Eurodeputeti socialist në Parlamentin Europian Richard Howitt deklaron, se ata që s’ ishin pro një vendimi pozitiv për statusin e Shqipërisë në dhjetor ishin seriozisht të shqetësuar nga mungesa e thellësisë së reformave për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Sipas tij përgjigjja më e mirë e atyre që në Shqipëri mendojnë se kritikat për Shqipërinë s’janë të drejta, është të kryejnë edhe më shumë reforma dhe të kenë më shumë sukses që të bindin shtetet skeptike. “Nuk më duket e drejtë që kjo t’i vishet ekstremizmit. Reformat s’janë në interesin e BE-së, janë në interesin e qytetarëve shqipëtarë. Unë, së bashku me Komisionin dhe Parlamentin Europian kemi thënë, që i gjithë kredibiliteti i anëtarësimit të Bashkimit Europian mund të vihet në pikëpyetje, nëse vit pas viti ne themi, se progresi i këtij vendi shtyhet. Vendi që aspiron integrimin ka përgjegjësinë e tij, por edhe ne kemi tonat. Dhe qartësisht ne po dështojmë me përgjegjësinë tonë”, thekson europarlamentari britanik, në një intervistë për ABC News.
Një nga pesë shtetet që i thanë jo statusit të kandidatit për Shqipërinë në dhjetor ishte Britania e Madhe. Kryeministri Cameron deklaroi madje në samit se duhen venë rregulla të reja për lëvizjen e lirë të punëtorëve nga Shqipëria dhe Serbia në BE. Ju jeni vetë britanik. A ju duket e drejtë kjo ?
Richard Howitt: “Nuk më duket e drejtë, Unë jam nga partia e opozitës, partia laburiste. Edhe pse nuk dua të shfrytëzoj këtë intervistë për çështje të brendshme në Britaninë e Madhe, do të ishte e ndershme për shikuesit tuaj, që të kuptojnë që ka një debat shumë të nxehtë për emigracionin në Britaninë e Madhe dhe në disa shtete të tjera anëtare. Unë s’jam dakort me partinë konservatore që nxjerr si shqetësim të saj emigracionin në tregun e punës në Britaninë e Madhe, ndërkohë që në fakt Britania e Madhe ka qenë gjithnjë pro zgjerimit. Nuk e dijmë, nëse argumentat e atyre që duan të kufizojnë lirinë e lëvizjes do të fitojnë. Do të shohim, se ç’do sjellë debati. Por Njëkohësisht, kërkohet të tregohet përgjegjësi në proçesin e integrimit europian dhe të kryhen reforma të rëndësishme në vendet e Ballkanit. Dhe si thotë një shprehje: “Më mirë të përballemi me betejat sot, se t’i lemë ato për nesër”. Unë jam përfaqësues i Parlamentit Europian dhe do të luftoj për Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit për përafrimin e tyre të mëtejshëm në BE, sepse kjo është në vetë interesin e Europës”.
Krijohej përshtypja, se David Cameron nuk e kishte me lëvizjen e punëtorëve nga Shqipëria apo Serbia, që mund të ndodhë pas 10 vjetësh, sesa e kishte në të vërtetë me Rumaninë dhe Bullgarinë?
Richard Howitt: “Besoj, se keni të drejtë. Cameron nuk tregoi njohuri apo më mirë të them përgjegjësi për rajonin e Ballkanit. Të gjithë ne që njohim shoqëritë e Ballkanit, që shohim progreset historike që kanë ndodhur dhe ato që duhet të ndodhin, duhet të tregojmë përgjegjësinë tonë përballë këtij rajoni. Dhe kam frikë se David Cameron nuk po e bën këtë”.
A është e drejtë të thuhet që Shqipëria s’e mori statusin e vendit kandidat për shkak të ekstremeve politike në Europë, apo reformat e bëra në tre muaj deri në dhjetor nga qeveria në pushtet s’ishin të mjaftueshme dhe nevojitej më shumë kohë për të bindur të 28 shtetet anëtare ?
Richard Howitt: “Nuk më duket e drejtë që kjo t’i vishet ekstremizmit. Ata që nuk ishin pro një vendimi pozitiv për statusin e Shqipërisë në dhjetor ishin seriozisht të shqetësuar nga mungesa e thellësisë së reformave për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Përgjigjja më e mirë e atyre që në Shqipëri mendojnë se kritikat për Shqipërinë s’janë të drejta dhe se përpjekjet e Shqipërisë s’janë vlerësuar si duhet, është të bëjnë më shumë përpjekje, të kryhejnë edhe më shumë reforma, të kenë më shumë sukses që të bindin shtetet skeptike. Reformat s’janë në interesin e BE-së, janë në interesin e qytetarëve shqipëtarë”.
Ju jeni raportuesi për Maqedoninë. C’farë vlere ka statusi i kandidatit në këtë rast, kur vendi pret që prej 7 vjetësh për të hapur negociatata e anëtarësimit ?
Richard Howitt: “Është një pyetje e drejtë. Statusi i kandidatit duhet të ketë domethënie. Unë, së bashku me Komisionin dhe Parlamentin Europian kemi thënë, që i gjithë kredibiliteti i anëtarësimit të Bashkimit Europian mund të vihet në pikëpyetje, nëse vit pas viti ne themi, se progresi i këtij vendi shtyhet. Vendi që aspiron integrimin ka përgjegjësinë e tij, por edhe ne kemi tonat. Dhe qartësisht ne po dështojmë me përgjegjësinë tonë”.