Basha lobon në PPE për statusin e vendit kandidat

8 Mars 2014, 13:52Politika TEMA

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha lobon në Kongresin e Partive Popullore Europiane për marrjen e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria në muajin Qershor të 2014. Basha dhe ish-Kryeministri Sali Berisha morën pjesë në Kongresin e  Partisë Popullore Europiane (PPE) ku zhvilluan një seri takimesh me drejtues të Qeverive dhe shteteve, të cilët sipas një njoftimi nga PD, kanë shprehur shqetësimin për veprimet antidemokratike të ndërmarra nga qeveria në këto 6 muaj. Në njoftimin zyrtar të partisë Demokratike theksohet se gjatë takimeve me Bashën,  personalitete të larta të politikës vendimmarrëse të BE kanë dhënë alarmin për përkeqësimin e standardeve demokratike në vend.

“Mesazhi nga kryetarët e qeverive të shteteve anëtare dhe drejtueseve të institucioneve europiane të pranishëm në këtë kongres ishte i qartë dhe pa ekuivok. Me frymën e saj antikushtetuese, me goditjet e njëpasnjëshme kundër institucioneve të pavarura  dhe tentativës për t’i kapur ato, me goditjet ndaj administratës publike dhe në tërësi frymën e konfliktualitetit që ka injektuar në marrëdhëniet me opozitën, qeveria rrezikon seriozisht statusin në qershor. Jo vetëm kaq, por kjo sjellje e cila konsiderohet se po zhbën disa standarde të arritura tashmë në Shqipëri po rrezikon imazhin e Shqipërisë dhe progresin e gjithanshëm të Shqipërisë në raport me aspiratën e saj për integrim ne BE “,  u shpreh  Basha pas takimit me drejtues të qeverive anëtare të BE dhe institucioneve europiane.

Ai ka marrë përgëzime për përpjekjet e drejta të Partisë Demokratike në mbrojtje të demokracisë dhe shtetit ligjor nga Joseph Daul, kryetari i PPE, partisë më të madhe parlamentare të Bashkimit Europian, anëtarë të së cilës janë 12 kryetarë shtetesh dhe qeverish të vendeve anëtare të BE-së, 13 komisionerë të Komisionit Europian, Presidentin e Komisionit dhe të Këshillit Europian. Basha pasi ka uruar Jean-Claude Juncker për zgjedhjen si kandidat të PPE për president të Komisionit Europian, ka marre mbështetjen e tij për integrimin europian të Shqipërisë.

 “Është e qartë se institucionet e BE, qeveritë mike të përfaqësuara në PPE  mbështesin pa rezerva perspektiven europiane të Shqipërisë, mbështesin pa asnjë paragjykim ecjen përpara të Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat por edhe drejt hapjes së negociatave. Pengesa e vetme është arritja e standardeve të kërkuara, pengesa e vetme është ruajtja e standardeve  të arritura më parë. Nga ana tjetër pati një vlerësim të njezëshëm për rolin konstruktiv  qe PD po luan ne opozite ne mbrojtje te vlerave te demokracisë,  te shtetit ligjor, ne mbrojtje te institucioneve, ne mbrojtje te perspektives europiane  dhe po kështu një vlerësim pozitiv për politiken e ndjekur nga PD për mbështetjen pa kushte të integrimit europian te vendit “ theksoi Basha.

Kryetari i PD Lulzim Basha mori pjesë edhe në konferencën “Ballkani Perëndimor në BE, perspektiva dhe sfida ku theksoi nevojën për  angazhim dhe fokus të vazhdueshëm për ruajtjen dhe konsolidimin e standardeve demokratike në Ballkanin Perëndimor dhe shprehu angazhimin dhe përkushtimin e PD ashtu si dje në qeverisje të vendit edhe sot në opozitë për  anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje