Gjosha-Rouning: Të vendosur për përmbushjen e reformave integruese

18 Shkurt 2014, 16:10Politika TEMA

“Qeveria shqiptare është  maksimalisht e angazhuar në përmbushjen e reformave që kanë nisur. Aktualisht ne po vazhdojmë të punojmë me reformën administrative-territoriale dhe atë në drejtësi, të cilat kanë rëndësi madhore për vendin.  Që këto reforma të  zbatohen,  duhet konsensusi edhe i opozitës të cilën ne e kemi ftuar të jetë pjesë konstruktive në këtë angazhim tonin përpara qytetarëve shqiptarë”.

Kështu u shpreh ministrja e Integrimit Klajda Gjosha gjatë takimit me shefin e prezencës së OSBE-së, në Shqipëri Florian Rouning.

Bashkëbiseduesit  vunë theksin tek bashkëpunimi i mëtejshëm dhe tek mbështetja që OSBE-ja i  ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Gjosha u shpreh se  Shqipëria është optimiste në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian.

“Ne do të vazhdojmë përpjekjet dhe punën tonë në funksion të këtij procesi, pa u ndalur, pasi Shqipëria e meriton të jetë pjesë e BE-së”, u shpreh ministrja Gjosha.

Shefi i prezencës së OSBE-së Florian Rouning, theksoi se  10- vjeçari i fundit për Shqipërinë ka qenë një periudhë konsolidimi në të gjitha aspektet.

“Ne jemi partnerë të sinqertë  të Shqipërisë, për  një sërë masash  mjaft inkurajuese të ndërmarra nga maxhoranca që po qeveris vendin.  Mbështesim Shqipërinë në këtë rrugë. Prezenca e OSBE-së në Shqipëri  nuk  do të thotë se në këtë vend  gjërat nuk po shkojnë mirë, por keni nevojë për shenja më të forta të besimit  të ndërsjelltë opozitë-maxhorancë”, tha Rouning.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje