Takimet me ministrat, 90 % e kërkesave për punë. Mes aplikantëve edhe anëtarë të partive aleate

19 Janar 2014, 12:09Politika TEMA

Gjetja e një vendi pune përbën mbi 90 % të kërkesave që aplikantë të ndryshëm dorëzojnë në selinë e Partisë Socialiste, prej rreth dy javësh, pas një urdhëri të Kryeministrit Edi Rama që detyron ministrat të zhvillojnë pritje ditore me qytetarët e interesuar. Përgjatë 1 javë mësohet se rreth 1000 mbështetës të Partisë Socialiste dhe partive aleate, që ende nuk kanë marrë pozicione drejtuese në administratën shtetërore, kanë aplikuar për takimet me anëtarët e kabinetit qeveritar.

Procedura

Gjithcka nis në orën 08:00, kur personat e interesuar nga e hëna në të shtunë mund të tërheqin një formular, që plotësohet në moment në recepsionin e katit të parë të selisë së Partisë Socialiste. i interesuari pasi plotëson gjeneralitetet e tij të plota, përcakton ministrin që do të takojë dhe arsyen e takimit. Më pas formulari dorëzohet sërisht në recepsion dhe personit i komunikohet dita e pritjes dhe orari. Takimet e deritanishme janë zhvilluar në orët e pasdites, ku anëtarët e Kabinetit Qeveritar, sipas një grafiku zhvillojnë takime që zgjasin dy apo tre orë me të interesuarit. Prezent të takimet me qytetarët janë të paktën edhe dy punonjës të Partisë Socialiste, ndërsa problematika të paktën regjistrohet dhe më pas i përcillet institucioneve përkatëse, për të pritur më pas edhe një përgjigje.

Kërkesat

Pjesa më e madhe e personave që i drejtohen selisë së PS dhe takohen me ministrat kërkojnë një vend pune apo rikthim në vendin e punës që kanë pasur, përpara se të largoheshin nga administrate nga Qeverisja ‘Berisha’, sipas tyre, për shkak të bindjeve politike. Ndërkohë që kërkesa të tjera kanë të bëjnë që nga problemet e pronësisë, strehimit, legalizimeve, ndihmës ekonomike, zbatimin e vendimeve të gjykatave etj. Burime nga PS shprehen se rreth 70 % e aplikantëve janë nga rrethet e ndryshme të vendit, ndërsa pjesa tjetër nga Tirana. Arsimi, tatimet, doganat, policia, mësohet se janë sektorët të cilët kanë edhe kërkesat më të mëdha për një vend pune. Kryesisht aplikantët janë ish-punonjës të administratës shtetërore të larguar nga puna përgjatë viteve të qeverisjes së Partisë Demokratike, por edhe të rinj dhe të reja, që shpresojnë të punësohen në administratë. Jo të gjithë janë mbështetës apo anëtarë të Partisë Socialiste, pasi një pjesë e aplikantëve i përkasin subjekteve politike në koalicion me partinë më të madhe qeverisëse, por që nuk janë përfshirë në qeverisjen e vendit. “Jam larguar nga administrate doganore në 2008, kam fituar gjyqet dhe sot kam një vendim gjykate të Gjykatës së Apelit që e cilëson të padrejtë largimin nga puna. Kryeministri Edi Rama ka premtuar se do të rikthejë në punë ata që janë larguar në mënyrë të padrejtë, ndaj unë do të kërkoj të drejtën time”, shprehet një 49 vjecar që pasi dorëzon formularin, pret të bëjë prezent problemin e tij. Ndërkohë mes aplikantëve është edhe një grua të moshuar, e cila me vete mban një dosje. Janë dokumentet e pronave të saj në qytetin e Elbasanit, ndërsa shpreson që procesi i bllokuar prej vitesh në Agjensinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, të marrë zgjidhje. “Shpresoj të marr një përgjigje pozitive, pasi dosja në Komision ka vite që është depozituar dhe kurrë nuk kam marrë një përgjigje”, shprehet e moshuara.

Kryeministri Edi Rama urdhëroi ministrat që sipas një grafiku të zhvillojnë takime në selinë e Partisë Socialiste me qytetarët. Kjo nismë është në vijim të asaj që u ndërmorr pak muaj më parë, kur përmes sistemit online, të interesuarit për një vend pune depozitonin një CV. Kësaj nisme, sipas të dhënave nga Partia Socialiste, iu përgjigjën rreth 6 mijë aplikantë, një pjesë e të cilëve u përfshinë në konkurset e organizuara për vendet e punës në administratën publike.

2 komente në “Takimet me ministrat, 90 % e kërkesave për punë. Mes aplikantëve edhe anëtarë të partive aleate”

  1. elinor says:

    Mos u merzitni se ja u gjen Partia punen!!! Nuk e dija qe Rama ishte kaq komunist, por kam pershtypjen se me teper eshte nje mashtrues i pacipe!
    Kryeministri urdheron ministrat te shkojne ne zyrat e PS dhe te mbledhin CV! Vetem ne Albanistanin bolshevik ndodhin te tilla gjera!

  2. Zeneli says:

    C’jane keto procedura extraligjore ???? !!!
    Pse talleni, nuk u ngopet me aplikimet elektronike te tipit HARITO?
    Aplikuan me mijra dhe Sajmiri mori gjith Tepelenen e Kurveleshin ne pune, dhe tani tallet konkurimet per polic. Kur ka vende te lira per polic, pse s’po merr ne pune ata qe i hoqi Sala padrejtesisht, te cilet e ndihmuan edhe ne tri pale zgjedhje elektorale? Do aplikojne dhe s’ka per ti marre! I mban premtimet dhe eshte serioz i madh ky kryetari i PS-se se Tiranes.
    Asgje tjeter MASHTRIM I PERSERITUR.
    Pse nuk aplikon LSI-ja te tilla procedura , por i merr te vetet e i ben drejtora, prefekte, e shefa te te gjitha niveleve, pa care koke per ligje, procedura, statuse, etj.
    Tallet PS-ja dhe Edi Rama me anetaret, militantet dhe simpatizantet e tyre. Ai dhe gjithe grupi i deputeteve kane besuar e besojne se populli vdiq nga padurimi per te pare Edin Kryeminister, Sajmirin min. te Brendshem, Erjon Veliun Minister te romeve dhe invalideve (haron se ka nje popull te tere te cileve duhet tu zgjidhe hallet e punesimit ), dhe ministrat e tjere rioshe e marioneta te Edit.
    Edvin Rama, boll u talle me popullin fukara e nevojtar per buken e gojes. Nese Saliun e hoqen me vote ty do te te rrezojne, vecsa me vote, por dhe me daulle e me cifteli.
    Harram vota qe i muaret ketij populli.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje