Kur mostrat të kenë një emër

18 Janar 2014, 19:00Blog TEMA

Nga Andi Kananaj

 

Vriten 2 çifte të martën në darkë, dhe shkak ishte xhelozia e një personazhi që e mbyll karrierën e tij seksuale me këtë vrasje makabre. Nuk ka asnjë logjikë përveç kafshërisë, që të çojë përpara një njeri në gjest të tillë; nuk ka si të ketë. Ndjesia e parë që të vjen në mendje është se përveç dënimit me burgim pafund, këtij personazhi t’i vësh si dënim shtesë dikë që t’i flasë në mënyrë shteruese për absurdin e këtij veprimi fatal. T’i shpjegohet në një mënyrë apo një tjetër se ajo orgazëm (e pëshpëritur) që zotëria vrasës nuk donte ta ndante me askënd, tani ka ikur përgjithmonë. Jo vetëm fizikisht, por dhe atje ku gjurmët fizike nuk futen. Nga ai moment çdo cep i memories do jetë deng vetëm me plumba dhe horror. Po çfarë e shtyn një 40 vjeçar, dhe para tij shumë të tjerë që të sillen si qytë automatiku? Është seksi që pëlqehet deri në vetëmohim, apo është vetëmohimi që udhëheq deri në fund. Fillon si petit mort dhe mbaron si një vrasje e madhe.

Një grua qethet nga bashkëshorti dhe i biri, për faktin se ishte vonuar në kthimin e saj nga puna. Një grua jashtë çdo mundësie fizike për të patur kohë relaksi, me një mashkull tjetër. Në një botë paralele me këtë tonën ky gjest do ishte i pashpjegueshëm. Jo logjik. Përveç atje ku testosteroni nuk njeh limite logjike. Vitamina E që ndikon në përmirësimin e andropauzës është e pashitshme. Jemi në mbretërinë e bakllavasë. Sheqeri qe sundon pa mëshirë duket se ka efekte që tronditin çdo laborator kimie. Për gruan e dhunuar, puna e saj me të cilën ushqen dhunuesit, e çon drejt dhunës në mënyrë të pashmangshme. Ajo punon që të ushqejë, gatuan që të ushqejë, dhe në fund dhunohet me shpërfytyrim. Dhe mjetet e dikurshme të mbrojtjes, nënshtrimi total, lugët- pirunjtë në vendin e tyre, ushqyerja me rregull e në kohë e meshkujve nuk ka mjaftuar. Dashuria prej nëne, koha e harxhuar mbi kokën e të birit, herët që ka ngelur pa gjumë, ishin përpjekje për të cilat vetëm mund të pendohet.

Para pak kohe një këngëtare e re u morr zvarrë nga i dashuri i saj pasional, që pasionin e tij të fortë nuk e tregoi dot përveç se duke shtuar shpejtësinë e një makine të madhe sa egoja e tij. Ndoshta më të vogël se ajo që ai priste përtej makinerisë. Me më pak pasion por me të njëjtin vullnet u kujdes që shteti ta konsideronte aksident. Nuk mjafton që një histori banale përfundon si farsë e një tragjedie shekspiriane, por në skenë futen dhe gjykatat. Me vendimin qesharak ja dolën që të na tregonte që makineria e shtetit që quhej drejtësi, vlen realisht sa një kompozim fallik’ i dështuar si egoja e biznesmenit me makinë. Nuk ka leje drejtimi të mjetit që e justifikon dështimin e saj. Nuk ka pushtet që mund të tregohet më matrapaz. Ajo që ngelet, nëse gjykata s’të jep drejtësi, por vendos me testosterone, është se të gjithë pas saj jemi dashnorë të marrë zvarrë.

Shoqëria, si reagon ndaj një burri që merr kallashin për xhelozitë e veta banale? Mos vallë ndërron kanalin e televizorit? Apo më keq akoma, mendon se krimineli ishte viktimë, si të gjithë në momente dalldie?

Shoqëria shqiptare duket se moralisht është në anën e dhunuesit, pavarësisht se jo rrallë nga frika e plumbave qorr reagon e indinjuar. Shoqëria po ushqehej me bakllava, ato ditë, nuk kish’ kohë për reflektim. Ajo vetë ka në gjenet e saj deformimin të cilin e ushqen me sherbetin e moralit; në mund të konsiderohet dëshira për të vrarë një grua, moral; në sulmin babë e bir, ku skenarët kalonin nga uji i valuar tek therja me brisk. Nëse moral është fakti që dhuna është kaq evidente. Ndoshta një qokë atje në bulevard, do ish’ më mirë. Të paktën në kushtet kur askush s’po lë mënjanë as një ëmbëlsirë. Ndërrohet kanal, po mesa duket i sintonizuar kolektivisht, për mos pasur as pakënaqësi.

Faktet thonë që mbi 98% e rasteve nuk denoncohen. Që numri i vrasësve është vetëm në rritje, flet për një frikë legjitime të viktimave. Kur mjekët nuk kujtohen të denoncojnë, kur uniformat blu ndjehen jo rrallë në anën e dhunuesit, pyetja ngelet: Çfarë do të ndodhë nëse do të denoncoj? Apo situata mundet vetëm të përkeqësohet? E vërteta tregon se nga gjykata nuk dalin fajtorë vrasësit, por shpesh viktimat. Pesha e turpit i ndjek dhe pasi kanë mbijetuar. E nëse kanë vdekur, turpi s’mund t’u ndahet më. Nëse s’do vendosim t’u gjejmë një emër mostrave, mostra do jemi vetë, spektatorë të paaftë për të qenë as kriminelë.

10 komente në “Kur mostrat të kenë një emër”

  1. Wendy-B says:

    Me duhet ti jap noten 10 Andit se e kam pasur edhe shok klase. Gjithesesi ka pershkruar nje realitet te dhimshem e real te shoqerise shqipetare. Nuk e konceptoj dot pse mashkulli shqipetar (kuptohet jo te gjithe) nuk pranon te divorcohet , por preferon eleminimin fizik te gruas apo te se dashures. Nuk besoj se ka te beje shume me ndjenjen e dashurise, sesa me ate te pronesimit dhe vrasjes se egos mashkullore.

    1. ANNA M. says:

      E LEXOVA ME NJE FRYME!
      ME LOVE ANDI!
      http://goo.gl/hFDJl0

    2. KULUFI says:

      Andi ishe i madh.
      Vetem ne nje gje gabove kur thua se si tipi qe vrau 2 cifte,mbylli karieren e tij seksuale me kete akt.
      Ne fakt,ai ka nisur karieren e tij te re seksuale.

      Do te fusi ne pune tallaferen e vet pas kesaj!

  2. Ariana says:

    Artikull i goditur dhe shkruar mjaf mire.

  3. Nji shkrim i cili prek pikerishte atje ku duhet ne shoqerine shqiptare .
    Mendoj se shkrime te tilla te cilat i shprehin shqetesimin e asaj shoqerie duhet te jene me prezent ne forume e gazetat shqiptare .
    Eshte e paimagjinushme qe sot akoma ne vitin 2014 ajo shoqeri te identifikohet me nji injorance te tille me te tilla krime te shemtuara te cilat te cojn automatikishte ne nji epoke mentalitet mesjetare .
    Si eshte e mundur qe gruaja sot akoma ne kte shekull te trajtohet si nji pron e burrit ,me te cilen ai mundet te bej cdo lloj cmendurie qe i qarkullon atij ne koke ! Ku eshte aty shoqeria civile ,ku jan ato gra te cilat dalin ekraneve te TV-e duke na treguar sa “inteligjente e moderrne jan” ku eshte ajo shoqeri aty ,perse nuk protestohet ashtu sidhe veprohet ne gjithe boten !
    Eshte e turpeshme dhe e papergjegjeshme per nji shoqeri e cila vazhdon te bej indiferentin e largoj shikimin nga te tilla veprime te uleta. S’duhet te cuditemi ateher kur nji shtazeri e tille troket ne dyert tona ose te te aferme tane . Nqs nuk vihet ne levizje shteti dhe shoqeria aty ai vend do mbetet peng i injorances e krime te tilla do vazhdojn te jene te parnishem ne cdo kohe. Indiferenca dhe injoranca jane dy armiqet kryesore te zhvillimit te nji shoqerie . Si nuk e mori njiher seriozishte jeten ai popull ,ajo shoqeri eshte e pebesushme ta shofesh jeten si nji art gallate .Kjo ndodhe vetem ne shqiperi .

  4. Myslo beu says:

    Po pse habitesh mer shkrues?!
    Serbet dhe greket kan shekuj qe bertasin me duart ne kok “jan kafsh shqiptaret”!
    Dhe ne themi se ata na kan inat se jan hasmit tan.
    ……
    Po sikur ata te ken te drejt!??

  5. Dajti says:

    Pyetjet e ngritura kane vetem nje pergjigje.
    Se çfare ben shoqeria, dhe cila eshte shkalla e civilizimit te saj eshte njera ane, e rendesishme dhe kjo.
    Por pergjigja e pyetjeve te ngritura, eshte zbatimi i ligjit dhe berja e drejtesise. Ligji ftoh edhe pasionin. Sikurse ftohet kushdo pasi kryen krimin. Por kjo ftohje duhet te kryhet me pare. Ligj=Parandalim.

  6. Nje qytetar! says:

    MONSTER shkruhet dhe Jo ‘moster’! Nuk e di kush e ben kete gabim,(autori apo radhitesi i gazetes) por shpesh keshtu shkruhet kjo fjale.Mire e kishte E.Rama kur tha nje dite qe keta intelektualet e rinj po e bastardojne gjuhen Shqipe.

  7. psy says:

    Eshte vertet e dhimbshme Andi.Respekte !

  8. Bubureci i patates says:

    Fjala “mostër”, është një kampion (një sasi e vogël), që merret si përfaqësuse për një studim a prova shkencore për diçka. Fjala “monstër” është një qënie e përçudnuar dhe tejet e keqe në karakter e në veprime.
    Kjo e dyta ma ha mëndja, është tek titulli i shkrimit…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje