Peng i krimeve tona

18 Janar 2014, 18:08Blog TEMA

Nga Imer Mushkolaj

Pa u zbardhur vrasjet e gazetarëve dhe të gjitha vrasjet tjera të pasluftës, shteti i Kosovës do të mbetet peng i të kaluarës së errët dhe kriminale. Pa u zbardhur krimet e së kaluarës, shteti i Kosovës nuk bëhet. Është koha të ballafaqohemi me krimet tona.

 

Më 11 janar 1999 u vra gazetari, publicisti e veprimtari Enver Maloku.

Më 10 shtator 2000 u vra gazetari Shefki Popova.

Më 23 nëntor 2000 u vra gazetari e publicist Xhemail Mustafa.

Më 19 tetor 2001 u vra gazetari Bekim Kastrati.

Më 3 qershor 2005 u vra gazetari Bardhyl Ajeti.

Një kronologji e dhimbshme, e cila bëhet edhe më e dhimbshme ngase nuk është gjetur vrasësi i asnjërit nga ta.

Përveç Enver Malokut, i cili është vrarë në kohë lufte, të gjithë të tjerët kanë shkuar nga kjo botë në kohë paqeje. Në kohë lirie.

Gjithë këto vite ka pasur nëpër media shkrime se dihen vrasësit e këtij apo atij, se do të arrestohet ai apo ky, por deri më tash nuk është zbardhur asnjëri rast.

Para pak ditësh, në akademinë përkujtimore me rastin e pesëmbëdhjetëvjetorit të vrasjes të të atit, e bija e Enver Malokut tha se shumë persona i panë vrasësit e tij, por deri sot asnjëri nuk u bë burrë e s’doli për ta thënë një emër.

“Jo pse njerëzit nuk duan ta bëjnë këtë, por ata nuk e kanë guximin ta bëjnë këtë sepse nuk mbrohen nga shteti. Për më keq, politika nuk po tregon interes që t’i zbardhë krimet që u bënë ndaj shumë atdhetarëve të shquar e intelektualëve ekselentë”, theksoi ajo.

Kush janë njerëzit që mund t’i dinë vrasësit e nuk ua thonë emrat? Pse nuk flasin? Nga kush kanë frikë ata? Këto janë pyetje që mbeten ende pa përgjigje.

Gjithë pushtetet, ndërkombëtare e vendëse që janë ndërruar deri më tash, asnjëri nga prokurorët e as dikush tjetër nuk ka zgjedhur të ballafaqohet me të kaluarën e errët e të frikshme, me kohën kur shumë personalitete – në mesin e tyre edhe gazetarët – janë vrarë vetëm pse dikujt mund të mos i ketë pëlqyer raportimi i tyre, vetëm pse dikujt mund të mos i ketë pëlqyer afrimi me ndonjë opsion politik a partiak, vetëm pse dikujt mund të mos i ketë pëlqyer veprimtaria e tyre, mendimi i tyre.

Për gjithë këto vite nuk ka pasur vullnet as nga organet e drejtësisë, as nga politika që këto raste të vrasjeve të zgjidhen.

 

 

Para pak ditësh në Serbi u arrestuan të dyshuarit për vrasjen e gazetarit Slavko Curuvija. Gati pesëmbëdhjetë vjet pasi ai u vra në hyrje të banesës së tij, shteti serb vendosi ta zbardh krimin. Mendohet se vrasja e Curuvijas, pronarit të gazetës “Dnevni Telegraf” u urdhërua nga çifti Slobodan Milosevic/Mira Markovic për të cilët – dhe jo vetëm për ata, por edhe për media dhe gazetarë të regjimit – ai ishte tradhtar. Në këtë rast, “tradhtar” etiketohej secili që nuk e përkrahte Milosevicin në veprimet e tij prej të çmenduri, në veprimet e tij prej urdhërdhënësi të vrasjes së qindra-mijëra viktimave të pafajshme në territorin e ish-Jugosllavisë .

Curuvija ishte vrarë vetëm pak ditë pasi NATO kishte filluar bombardimet, ndërkohë që gazetarë të afërt me Milosevicin kishin shkruar se ai iu ishte gëzuar “bombave të agresorit”.

Tash pesëmbëdhjetë vjet vrasjen e tij shteti nuk kishte dashur ta zbulojë, ndonëse dihej fare mirë se ai ishte vrarë nga shërbimi i atëhershëm serb i sigurisë. Para një viti, një grup gazetarësh në Serbi iniciuan themelimin e një komisioni për hetimin e gazetarëve të vrarë, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të organeve të ndjekjes e të sigurisë, si dhe gazetarë.

Komisioni u formua me vendimin e Qeverisë së Serbisë dhe me angazhimin personal të njeriut të dytë të qeverisë serbe, por politikanit më të rëndësishëm serb, Aleksandar Vucic. Mbase Vucic vendosi të merret me këtë çështje edhe se në kohën kur gazetari u vra, vetë ishte pjesë e regjimit të Milosevicit.

Slavko Curuvija u vra nga aparati shtetëror dhe duket se vetë shteti do ta zgjidh rastin e vrasjes së tij. Ashtu si dhe vrasjen e dy gazetarëve të tjerë, Dada Vujasinovic e Milan Pantic.

Në Kosovë mbase nuk mund të flitet për vrasje të organizuar nga shteti të gazetarëve, por ata dikush dhe me urdhër të dikujt i ka vrarë. Asnjëri nga ta nuk e ka vrarë veten dhe tash sa vjet familjarët e tyre presin dënimin e të gjithë atyre që organizuan dhe kryen krimin.

Se a bën punë krijimi i ndonjë komisioni të posaçëm, në mënyrë që vrasja e tyre të zbardhet më shpejt është çështje që duhet diskutuar. Por, e sigurt është se asgjë nuk mund të zbulohet përderisa mungon vullneti i strukturave shtetërore për t’u përballur me këtë çështje dhe përderisa njerëzit që mund të kenë informata për krimet, kanë frikë të dëshmojnë për to.

Pa u zbardhur vrasjet e gazetarëve dhe të gjitha vrasjet tjera të pasluftës, shteti i Kosovës do të mbetet peng i të kaluarës së errët dhe kriminale. Pa u zbardhur krimet e së kaluarës, shteti i Kosovës nuk bëhet. Është koha të ballafaqohemi me krimet tona.

3 komente në “Peng i krimeve tona”

  1. Mbece more mbece says:

    Hej o mucmolla po gjej ndonje fotografi tjeter se me kete qe ke postuar dukesh si baloz i zi

  2. Myslo beu says:

    Komb kriminel shqiptart
    Sistem kriminel demokracija

  3. "AUTORI I BALASHIT" says:

    Po ty more: “Mbeçe more mbeçe”, kjo te prekupoi me shume se sa problemi qe ngre me shqetesim zemre gazetari Imer Mushkolaj? Ato jo vetem qe s’ gjenden, por ata keshtu vrasin punen e gazetarit qe te mos flasin. Te mos flase gazetari, por mafja… Kjo eshte me e renda qe presim prej heshtjes e mos inisiatives per tu perpjekur, te pakten per ti gjetur vrasesit…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje