Strategjia për punësim/ Rama: Reforma territoriale siguron zhvillimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës (VIDEO)

26 Shkurt 2014, 11:57Politika TEMA

Hapja e vendeve të reja të punës mbetet prioriteti më madhor i Qeverisë. Kështu u shpreh Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur gjatë prezantimit të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi.

Strategjia është hartuar nga Ministria e Mirëqënies Sociale dhe partnerët ndërkombëtarë dhe përmes saj synohet një qasje e re ndaj çështjes së punësimit në vend, nëpërmjet një vizioni krejt të ri dhe të qartë për çka do të bëhet.

Kryeministri theksoi se zhvillimi i arsimit profesional dhe lidhja e tij e ngushtë me punësimin, si dhe partneriteti i ngushtë me sektorin privat, do të jenë kyçi i suksesit të kësaj strategjie.

“Shqipëria nuk ka vuajtur asnjëherë për strategji, por ka vuajtur pikërisht për jetësimin e tyre. Problemi kryesor i yni nuk ka qenë mungesa e legjislacionit, përshtatja e legjislacionit të BE apo dhe mungesa e planeve të shkruara në letër, por mënyra  e zbatimit të tyre. Ndaj për ne është fare e qartë; më shumë punë dhe më pak strategji”, iu drejtua Rama të pranishmëve.

E ndërsa e cilësoi strategjinë si fillimin dhe jo mbarimin e një rruge, Rama vuri theksin në arritjen e rezultateve të matshme dhe konkrete në lidhje me qëllimin për të cilën ajo është hartuar, rritjen e punësimit. Në këtë kuadër, Kreu i Qeverisë vuri theksin në nevojën e krijimit të një ekonomie prodhuese që krijon vende të reja pune, ndërsa u ndal edhe tek nevoja për një model të ri zhvillimi ekonomik, ku rritja ekonomike përkthehet në vende të reja pune dhe ku shifrat e rritjes nuk mbeten kode të pakuptueshme për ata të cilët kërkojnë vende të reja pune.

“Hapja e vendeve të reja të punës mbetet prioriteti ynë më i madh. Për këtë arsye, sforcoja jonë më e madhe është përqendruar tek ndryshimi përmbajtësor i modelit të zhvillimit ekonomik. Kryesfida jonë, ajo që do t’i hapë rrugë këtij zhvillimi, është lufta me korrupsionin dhe krimin e organizuar.Kryereforma jonë, ajo që do të sigurojë bazën e këtij zhvillimi, është reforma territoriale administrative.Padyshim, kryearritja jonë do të jetë të sigurojmë punësimin në rrugën e zhvillimit”, u shpreh Rama.

Punësim përmes arsimit profesional

Në vijim ai theksoi se Qeveria merr një zotim madhor të rrisë punësimin, duke rilindur arsimin profesional dhe duke e riorientuar të gjithë përpjekjen në drejtim të arsimit profesional, drejt nevojave reale të tregut të punës në Shqipëri.

“Kjo strategji, besoj një ndër gjërat më të rëndësishme ka, pikërisht, lidhjet e punësimit me arsimin profesional, diçka jo e re për botën e zhvilluar, por diçka e re për Shqipërinë. Kjo është një strategji që e vë më së miri në kontekstin tonë një thënien e famshme e shkrimtarit anglez Herbert George Wells që thotë se: “Historia po bëhet çdo ditë e më shumë një garë mes arsimimit dhe katastrofës. Nuk është kjo hera e parë në Shqipëri që arsimi profesional diskutohet si një mjet për rritjen e punësimit dhe zhvillimin e vendit. Por, unë besoj se është hera e parë në Shqipëri që kjo temë nuk mbetet vetëm në rrafshin e diskutimit, por shtrihet më së miri në një projekt strategjik që konsideron me objektivitet eksperiencën e dështuar të së shkuarës. Nëse deri sot, sfida e arsimit profesional ka mbetur një sfidë e pa arrirë, sot ne, besoj se, së paku në qasje i japim përgjigje pikëpyetjeve, të cilat janë rritur vit pas viti, në përpjekjen e dështuar për ta kthyer arsimin profesional në një instrument të zhvillimit ekonomik me punësim. Nëse do t’i kthehesha përsëri thënies që sapo përmenda, të “Historisë, si një garë mes arsimimit dhe katastrofës”, do të shkoja pak më tutje, duke thënë se, nëse nuk i japim modelit tonë të zhvillimit ekonomik, përmasën e rritjes me punësim, jemi të destinuar që të shkojmë përditë e më shumë drejt një shoqërie që është pre e tensioneve dhe e konflikteve”, theksoi Rama.

Në këtë kuadër ai vuri theksin në marrjen e masave për ndërtimin e rrjetit të arsimit profesional, pa harruar, madje duke vënë fokusin tek zonat rurale, mundësi të shtuara për arsimimin profesional të grave e vajzave, mbështetje për sipërmarrjen sociale dhe sipërmarrjes së grave dhe vajzave, ripërtëritjen e shërbimit të punësimit.

Sipas tij, strategjia nuk lë ekuivok në idenë se mirëpërdorimi i fondit për arsimin profesional dhe punësimi, është një tjetër element bazë që mund të bëjë ose jo diferencën.

Zgjedhjet

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri u ndal në mundësitë e zgjedhjes që ofrohet përmes strategjisë përsa i takon punësimit. Në këtë kuadër Rama tha se shifrat janë alarmante lidhur me të rinjtë, pasi 31% e tyre nuk janë as në punë e as në shkollë, qoftë kjo shkollë e përgjithshme apo shkollë profesionale.

“E gjitha kjo në një realitet shqiptar ku nga ana tjetër të mos harrojmë, ata që janë në shkollë, janë të kanalizuar në një numër të kufizuar degësh dhe ata që janë të papunë, janë doktorë shkencash, janë posedues masterash dhe medaljesh, që në të shumtën e herës nuk kanë asnjë vlerë”, vijoi më tej kryeministri.

Sipas tij, dallimi themelor mes një vendi në zhvillim dhe një vendi të zhvilluar është ‘Dija’, dhe jo pasuritë që posejdon një vend i caktur të cilat ia ka falur Zoti apo natyra.

“Vende me pasuri shumë relevante për madhësinë dhe për numrin e popullsisë së tyre dergjen në varfëri dhe vende me pasuri më pak relevante lulëzojnë. Diferencën e bën dija. Dija dhe diversifikimi. Prandaj, ne, jo vetëm me këtë bindje, por edhe me besimin se në fund të fundit pasuria më e madhe jona, – që jemi një vend i pasur, nuk jemi një vend i varfër në burime natyrore, – është kapitali njerëzor, duhet dhe do të fokusohemi me “mish e me shpirt” tek rritja e cilësisë së këtij kapitali, i cili, i aftësuar në një seri profesionesh, do të përbëjë zërin më të rëndësishëm të zhvillimit të ekonomisë, eksportin më të rëndësishëm dhe më cilësor të vendit dhe në të njëjtën kohë, duhet të përbëjë veçorinë kryesore të këtij vendi për të tërhequr investime të drejtpërdrejta”, theksoi ai.

Në këtë kuadër, Rama përmendi mungesën e specialistëve në zanata të shumta, duke vënë theksin në mbushjen e tij.

“Me ndërlidhjen e arsimit profesional të shoqërisë me punësimin, ne praktikisht krijojmë kushtet për t’i dhënë mirëqenies individuale dhe shoqërore një përmasë konkrete dhe për ta afruar horizontin e shpresës në realitetin konkret të jetës së përditshme, duke mundësuar që mirëqenia individuale të mos jetë një shpresë që duket e paarritshme, por të jetë një perspektivë reale për këdo që ndërmerr rrugën e arsimimit profesional, në kushtet kur nuk mund të vazhdojë rrugën e zhvillimit akademik”, u shpreh kryeministri.

Reforma Territoriale

Në fjalën e tij, Kryeministri e cilësoi Reformën Territoriale si kryereformën që ka ndërmarrë ndonjëherë Shqipëria. “Reforma territoriale, ndër shumë gjëra të tjera, do të na mundësojë një decentralizim real dhe për sa i përket arsimit profesional, të përqendruar në Shqipërinë e mesme dhe kryesisht në zonat urbane sot, dhe të shtrirë, sipas natyrës së gjeografisë dhe të zhvillimit nesër në çdo zonë rurale. Sot, zonat rurale janë jashtë hartës së punësimit, qoftë në veri, qoftë në jug. Shërbimet dhe dijet lokale janë shumë të dobëta, për shkak se zhvillimi është përqendruar në disa pika graviteti dhe jashtë këtyre pikave të gravitetit hapësira të tëra, popullsi të tëra, komunitete të tëra, kanë mbetur jashtë rrugëve të zhvillimit. Prandaj ne e shikojmë reformën territoriale si një kryereformë që do të na japë mundësi të kemi një zhvillim të integruar urban, ekonomik dhe social të vendit. Do na japë mundësi që shumë territore, që sot janë si gjymtyrë të sakatuara dhe të paralizuara të trupit të Shqipërisë, të fillojnë të ripërtërihen dhe trupi i vendit tonë të fillojë të funksionojë si një i tërë, ku natyrisht çdo gjymtyrë ka vendin, ka edhe rolin e vet”, theksoi Rama.

Sipas tij, ajo çka ka ndodhur është se përveç se në vite pjesë të tëra të trupit të vendit janë sakatuar, është ulur në mënyrë dramatike dhe fuqia ripërtëritëse e tyre.

7 komente në “Strategjia për punësim/ Rama: Reforma territoriale siguron zhvillimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës (VIDEO)”

  1. plaku says:

    EC PLAKO>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>>………

  2. . says:

    **********************************************************************************************

    Te lumte Z.Rama, qeveria me e mire qe nuk ka pare Shqiperia.

    Z.Ram, pervec problemeve te medha qe te la Ceta-Veriore Injorante dhe PIsanjoke PD, Ju duhet te perballoni dhe “sabotimet, komplotet dhe komplikacionet” qe po te shkakton krimineli Sali Bisha, sepse i trembet burgut, si Presidenti mik i tij i Ukraines.

    **********************************************************************************************

    1. tik says:

      Kujdes se nuk po merr dot frymë!

  3. tani says:

    QEVERIA po punon ngadale,duhet te punohet shpejt dhe mire,shqiperia ka humbur 50 vjet komunizem,dhe per kete duhet levizur shpejt,jo si qerre per cdo problem,ne qofte se nuk dine te marrin asistence dhe programe te gatshme ne gjermani,austri,etj,pendryshe do tregojne se nuk duan te punojne shpejt,por duan te marrin vetem rrogat pa bere asgje,por populli nuk do rrije te prese PS 4 vjet,e do dali ne protesta e do e rrezoi kete qeveri sic tha MEJDANI OJQ-ISTE.

  4. 1prilli says:

    Plani 2 vjecar do na sjelle begatine!

  5. katunari says:

    m`duket se do shkojm prap t`punojm ku ka nevoj atdheu

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje