‘Projekti pilot’, të miturit në shërbimin e provës do mësojnë anglisht

4 Shkurt 2014, 16:27Kronika TEMA

Shërbimi i Provës ka prezantuar “Projektin Pilot” për zhvillimin e kursit të gjuhës angleze mundësuar nga Shoqata Jo-fitimprurëse “The Ideas Partnership”. Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit me institucionet shtetërore dhe Organizatat Jo- Fitimprurëse që operojnë në Shqipëri, së shpejti pritet të nisë zbatimin projekti -pilot me kohëzgjatje katër mujore, i cili ka për qëllim të përfshijë në programin e tij, 15 të mitur, në mbikëqyrje të Zyrës Vendore të Shërbimit të Provës Tiranë. Për këta të mitur, do të realizohen kurse mësimi të Gjuhës Angleze dhe mësimdhënia do të ofrohet nga mësuesja e trajnuar vullnetare, Elizabeth Gowing.

Gjatë prezantimit të këtij projekti në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Zv/Ministri Idlir Peçi theksoi se drejtësisë shqiptare përmes politikave të saj duhet të synojë që t’i thotë jo të miturve në burgje.

“T’i themi jo të miturve në burgje! Ky, slogan duhet të jetë udhëzuesi kryesor i punës sonë. Çdo studim lidhur me kriminologjinë, apo shkaqet që të çojnë drejt kriminologjisë  kanë si recetë kryesore largimin e të miturve nga qelitë e paraburgimit, burgut etj, pasi burgimi i tyre është receta më e mirë për t’i përfshirë edhe këta të mitur në vorbullën e zezë të krimit ”, tha ai.

Ndërkohë në fjalën e tij gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës, Ilir Qafa bëri me dije se një nga problematikat më të ndjeshme e cila ka nevojë për t’u adresuar, është çështja e mungesës së një baze të dhënash të mirëfilltë, ku të pasqyrohet ecuria e çdo personi në periudhë mbikëqyrjeje, si dhe e personave të cilët përfundojnë periudhën e provës.

“Pasqyrimi sa më i saktë, i cili ka munguar deri më tani ndikon në skanimin e gjendjes si dhe të informacionit për çdo person aktualisht në periudhë mbikëqyrjeje, veçanërisht për të miturit për të cilët është i domosdoshëm hartimi i politikave të trajtimit në sajë të një bashkëpunimi të harmonizuar ndër-institucional. Konkluzioni i sipërcituar është akoma më aktual nëse i referohemi statistikave të administruara nga Shërbimi i Provës gjatë periudhës katërvjeçare. Kështu rezulton se për vitin 2009 kanë qenë në periudhë prove 109 të mitur, një numër ky i shumëfishuar për vitet në vijim deri në trefishim për vitin 2013 dhe konkretisht 311 të mitur. Trendi në rritje, i cili nuk përbën aspak një lajm të mirë, parashtron nevojën për të forcuar bashkëpunimin me Organizatat Jo- Fitimprurëse, me synim realizimin e projekteve konkrete për trajtimin e të miturve”, u shpreh Qafa.

Gjithashtu, gjatë takimit theksi u vu në intensifikimin e mëtejshëm të punës në drejtim të bashkëpunimit me operatorët e përfshirë në drejtësinë restauruese.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje