje historike me maqedonet e lashte, pra ata kerkojne te krijone nje mit ne kurriz te vendit fqinje. Dihet gjithashtu qe ti afrohesh nje komuniteti si puna e EU duhet te sheshosh cdo kontradikte me fqinjet. Pra nuk e ka fajin Greqia pse “maqedonet”e genjeshtert duan te fallsifikojne historine. Promovimi i kesaj genjeshtre eshte kaq i madh sa kane filluar ta besojne se sllavet e ardhur pas shekullit te 6 ne ballkan kane lidhje drejtperdrejt me Aleksandrin e madh.

  6. Titi says:

    BE as e rruan fare per Shqiperine, por te vetmit qe jane fitimprures jane diplomatet e huaj qe punojne ne Shqiperi. E dini qe ne konsiderohemi si vend i rrezikshem dhe qe pagat e tyre jane me te larta me diplomate ne vendet e BE. Cfare rreziku kane ata ne Shqiperi? A ju mungon mikepritja jone? A nuk jemi kavaliere ndaj tyre dhe eksperteve te huaj ( te cilet nuk kane me teper kualifikime se ekspertet shqipetare). Vijne ne Shqiperi, bejne sikur punojne 4-5 vjete, mbushin llogarite e tyre bankare dhe kur ikin thone “Fuck you”. Ku eshte krenaria jone? Pse jemi kaq servile ndaj te huajve? Shikoni si eshte katandisur vendi, rruget, lagjet, kopshtet, shkollat, shikoni sa keq jane te veshur njerezit, te palare, te shemtuar, ecin ne rruge si lopet. Ne hapemi bythesh shume neper ekranet e tv cdo dite me nga nje kostum e kollare te re, po shikoni 1 km larg si jetojne njerezit e thjeshte, nuk kane as uje te lahen. Derisa kjo qeveri te filloj e te fus ne burg Sali Berishen dhe banden e tij, te gjeje parate ku i kane depozituar, te legalizoje dhe te bej Lazaratin fshat turistik, te lidhet me Kinen, Rusine e jo me Izraelin ( se cifuti nuk te jep gje), tu jape qytetareve te pastrehe apartamentet qe jane bosh, te ver rregull dhe Policia mos ver gjoba ne Tirane por te kap vjedhesit e shtepive dhe grabitesit me pare. Te shikojme shtepine tone, se asnje i huaj nuk do vije te na e rregulloje. Vurini gishtin kokes e punoni, lerini dallaveret si ne kohen e Saliut e te Nanos o Popull. Luli te vej ne burg sa me shpejt, Bode, Imami, vetem me parate qe do iu sekuestrohen atyre dhe familjes Berisha mund te marim pak veten ekonomikisht. EDI RAMA vetem ti mund ta besh kete, ne te ty i kemi shpresat.

    1. lazarati says:

      cfare injorance… o zot…

    2. Tironsi2 says:

      Titi,je nje person i semure psiqikisht.Ti jeton ende ne kohen e diktatures.Kane vajtut hakmarrjet primitive or i semure.Nuk eshte pushtei prone e askujte qe te burgose,te vraje apo te terrorizoje opoziten,qe eshte nje pushtet nen hije.Ndale pak or torollak.Shiqo para e jo pas.Mjafte burgosi,vrau dhe persekutoi diktatura.Tani rruga eshte trasuar per ne BE.Duhet ti zvoglojme krimet,korrupcionin,ta zhdukim kanabisin e Lazaratit,ti ndalim gjakmarrjet,ti sigurojme bugjet,ti ndalim trafikimet e droges,ti ndalim hakmarrjet politike etj.etj.Qetesoi nervat Titi,mos u ngut.Toleranca dhe mirekuptimi me mendimin e kundert jane fundament i egzistimit te shtetit tone.

  7. Usa says:

    Clidhje ka lazarati me kete ceshtje? Hollanda njehet su vendi me liberAl per hashashin. Si duket e ka bere nga frika e konkurrences. Artikull shume i gjate dhe i lodhshem.

    1. Jetoni says:

      Ka lidhje Lazarati si jo. Ne holande Perdorimi i hashashit per nevoja personale eshte i lejuar me ligj. Ne Shqiperi kultivimi dhe trfikimi nuk eshte i lejuar. Pra Lazarati desh,on se nuk sundon ligji dhe Shqiperia nuk meriton statusin.

  8. liqeni says:

    Nje gje pozitive do te ishte vendosja e marredhenjeve diplomatike ndermjet shtetit shqiptar dhe shtetit te Lazaratit!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje